Kërko

 Zoja e Aparesidës Zoja e Aparesidës 

Së shpejti i Lum, një meshtar brazilian, që ndihmonte imigrantët italianë

Kongregata për Çështjet e Shenjtorëve shpalli tetë dekrete të reja. Kisha do të ketë, së shpejti, një të Lum të ri, meshtarin brazilian Donizetti Tavares de Lima. Ndërmjet të Nderuarve, do të jenë edhe dy laikë: një fëmijë brazilian dhe një grua nga Catanzaro.

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku, pasi priti, të shtunën e kaluar, kardinalin Angelo Becciu, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, e autorizoi Dikasterin për shpalljen e Dekreteve, që kanë të bëjnë me të Lumin e ardhshëm dhe shtatë Shërbëtorë të Nderuar të Zotit.

Atë Donizetti, meshtar ndërmjet njerëzve

Me njohjen e një mrekullie, përmes ndërmjetësimit të tij, do të lumnohet meshtari brazilian Donizetti Tavares de Lima. I lindur më  3 janar 1882, në Santa Rita de Cássia, Shteti i Bahia, në Brazil, u quajt me emrin e kompozitorit të mirënjohur të muzikës lirike italiane, falë pasionit të babait të tij për muzikën. Si famullitar, duke nisur nga viti 1909, zhvilloi  veprimtari të vazhdueshme ungjillëzuese, duke e lidhur ngushtë Ungjillin me përmasën shoqërore. Me bindjen se dashuria për Zotin dhe ajo për të afërmin, shkojnë krah për krah. U mor drejtpërdrejt me problemet e njerëzve, si të ishin të tijat, mbrojti me guxim të pashoq të varfërit. U radhit përkrah punëtorëve, kundër shfrytëzimit të njerëzve të pushtetshëm. E iu kushtua aq me zell kësaj beteje, sa nisën ta  akuzojnë si komunist. Po ai vijoi me guxim rrugën e nisur. Realizoi vepra asistenciale për të sëmurët, të moshuarit, fëmijët, nënat në kushte të vështira. E të gjitha këto vepra bamirësie - pohonte - falë ndërmjetësimit të Zojës së Aparesidës.

Pranë imigrantëve italianë të shfrytëzuar

Tek i Lumi i ardhshëm gjetën ndihmë e mbështetje edhe imigrantët italianë në Brazil që, në kërkim të kushteve më të mira të jetesës, ndesheshin me prepotencën e pronarëve të pasur të tokave. Fama e shenjtërisë së tij u përhap shumë shpejt e turma të tëra shtegtarësh nisën të dynden në famullinë e tij për të marrë bekimin e priftit të nevojtarëve. Shumë nisën të tregojnë se u shëruan mrekullisht, përmes lutjes së tij. Po atë Donizetti i frenoi këto shtegtime, duke u kujtuar të gjithëve se nuk duhej ngatërruar feja me fanatizmin. Vdiq 79 vjeç, më 16 qershor 1961, në Tambaú.

Feja e madhe e Nelsonit të vogël

Me njohjen e virtyteve heroike, Kishës i shtohen shtatë Shërbëtorë të Nderuar të Zotit, ndërmjet të cilëve, dy shekullarë: një fëmijë brazilian, Nelson Santana (1955-1964), dhe katanzarezja Gaetana Tolomeo, e njohur me emrin “Nuccia” (1936-1997).

Nelsoni u shtrua në spital me dhimbje të forta në krah. Diagnoza: osteosarcoma, tumor i kockave. I jetoi ditët e fundit me dhimbje të tmerrshme, të cilat i përballoi me fe të gjallë, me bindjen se pa dhimbje, nuk mund të kuptohet vërtetësisht dashuria e të Kryqëzuarit. Vdiq Natën e Krishtlindjes 1964, në moshën 9 vjeçare.

Nuccia, dhimbja e shndërruar në lavd

Edhe Nuccia e jetoi me fe  misterin e dhimbjes. E prekur nga një  paralizë progresive, e gjeti tek Jezusi forcën për t’u dhënë zemër e shpresë të gjithë atyre, që vinin ta takonin, duke u dhuruar edhe një buzëqeshje plot hir. E gozhduar në shtrat për 60 vjet me radhë, diti ta shndërrojë vuajtjen në lutje. Bisedonte me Jezusin e i thoshte: “Pushteti i dashurisë sate, Zot, më bëftë këngëtare të hirit tënd, ma shndërroftë vajin në gëzim, në himn për jetën, që ta mundë vdekjen e të jetë mesazh shprese për shumë shpirtra të trishtuar.(…). Të falënderoj, o Zot, për dhuratën e jetës! Të falënderoj që ma shndërrove vajin në gëzim. Faleminderit për gjithçka, o Atë i mirë e i mëshirshëm! Të lavdëroj e të bekoj për çdo gjest dashurie, që e mora nga dora jote, por sidomos, për dhuratën e ngujimit në këtë krevat, i cili u shndërrua për mua në shkollë të vërtetë të braktisjes në krahët e tu përdëllyes. Në Gjetsemanin tim”.

 Pesë të Nderuarit e tjerë janë:

- Carlo Cavina, prift dioqezan, themelues i Kongregatës së Bijave të Shën Françeskut të Sales (Castel Bolognese, Itali,  29 gusht 1820- Lugo, Itali, 15 shtator 1880)

- Raffaele da Sant’Elia a Pianisi (në shekull Domenico Petruccelli), rregulltar i Urdhërit të Fretërve të Vegjël  Kapuçinë (Sant’Elia a Pianisi, Itali,  14 dhjetor 1816 – po aty, 6 janar 1901).

- Damiano da Bozzano (në shekull Pio Giannotti),  rregulltar i Urdhërit të Fretërve të Vegjël Kapuçinë (Bozzano, Itali, 5 nëntor 1898 - Recife, Brazil, 31 maj 1997).

- Vittorino Nymphas Arnaud Pagés (në shekull, Agostin), rregulltar  i Institutit të Vëllezërve të Shkollave të Krishtera (Onzillon, Francë, 7 shtator 1885 - San Juan de Puerto Rico, Porto Rico, 16 aprile 1966).

- Consolata Betrone (në shekull Pierina Lorenzina Giovanna), murgeshë, Klarise Kapuçine; ( Saluzzo, Itali,  6 prill 1903- Moriondo, Itali, 18 korrik  1946).

08 prill 2019, 13:05