Cerca

Vatican News
 Kongresi i Federatës Biblike Kongresi i Federatës Biblike 

Romë: Kongresi ndërkombëtar i Federatës Biblike Katolike, 50 vjet pas themelimit

Kohë bilancesh, por edhe sfidash të reja, për Federatën Biblike Katolike, që po jeton, në Romë, Kongresin e saj ndërkombëtar: rreth dhjetë relatorë, çaste të ndryshme ballafaqimi ndërmjet pjesëmarrësve e, në përfundim, takimi me Françeskun. Objektivi: Bibla të jetë gjithnjë më në qendër të jetës së besimtarëve.

R. SH. - Vatikan

U hap, dje pasdite, në Ergife Palace Hotel të Romës, Kongresi ndërkombëtar i Federatës Biblike Katolike (CFB), që do të përfundojë më 26 prill, ditë në të cilën parashikohet edhe audienca me Papën Françesku. Tema e takimit: “Bibla dhe jeta: frymëzimi biblik i mbarë jetës baritore  dhe misionit të Kishës - përvojë dhe sfida”. Kongresi, që mbahet me rastin e 50-vjetorit të Federatës, përuruar nga Pali VI më 16 prill 1969, po reflekton për frytet e punës së vetë Federatës, duke përcaktuar edhe objektivat për vitet e ardhshme. Në hyrje të punimeve, folën kardinali Luis Antonio Tagle, kryetar i Federatës; kardinali Kurt Koch, kryetar i Këshillit Papnor për Promovimin e Bashkimit të të Krishterëve dhe profesor fra Jan J. Stefanow, SDV, sekretar i përgjithshëm i CBF.

Kontributi i specialistëve nga kontinente të ndryshme

Shtatë relatorët, teologë e biblistë, që po japin kontributin dhe mendimet e tyre në takim, vijnë nga Gjermania, Luksemburgu, Kolumbia, Meksika e Bolivia. Përveç referateve, ka edhe laboratore, përmes të cilave po  ballafaqohen aspekte të ndryshme të realitetit baritor të Kishës, për të përcaktuar, me ndihmën e pjesëmarrësve, praktikat më të mira dhe sfidat e   secilës fe, anëtare e Federatës Biblike Katolike. Disa nga titujt janë: “Bibla dhe të rinjtë”; “Bibla dhe teknologjitë e reja”; “Bibla dhe dashuria e krishterë”; “Fjala e Zotit në Evropë edhe në kontinente të ndryshme”.

Federata Biblike Katolike, organizatë në shërbim të apostullimit biblik

Federata Biblike Katolike është organizatë në shërbim të apostullimit biblik, e themeluar sipas direktivave të Koncilit II të Vatikanit. Aktualisht punon në më se 127 vende si dhe në zona e nënzona. Objektivat e saj janë: nxitja e përkthimit dhe përhapjes së Biblës në gjuhë të ndryshme; studimi i Biblës dhe prodhimi i mjeteve edukative, që e bëjnë të lexueshme në mjedise të ndryshme; bashkëpunimi ndërmjet studimeve biblike dhe baritorisë biblike; nismat e baritorisë biblike dhe shkëmbimi i përvojave përkatëse; dialogu ndërfetar i bazuar mbi Shkrimet e Shenjta, etj.

Kremtohen, kështu, 50 vjet bashkëpunimi, për t’ia hapur Biblës portat e të gjitha mendjeve e, sidomos, të zemrave njerëzore. Sepse Fjala e Zotit është themel i jetës!

24 prill 2019, 17:07