Imzot Bernardito Auza në OKB Imzot Bernardito Auza në OKB 

Selia e Shenjtë: masat kundër terrorizmit nuk duhet t’i kufizojnë ndihmat humanitare

Në fjalën e mbajtur pranë Këshillit të Sigurimit të OKB-së lidhur me financimin e terrorizmit, Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë kujtoi deklaratën e përbashkët të Papës Françesku me Imamim e Madh të Al-Azhar.

R. SH - Vatikan

Duke e dënuar terrorizmin “në të gjitha format e shfaqjes së tij”, Selia e Shenjtë pohon se është e nevojshme “të ndalohet hyrja e mjeteve, që i lehtësojnë veprimtaritë kriminale të terroristëve”. Në fjalimin e mbajtur gjatë debatit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbi financimin e  terrorizmit, javën e kaluar, Vëzhguesi i përhershëm i Vatikanit, imzot Bernardito Auza, citoi, lidhur me këtë problem, Dokumentin mbi Vëllazërimin Njerëzor, nënshkruar nga Papa Françesku dhe Imami i Madh i Al-Azhar:

“Është e nevojshme të ndërpritet çdo ndihmë, që u jepet lëvizjeve terroriste me para, armë, plane a justifikime si dhe me mbulimin mediatik, duke i konsideruar të gjitha këto forma si krime ndërkombëtare, që kërcënojnë sigurinë dhe paqen botërore. Terrorizmi duhet dënuar në të gjitha format e shprehjes”.

Të marrin fund financimet

E domosdoshme për t’iu kundërvënë terrorizmit - vijoi imzot Auza - është   këputja e lidhjes së tij me kriminalitetin e organizuar transnacional, dy realitete, kundër të cilave mund të luftohet përmes “ndërprerjes së aftësive   informatike, të përdorura për të rekrutuar anëtarë të rinj si dhe për të grumbulluar fonde”.

Të parandalohet terrorizmi

“Zhvillimi i gjithanshën njerëzor është themelor për parandalimin afatgjatë të terrorizmit”- theksoi akoma nunci. - Njëkohësisht është e domosdoshme që masat e parandalimit dhe të kundërvënies së terrorizmit, të respektojnë pa asnjë lëkundje të drejtat e njeriut, shtetin e së drejtës dhe të drejtën humanitare ndërkombëtare. Posaçërisht - vuri në dukje imzot Auza - nuk mund e as nuk duhet të ketë konflikt ndërmjet parandalimit të financimit të terrorizmit dhe furnizimit të ndihmës humanitare.

Të garantohen ndihmat humanitare

Vëzhguesi i Vatikanit pranë OKB-së shprehu edhe shqetësimin e Selisë së Shenjtë për më të ligshtit, përballë pasojave që mund të vënë në rrezik sigurinë dhe shëndetin e tyre. Këshilli - vërejti - duhet të garantojë që masat e antiterrorizmit të mos e kufizojnë ose ta zbehin aftësinë e organizatave jo qeveritare e bamirëse për t’i furnizuar me ndihma humanitare grupet dhe njerëzit e ligshtë:

“Asnjë arsye ideologjike, politike, filozofike, racore, etnike a fetare nuk mund t’i justifikojë aktet terroriste”- theksoi me forcë, në përfundim, imzot Bernardito Auza.

01 prill 2019, 16:41