Kërko

Papa Françesku takon Papën e nderit, Benedikti XVI Papa Françesku takon Papën e nderit, Benedikti XVI 

Benedikti XVI: për të kapërcyer krizën e abuzimeve, të kthehemi tek Zoti

Papa i nderit shkruan për shkandullin e abuzimeve seksuale në Kishë: krizë, që është bërë e mundur, në sajë të eklipsimit progresiv të besimit në Zotin.

R.SH. - Vatikan

“Forca e së keqes rrjedh nga refuzimi i dashurisë së Zotit... Prandaj, të mësojmë ta duam Hyjin është rruga për shëlbimin e njerëzve”: kështu shkruan Papa i nderit, Benedikti XVI, për revistën gjermane “Klerusblatt”, cituar edhe nga Agjencia Cna. Në tekstin e gjatë, ai flet për plagën e abuzimit të fëmijëve nga ana e anëtarëve të klerit.

Mirënjohje për Papën Françesku

         Benedikti XVI merr shkas nga Takimi i shkurtit për mbrojtjen e të miturve në Kishë, mbajtur në Vatikan me nxitjen e Papës Françesku,  për të dhënë “një sinjal të fuqishëm” dhe “për ta bërë sërish të besueshme Kishën, si dritë për popullin dhe si forcë, që ndihmon në luftën kundër fuqive shkatërrimtare”. Pohon se dëshiron të japë kontributin e tij në këtë mision, “megjithëse nuk ka më përgjegjësi të drejtpërdrejtë, si Papë i nderit që është”. Ratzinger falenderon Papën Françesku “për gjithçka bën që të na tregojë vazhdimisht dritën e Zotit, e cila, edhe sot, nuk është venitur”.

Revolucioni seksual i viteve ‘60

Teksti ndahet në tri pjesë. Në pjesën e parë, Ratzinger flet për kontekstin shoqëror, për revolucionin seksual, që filloi në vitet ‘60. Pikërisht, në këtë periudhë, shkruan ai, pedofilia u konsiderua “si të ishte e lejuar” e, madje, “edhe e përshtatshme, e duhur”. Në këtë periudhë, vërehet “rënia drastike e thirrjeve meshtarake” dhe “një numër i jashtëzakonshëm i shkarkimeve nga gjendja klerikale”, së bashku me “shembjen e teologjisë morale katolike”, e cila, sipas Benediktit XVI, fillon t’u bëjë lëshime tundimeve relativiste. Sipas një teologjie të caktuar, vëren Papa i nderit, “nuk mund të ekzistonte as diçka absolutisht e mirë e as diçka gjithmonë e keqe, por mund të kishte vetëm vlerësime relative. Nuk ekzistonte më e mira, por vetëm diçka, që në atë çast e sipas rrethanave, ishte relativisht e mirë”.

Protesta kundër magjisterit të Kishës

Ratzinger citon Deklaratën e Këlnit në vitin 1989, nënshkruar nga 15 teologë katolikë, që shndërrohet “në një britmë proteste kundër magjisterit të Kishës” dhe kundër Gjon Palit II. Në këtë periudhë, lindi Enciklika “Veritatis splendor”, botuar në vitin 1993, ku “pohohet se ka veprime, që nuk mund të bëhen të mira kurrë”. “Në sektorë të gjerë të teologjisë morale” - shton Papa i nderit – zhvillohet “teza se Kisha nuk ka e s’mund të ketë moralin e vet”, një konceptim, që “vë rrënjësisht në diskutim autoritetin e Kishës në fushën morale” dhe, në fund të fundit, “e detyron të heshtë, pikërisht kur është në lojë kufiri ndërmjet së vërtetës dhe gënjeshtrës”.

Pasojat nëpër seminare

Në pjesën e dytë të tekstit, Benedikti XVI flet për pasojat e këtij procesi në formimin dhe në jetën e meshtarëve. “Në disa seminare - shkruan ai - u formuan klube homoseksuale, që vepronin, pak a shumë, hapur”. “Selia e Shenjtë i njihte këto probleme, por nuk e informonin për hollësitë”. “Fryma konciliare, faktikisht, u kuptua si qëndrim kritik, ose negativ ndaj traditës në fuqi deri në atë kohë, që tani duhej të zëvendësohej me marrëdhënie të reja, radikalisht të hapura ndaj botës” derisa “të zhvillohej një lloj ‘katolicizmi’ i ri dhe modern”.

Përgjigjja e Kishës ndaj abuzimeve

Benedikti XVI thekson se çështja e pedofilisë, për aq sa i kujtohet, “u bë problem vetëm në gjysmën e dytë të viteve ‘80” dhe fillimisht, u trajtua me ngadalësi e pa vëmendjen e duhur, duke garantuar veçanërisht të drejtat e të akuzuarit e duke i bërë dënimet pothuajse të pamundura. Për këtë arsye, ai pajtohet me Gjon Palin II, i cili mendonte se kompetenca për çështjet e abuzimit të fëmijëve i takon Kongregatës për Doktrinën e Fesë, në mënyrë që “të mund të jepet ligjërisht dënimi maksimal”, nëpërmjet “një gjyqi të vërtetë penal”: shkarkimi nga gjendja klerikale. Megjithatë, kishte vonesa që “duhej të shmangeshin”. Për këtë, vëren Benedikti XVI, “Papa Françesku ka ndërmarrë reforma të mëtejshme”.

Ilaçi kundër së keqes është ta lëshojmë veten në duart e dashurisë së Zotit

Në pjesën e tretë të tekstit, Benedikti XVI pyet cilat janë përgjigjet, që duhet të japë Kisha. “Ilaçi kundër së keqes, që na kërcënon ne dhe gjithë botën, - pohon ai – në fund të fundit, nuk mund të mos jetë lëshimi i plotë i vetes” në krahët plot dashuri të Zotit: “Ky është ilaçi i vërtetë kundër së keqes”. “Një botë pa Hyjin, s’mund të jetë tjetër, veçse një botë pa kuptim”, në të cilën nuk ekzistojnë më “kriteret e së mirës dhe të së keqes”, por vetëm ligji i më të fortit: “Atëherë, pushteti bëhet parimi i vetëm. E vërteta nuk ka rëndësi, madje, në realitet, nuk ekziston”. E fuqishme, akuza kundër shoqërisë perëndimore, ku “Zoti mungon në sferën publike e s’ka asgjë për të thënë. Prandaj, në këtë shoqëri humbet gjithnjë e më shumë kriteri dhe masa e njerëzores”. Në të, çdo gjë “e keqe, që e shkatërron njeriun”, mund të duket e zakonshme, si në rastin e pedofilisë: “Teorizuar, jo shumë kohë më parë, si plotësisht e drejtë, ajo është përhapur gjithnjë e më shumë”. Përgjigjja për gjithë këtë, shkruan Papa i nderit, është të mësojmë nga e para që ta pranojmë Zotin si themelin e jetës.

Besimi në Eukaristinë

Në këtë perspektivë të kthimit tek Zoti, Benedikti XVI flet edhe për nevojën e përtëritjes së besimit në Eukaristinë, shpesh, deklasuar si “gjest ceremonial”, i cili shkatërron “madhështinë e misterit” të vdekjes dhe të ringjalljes së Krishtit. Duhet ta “kuptojmë sërish madhështinë e Mundimeve të Tij, të flijimit të Tij. E duhet të bëjmë gjithçka për ta mbrojtur nga abuzimet dhuratën e Eukaristisë Shenjte”.

Shpresa nuk vjen nga Kisha e krijuar prej nesh

         “Nëse reflektojmë se ç’duhet bërë - shpjegon Papa i nderit - është e qartë se nuk kemi nevojë për një Kishë tjetër të shpikur prej nesh”. “Sot Kisha shihet kryesisht si një lloj aparati politik”. “Kriza e shkaktuar prej shumë rasteve të abuzimit nga ana e meshtarëve na nxit ta konsiderojmë Kishën si diçka të ndërtuar keq, që duhet patjetër ta marrim në dorë dhe ta formojmë në një mënyrë të re. Por një Kishë e krijuar prej nesh nuk mund të na japë asnjë shpresë”.

Gënjeshtrat e djallit

Benedikti XVI përmend veprimin e djallit, të akuzuesit që “dëshiron të provojë se nuk ka njerëz të drejtë”, duke denigruar kështu, edhe Hyjin: “Jo, edhe sot, Kisha nuk përbëhet vetëm nga peshqit e këqij e nga egjra. Kisha e Zotit ekziston edhe sot, e madje, edhe sot, ajo është mjeti, me të cilin na shëlbon Hyji. Është shumë e rëndësishme t’i kundërvihemi me gjithë të vërtetën, gënjeshtrave e të vërtetave gjysmake të djallit: po, ka mëkate dhe të këqia në Kishë. Por, edhe sot, ekziston Kisha Shenjte, e cila është e pathyeshme”. “Kisha e sotme është, si kurrë më parë, Kishë martirësh, pra, dëshmi e Zotit të gjallë”.

Papa Françesku na tregon se ylli i Zotit nuk ka perënduar

Në fund të tekstit, Benedikti XVI vëren se “ta shohim dhe ta gjejmë Kishën e gjallë, është detyrë e mrekullueshme, që na forcon dhe, gjithmonë e sërish, na bën të jemi të gëzuar në fe”. Papa i nderit përfundon, duke shprehur mirënjohjen e tij për Papën Françesku e për gjithçka bën që t’u tregojë të gjithëve se drita e Zotit, edhe sot, nuk është venitur: “Faleminderit, o Atë i Shenjtë!”

11 prill 2019, 19:04