Venerdì Santo Venerdì Santo 

E Premtja e Madhe, dita e dytë e Treditëshit të Pashkëve

E Premtja e Madhe e Pashkëve është ditë lutjeje e heshtje, ditë e Mundimeve dhe kryqëzimit të Jezu Krishtit, akti më i lartë i dashurisë, që e bën njeriun të lirë. Të Premten e Madhe të Pashkëve liturgjia e Kishës na fton të meditojmë misterin e mundimeve, të dhimbjes dhe të vdekjes së Jezu Krishtit mbi Kryq.

R.SH. - Vatikan

Të Premten e Shenjtë e të Madhe të Pashkëve, Ditën e dytë të Treditëshit të Pashkëve, Kisha kremton Liturgjinë e mundimeve e të vdekjes së Zotit tonë Jezu Krishtit mbi Kryq, kundron rrugën e dhimbshme të kalvarit të Krishtit deri në epilogun dramatik të vdekjes së tij mbi Kryq,  adhuron Kryqin e Lumnueshëm e të Shenjtë të Shëlbuesit, i ofron besimtarëve ushqimin për Shëlbimin e tyre Kungimin e Shenjtë.

Me fjalë tjera, të Premten e Madhe Kisha me besimtarë të krishterë vihet para Krishtit të Kryqëzuar për të kundruar dashurinë e pakufishme shpëtimprurëse të Zotit për çdo njeri. E Premtja e Madhe e Shenjtë e Pashkëve përkujton ngjarjet dramatike që shkojnë nga dënimi me vdekje e deri te kryqëzimi i Krishtit. E Premtja e Madhe është ditë pendese, agjërimi e lutjeje, ditë e pjesëmarrjes sonë në Mundimet e Krishtit Zot. Bashkësia e krishterë pra sot e adhuron Kryqin dhe i afrohet Eukaristisë Shenjte: dy burimeve e të mirave që na kanë çliruar nga armiqësia, errësira e mëkati dhe na kanë pajtuar me Zotin e ofruar shpëtimin e amshuar.

Kështu, e Premtja e Madhe e Pashkëve është ditë lutjeje e heshtje, ditë e Mundimeve dhe kryqëzimit të Jezu Krishtit, akti më i lartë i dashurisë, që e bën njeriun të lirë. Të Premten e Madhe të Pashkëve liturgjia e Kishës na fton të meditojmë misterin e mundimeve, të dhimbjes dhe të vdekjes së Jezu Krishtit mbi Kryq.

E Mundimet dhe Vdekja e Jezusit mbi kryq që kundrohen të Premten e Madhe të  Pashkëve lidhet në mënyrë të pazgjidhshme me Darkën e Mbramë të Jezusit me Apostuj, që përkujtuam e kremtuam të Enjten e Madhe të Pashkëve. Në këtë rast e ditë, Jezusi dhuron Korpin e Gjakun e vet, domethënë, jetën e tij tokësore, vetveten, duke përshpejtuar vdekjen e tij dhe duke e shndërruar atë në një akt dashurie e shëlbimi për njerëzimin.

Kështu vdekjen, që për vetë natyrën e saj, është fund i fundit, shkatërrim i çdo lidhjeje, Jezusi e bën akt të dhurimit të plotë të vetvetes, mjet shëlbimi e shpallje të fitores së dashurisë mbi urrejtjen dhe vdekjen. Në këtë mënyrë Jezusi bëhet vendimtar për jetën e vërtet të çdo njeriu, për ta kuptuar Darkën e Mbramë, çastin e shndërrimit të vdekjes së dhunshme në flijim vullnetar, në akt dashurie, që shpërblen e shëlbon njerëzimin e botën mbarë.

E ditën e dytë të Treditëshit të Pashkëve, pra të Premten e Madhe të Shenjtë të Pashkëve kemi edhe një rast të përshtatshëm për të medituar nga njëra anë mbi misterin e dashurisë së pakufishme të Hyjit ndaj njerëzimit, pra ndaj nesh, në anën tjetër meditojmë edhe mbi misterin e madh të së keqes, të keqit e të mëkatit, që peshon rëndë mbi njerëzimin. E për ta kuptuar këtë mister feje e jete, na ndihmojnë shumë  ritet liturgjike që sot, të Premten e Pashkëve, rrëfejnë historinë e mundimeve të Krishtit deri në kryqëzimin e Tij mbi kryq.

Gjithnjë të Premten e Pashkëve, besimtarët bëjnë pastaj edhe manifestime përshpirtërisë popullore, siç është Udha e Kryqit ose shfaqjet tjera kishtare, të cilat kanë si qëllim të lenë gjurmë sa më të thella në zemrën e besimtarëve, të ndihmojnë përforcimin e besimit në Hyjin e kthimin në Udhën e Jetës, e kjo arrihet në mënyrë të veçantë përmes  pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë në flijimin shëlbimtar të Jezusit.

Kështu, nga e Premtja e Madhe e Pashkëve e deri në heshtjen e thellë të së Shtunës së Madhe, me altarët e zhveshur nga stolitë, të gjitha Kishat zhyten në soditjen e misterit më madh të shëlbimit që propozon feja e krishterë, duke i ftuar besimtarët t’ia hapin shpirtin Mëshirës Hyjnore deri në kumtimin e Ngjalljes ngadhënjimtare të Jezu Krishtit mbi vdekje.

Në këtë ditë, të Premten e Madhe të Pashkëve, ka rëndësi të madhe pjesëmarrja jonë në Sakramentin e Rrëfimit apo të Pajtimit me Zotin e të afërmin tonë, rrugë e domosdoshme kjo për të pastruar zemrën e për t’u përgatitur për  kremtimin e Pashkëve me shpirt të përtërirë. Së paku një herë në vit, kemi nevojë dhe obligim,  për këtë përtëritje të shpirtit tonë përmes Sarkamentit të Pajtimit e të marrjes së Eukaristisë Shenjte.

Lutja:

O Zot, Jezus,
mundimet tua
janë historia e mbarë njerëzimit:
ajo histori në të cilën të mirët poshtërohen,
të butët... kërcënohen,
të ndershmit… shtypen
e ata që e kanë zemrën e pastër, vihen keqas në lojë.

Kush do të jetë fitimtari?
Kush do ta thotë fjalën e fundit?

O Zot Jezus,
ne besojmë se Ti je fjala e fundit:
në Ty të mirët tashmë kanë fituar,
në Ty të butët kanë ngadhënjyer tashmë,
në Ty të ndershmit kurorëzohen
e zemërpastrit ndrisin si yjet nëpër natë.

O Zot Jezus,
sonte po përshkojmë udhën e kryqit tënd,
duke e ditur mirë se është edhe udha jonë.
Por një bindje na ndrit:
udha nuk mbaron mbi kryq,
udha vijon,
shkon në Mbretërinë e Jetës
e në shpërthimin e Gëzimit
që më askush s’do të mund të na e rrëmbejë!

O Jezus, ndalohem mendueshëm
tek këmbët e kryqit tënd:
‘E kam ndërtuar edhe unë me mëkatet e mia!
Mirësia jote, që nuk mbrohet
e pranon të kryqëzohet
është mister që i kalon kufijtë e kuptimit tim
e më prekë thellësisht.

O Zot, ke ardhur në botë për mua,
për të më kërkuar, për të më prirë
drejt përqafimit të Atit:
përqafimit që më mungon!

Ti je Fytyra e mirësisë
e e mëshirës;
prandaj dëshiron të më shpëtosh!

Në shpirtin tim ka tepër egoizëm:
eja me dhembshurinë tënde të pafund!
Në shpirtin tim ka mburrje e ligësi,
eja me butësinë e përvujtërinë tënde!

O Zot, jam unë mëkatari që shpëtimin pret,
Jam djali plangprishës që duhet të kthehet!
O Zot ma fal dhantinë e lotëve ndër sy,
Për të gjetur lirinë e jetën
Paqen me Ty e gëzimin me Ty.

18 prill 2019, 16:20