Kërko

pope-francis-receives-the-archbishop-of-canterbury-1509114052535

Që sot, në Vatikan, fillon takimi shpirtëror i krerëve të Sudanit

Mbahet në Vatikan në Shtëpinë e Shën Martës, më 10 dhe 11 prill, takimi shpirtëror me pjesëmarrjen e autoriteteve më të larta civile dhe kishtare të Sudanit të Jugut. Papa do t’u drejtojë fjalën e tij të enjten pasdite.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku miratoi propozimin e kryeipeshkvit të Kanterbërit, Justin Welby, për të organizuar një takim shpirtëror në Vatikan, në Shtëpinë e Shën Martës, më 10 dhe 11 prill, me pjesëmarrjen e autoriteteve më të larta civile dhe kishtare të Sudanit të Jugut. Kështu u shpreh dje në një deklaratë, drejtori i përkohshëm i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Alessandro Gisotti, i cili që javën e kaluar pati njoftuar për këtë ngjarje në Vatikan.

Pjesëmarrësit civilë dhe kishtarë

Nga autoritetet civile - theksoi Gisoti - marrin pjesë anëtarët e Presidencës së Republikës së Sudanit të Jugut, që sipas Marrëveshjes për Zgjidhjen e Konfliktit do të marrin detyra me përgjegjësi të madhe për kombin, më 12 maj : Salva Kiir Mayardit, President i Republikës, si edhe katër nga pesë nënkryetarët e caktuar: Riek Machar Teny Dhurgon, James Wani Igga, Taban Deng Gai dhe Rebecca Nyandeng De Mabior. Nga ana e autoriteteve kishtare të vendit, marrin pjesë në takim tetë anëtarët e Këshillit të Kishave të Sudanit të Jugut. Predikatarët e këtij takimi, të ngjashëm me ushtrimet shpirtërore, janë imzot John Baptist Odama, kryeipeshkëv i Gulu (Uganda) dhe atë Agbonkhianmeghe Orobator, kryetar i Konferencës së Eprorëve të përgjithshëm të Afrikës dhe Madagaskarit.

Lutje, reflektim dhe pajtim

Kjo ngjarje, e cila është ekumenike dhe diplomatike njëkohësisht, u organizua përmes një marrëveshjeje të Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit me Zyrën e kryeipeshkvit të Kanterbërit, për t’u ofruar palëve mundësi për reflektim dhe lutje, për takim e pajtim, në frymën e respektit dhe të mirëbesimit. Në këtë çast historik, pikërisht pjesëmarrësit kanë misionin dhe përgjegjësinë të punojnë për një të ardhme në paqe dhe begati për popullin e Sudanit të Jugut.

Fjalimi i Papës

Çasti përfundimtar i këtyre ushtrimeve shpirtërore të veçanta do të jetë gjatë pasdites të së enjtes, 11 prill, kur, në orën 17:00, Ati i Shenjtë do t’u drejtojë të gjithëve fjalën e tij. Më pas, pjesëmarrësve në takim do t’u jepet një Bibël e nënshkruar nga Papa Françesku, nga Hirësia e tij Justin Welby, kryeipeshkëv i Kanterbërit dhe nga rev. John Chalmers, ish-moderator i Kishës Presbiteriane të Skocisë. Mesazhi i shkruar në të: “Kërko çka bashkon. Kapërce çka ndan”. Së fundi, krerëve të Sudanit të Jugut, që do të angazhohen bashkërisht për paqen, do t’u jepet bekimi.

 

Përditësuar më 10 prill, ora 10.30

09 prill 2019, 14:05