Akademia Papnore e Shkencave në Vatikan Akademia Papnore e Shkencave në Vatikan 

Në Vatikan, diskutohet mbi kërcënimin nacionalist, në nivel global

Asambleja e përgjithshme e Akademisë Papnore të Shkencave Shoqërore i kushtohet fenomenit të nacionalizmit të ri. Magjisteri i Kishës i bazuar mbi njeriun dhe alarmi i revistës së jezuitëve “Civiltà Cattolica”, në prag të zgjedhjeve evropiane.

R.SH. - Vatikan

Sot bota ballafaqohet me kërcënimin në rritje të ringjalljes nacionaliste, ideologjia përjashtuese e së cilës çon pashmangshmërisht në refuzimin e tjetrit dhe në një konflikt të vazhdueshëm. E pra, vetë historia e njerëzimit na mëson se kur kombet i bashkojnë mundësitë e tyre, mund të bashkëjetojnë, të bashkëpunojnë dhe të përparojnë së bashku”. Kjo do të jetë në qendër të asamblesë së përgjithshme të Akademisë Papnore të Shkencave Shoqërore, që do të mbahet në Vatikan nga data 1 deri më 3 maj, me temën “Kombi, Shteti, Shteti Kombëtar”.

Organizmi vatikanas, ku bëjnë pjesë studiues dhe akademikë nga e gjithë bota, matet prej kohësh me çështjet kryesore shoqërore të kohës sonë: nga migracioni tek mjedisi, nga përhapja e krimit të organizuar në mbarë botën tek problemet e lidhura me financën si motorr i globalizimit. Në fillim të marsit, Papa Françesku emëroi Stefano Zamagni-n, kryetar të ri të Akademisë. Zamagni, ekonomist katolik dhe pedagog në Universitetin e Bolonjës, merret me marrëdhëniet ndërmjet ekonomisë dhe etikës, me ekonominë civile dhe atë ndërkombëtare.

Temat kryesore

Tri ditët e studimeve mbi nacionalizmin do të kurorëzohen nga audienca me Papën Françesku, paraditen e së enjtes, 2 maj. Gjatë takimit në Vatikan, studiuesit do të konfrontohen mbi aspektet e ndryshme të kthimit të ideologjisë së nacionalizmit. Raste nga Evropa, si Anglia dhe Katalonja, por edhe problemet nga India, zgjimi i nacionalizmit dhe i imperializmit të ri rus do të shihen nga këndvështrimi katolik mbi teoritë e shtetit dhe të kombit. Asambleja mblidhet pikërisht para zgjedhjeve evropiane, të cilat ndikohen fuqimisht nga lëvizjet populiste në rritje, ku kanë gjetur vend edhe rryma ksenofobe dhe antidemokratike, që e shqetësojnë dhe e alarmojnë Vatikanin.

Sfidat globale kërkojnë bashkëpunim më të madh

Në dokumentin, me të cilën paraqet asamblenë, Akademia Papnore e Shkencave nënvizon se “në fazën aktuale të zhvillimit, njerëzimi i ka të gjitha mjetet teknike të mundshme për t’u organizuar bashkërisht e paqësisht”. Megjithatë, mendësia e përgjithshme bazohet akoma mbi përjashtimin e “tjetrit”, duke i mbyllur shtetet dhe kombet në vetvete, me frikën e globalizimit e të emigracionit. Këto shtete-kombe mendojnë se mund ta humbasin identitetin e tyre kulturor dhe pavarësinë politike. Por, nënvizon Akademia Papnore e Shkencave, “sfida si ekologjia e, në veçanti, ndryshimet e klimës, trafiku i njerëzve, energjia, mbrojtja, vendosja e normave për ekonominë e globalizuar, nuk mund të përballohen ekskluzivisht nga shtete kombëtare sovrane në konkurrencë me njëri-tjetrin”.

Impenjimi i “La Civiltà Cattolica”

Mbi këto tema ka shkruar prej kohësh edhe revista e jezuitëve “La Civiltà Cattolica”. Në një editorial, shkruar nga atë Drew Christiansen, me titull “Katolicizmi përballë rendit botëror joliberal”, shqyrtohet situata evropiane dhe ajo botërore. Pasi kujtohet se themelimi i Bashkimit Evropian “u dëshirua nga Papa Piu XII dhe u zbatua nga krerët katolikë të pasluftës (Konrad Adenauer, Robert Schuman, Jean Monnet dhe Alcide De Gasperi) për ta parandaluar luftën dhe për të garantuar paqen pas dy konflikteve botërore, nëpërmjet integrimit ekonomik”, teksti analizon të tashmen dhe rolin e katolicizmit, duke promovuar parimet e susidiaritetit dhe të solidaritetit.

Në të ardhmen, përfundon artikulli, Kishës do t’i duhet të mbrojë edhe më shumë dinjitetin e njeriut dhe integritetin e gjithësisë së krijuar nga Zoti, në një atmosferë shovinizmi, ksenofobie dhe përbuzjeje për tjetrin. Por, në këtë betejë, nuk do të jetë vetëm, pasi “rendi liberal u ka dhënë jetë shumë institucioneve, grupeve vullnetarësh dhe lëvizjeve, që mund të veprojnë me të, për të mirën e përbashkët".

30 prill 2019, 09:34