Kërko

 Udha e Kryqit në Koloseum Udha e Kryqit në Koloseum 

Në Udhën e Kryqit, në Koloseum, të kryqëzuarit e sotëm

Udha e Kryqit, që kremtohet në Koloseum, sivjet doli nga duart e një murgeshe, që di më shumë të ndihmojë, sesa të shkruajë. Nuk rri e mbyllur në ndonjë kuvend klauzure! Kuvendi i saj është nga më të jashtëzakonshmit për një murgeshë: rruga e madhe. Shokët e udhës, të kryqëzuarit e sotëm!

R. SH. - Vatikan

Para, mirëqenie, pushtet. Idhujt e kohës sonë. Kohë që mburret e mbahet për hapat e bëra në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Në një botë, ku gjithçka shitet e blihet. Deri të miturit, që ecin sonte pas Krishtit, duke mbartur mbi supet e brishta kryqat e vegjël, si mosha e tyre, por të rëndë, si ai i Zotit!

Atyre u kushtohet sivjet Udha e Kryqit, dalë nga duart e një murgeshe, që di më shumë të ndihmojë, sesa të shkruajë. Quhet motër Eugenia Bonetti. Nuk rri e mbyllur në ndonjë kuvend klauzure! Kuvendi i saj është nga më të jashtëzakonshmit për një murgeshë: rruga e madhe. Koha: netëve. Vendi: kudo enden skllavet e kohëve moderne. I përket Instituti të Zojës Ngushëlluese, e të ngushëllojë është edhe misioni i saj. Nga më të vështirit. Shpreson se sonte, në Koloseum, vend vuajtjesh në të kaluarën e largët, bota e sotme do të shikojë të mbledhura dhimbjet e mijëra grave, martire të një kohe tjetër, të një martizimi tjetër, por që mbetet gjithnjë martirizim, fizik e moral.  Gra përdor-e flak! Lecka të grisura ëndrrash të humbura. Burim fitimesh mbi lëkurën e tyre. Jetë të shkatërruara e të flakura në honin e poshtërimit. Këto gra i kërkon rrugëve murgesha, në emër të Krishtit. E dhimbjen e tyre të papërshkrueshme, e vë sonte te këmbët e Kryqit!

Ta ndjekim Udhën e mundimeve të Krishtit - e të njerëzve, që ecin në gjurmët e tij të përgjakura, në  pritje të ringjalljes.

Orët e fundit tokësore të Krishtit

Sot rijetojmë orët e fundit të jetës tokësore të Zotit Jezus deri në çastin kur,  i varur mbi kryq,  shqiptoi fjalët e fundit: “Gjithçka u krye!”.  E tani, të mbledhur në këtë vend, ku mijëra njerëz pësuan martirizimin, për të mos e tradhtuar Zotin, përshkojmë “udhën e dhimbshme”, së bashku me gjithë të varfërit, të përjashtuarit nga shoqëria, të kryqëzuarit e rinj të historisë së sotme, viktima të poshtërsive tona, të pushteteve e ligjeve të verbëra, egoiste e, sidomos, të zemrës sonë bërë gur nga indiferenca, sëmundje, kjo e fundit, nga e cila vuajmë edhe ne, të krishterët.

Në këtë natë, të ngarkuar me emocione të mëdha, urojmë që Kryqi i Krishtit, mjet vdekjeje, por edhe jete të re, që i bashkon në një përqafim të vetëm tokë e qiell, veri e jug, lindje e perëndim,  t’i shndrisë ndërgjegjet  e njerëzve, të Kishës, të ligjvënësve e të tërë atyre, të cilët e quajnë veten ndjekës të Krishtit, që t’u arrijë të gjithëve kumti i madh  i Ngjalljes!

Ndalohemi në Stacionin I: u kushtohet nënave zemërplasura, si Maria, sonte…

Zot, e kush më tepër se Maria, Nëna jote, ishte edhe dishepullja jote? Ajo, që  iu shtrua vullnetit të Atit edhe në çastin më të zi të jetës e, me zemrën e copëtuar, të ndenji pranë deri në fund? Ajo, që të  zu në kraharor, ajo që  të mbajti në prehër, që të shtrëngoi në krahë, të mëkoi e të shoqëroi gjatë gjithë jetës sate tokësore, nuk mund të mos të përshkonte përkrah teje edhe rrugën e Kalvarit. E përshkoi, e këputur dhimbjeje.  E ishte aty, pranë Teje, edhe në çastin më dramatik e më të tmerrshëm të jetës sate. Kur zemra nuk duron më e pëlcet! Plasi edhe zemra e saj….

“Si zemrat e sa e sa nënave, o Zot, që e jetojnë  edhe sot këtë ças, të cilin e jetoi Nëna jote. Sa shumë qajnë për fatin e bijve të tyre? Sa, pasi i zunë në kraharor e i nxorën në dritë, i shikojnë duke vuajtur e duke vdekur nga sëmundjet, nga mungesa e ushqimit, e ujit, e mjekimeve, e pamundësive për një ardhmëri vërtet njerëzore?

Të lutemi, bëji sundimtarët t’i dëgjojnë britmat e të varfërve, që ngrihen deri në kupë të qiellit, nga të katër anët e globit. Britmat e dëshpëruara të të rinjve, të dënuar me vdekje nga politikanë indiferentë, cinikë, që mendojnë vetëm për vete, që nuk e çajnë kokën për tjetrin, e përjashtojnë, e “kryqëzojnë”, si Krishtin… Bëj, të lutemi, që asnjërit nga bijtë e tu të mos u mungojë çka i duhet për një jetë të ndershme e dinjitoze.

Të lutemi së bashku e të themi: O Zot, na ndihmo të bëjmë vullnetin tënd:

-         në çastet e vështirësive e të trazirave;

-         në çastet e vuajtjes fizike e morale;

-         në çastet e errësirës e të vetmisë!

 

Në Stacioni II, Jezusi ngarkohet me kryq

O Zot Jezus, është i lehtë kryqi, kur e var si stoli në qafë, në muret e katedraleve të bukura a në shtëpitë tona! Por nuk është aspak i lehtë, kur e mbart përmbi shpinë! Ashtu si nuk është e lehtë të takohesh me  të kryqëzuarit e rinj: me njerëz të pacak, me të rinj të pashpresë, me etër të papunë, me migrantë që jetojnë në baraka, në skajet e errëta, bashkë me qen, mij, mace… pasi kanë kaluar vuajtje të padëgjuara. Për fat të keq këto kampe, krejt të pasigurta, digjen e bëhen rrafsh me tokë, njëherësh me ëndrrat e mijëra burrave e grave, njerëz të shtypur, të shfrytëzuar, të harruar nga bota. Sa fëmijë, pastaj, diskriminohen për shkak të  prejardhjes, të ngjyrës së lëkurës a të shtresës shoqërore! Sa nëna e ndjejnë veten thellësisht të poshtëruara, kur  shikojnë frytin e kraharorit të tyre të nëpërkëmbur, të tallur, të përjashtuar nga mundësitë, që i gëzojnë me tepri, bashkëmoshatarët, shokë shkolle.

Të falënderojmë o Zot, sepse me jetën tënde, na tregove si duhet shprehur  dashuria e vërtetë e pa asnjë interes ndaj tjetrit, sidomos ndaj armiqve, ose thjesht, ndaj  atij, që nuk është si ne…

O Zot Jezus, sa herë edhe ne, si dishepujt, deklarojmë se jemi ndjekësit e tu në çastet kur shëron, kur bën mrekulli, kur shuan urinë e turmës e fal mëkatet. Por nuk e kemi aspak të lehtë të të kuptojmë, kur flet për shërbim e falje, për vuajtje e mundime e, sidomos, kur na kujton kryqin! Na ndihmo ta vëmë gjithnjë jetën tonë në shërbim të të tjerëve.

Të lutemi së bashku, duke thënë: “O Zot, ndihmona të shpresojmë!”:

-         kur ndjehemi të vetmuar e të braktisur;

-         kur është e vështirë të ecim mbi gjurmët e tua;

-         kur shërbimi ndaj të tjerëve bëhet tejet i vështirë!

 

Në Stacionin III, njohim samaritanët e mirë të mijëveçarit të ri - lidhur me historinë e tri vajzave, gati foshnje, që nxehen në një natë të ngrirë dimri, në rrugë të madhe, rreth një mangalli. Në pritje “të zotërinjve”! Pa u shkuar as nëpër mend se pas pak, një grup të rinjsh do t’u flakë mbi prush material ndezës, për t’i djegur së gjalli! E do të ishin bërë shkrumb, po të mos i shpëtonin Samaritanët e mirë të natës. Në njërën anë – njerëz që kënaqen duke e djegur tjetrin të gjallë - nga ana tjetër, njerëz, që e shpëtojnë, duke rrezikuar veten. Bardh e zi: këto janë dy ngjyrat e shekullit tonë, që na kujton kohët e barbarisë. E që autorja e kësaj Udhe Kryqi i shikon për natë!

Sa e vështirë është të jesh samaritan i mirë! Sa  vëshirë e kemi të falim. Sa lehtë, t’i mbyllim sytë para skenave të tilla të pabesueshme!

Arrijmë në Stacionin IV - për të jetuar takimin e dhimbshëm të Jezusit me nënën e tij, Marinë, e në Stacionin V, ku takojmë përsëri Cireneun.   Ndalemi në Stacionin VI. Takojmë Veronikën, duke i fshirë fytyrën Zotit. Që duket sikur na përsërit thirrjen, shtegtare nëpër shekuj: “Çka t’ia bëni njërit nga vëllezërit e mi më të vegjël, ma keni bërë mua!”. Më të vegjël! Edhe pse i stërmunduar, me kryqin e rëndë mbi shpinë, Krishti nuk i harron më të vegjlit. E na nxit edhe ne të mendojmë për ata, që nuk shkojnë në shkollë, ata që shfrytëzohen në miniera, në ara, në peshkim. Ata, që shiten e blihen e flaken rrugëve tona nga shumëkush, deri nga të krishterët, të cilët e kanë humbur kuptimin e shenjtërisë së vet e të të tjerëve. Si shenjtëria e një vajze të mitur, me trup të brishtë, që endej një natë nëpër Romë e, një grup burrash mbi auto luksoze, mbanin radhën për ta shfrytëzuar. E pra kishte moshën e vajzave të tyre. Po ata nuk mendonin fare ç’pasoja të mënxyrshme mund të kishte kjo dhunë në jetën e shumë të rejave, që provojnë vetëm shijen e përdhunimeve të hatashme, të arrogancës e të indiferencës së atyre që, natë e ditë, i kërkojnë, i përdorin, i shfrytëzojnë, për t’i flakur rishtas në rrugë të madhe, pre e një tregtari tjetër jetësh të njoma, të humbura në plehërat e qyteteve të mëdha të botës.

O Zot Jezus, na i shndrit sytë, që të mund të shikojmë fytyrën tënde, në fytyrën e vëllezërve e të motrave, posaçërisht në atë të këtyre ferishteve, që  jetojnë në mjerimin më të zi. Këtyre krijesave, të përdorura si mall që shitet e blihet lirë. O Zot, ki mëshirë për këtë botë të sëmurë e ndihmona ta rizbulojmë bukurinë tonë e të të tjerëve, si njerëz, të krijuar në ngjasim tënd!

Të lutemi: “Zot, na i hap sytë për të parë ç’bëhet rreth nesh!”.

Në Stacionin VII Jezusi rrëzohet për herë të dytë, e autorja-rregulltare e Udhës së Kryqit kujton se koha jonë e ka humbur aftësinë për të falur. E  përsërit, me dhimbje, fjalët e Krishtit, drejtuar Atit: “Fali, pse nuk e dinë çfarë bëjnë”.

Arrijmë në Stacionin VIII, stacion i takimit të Zotit me gratë, që përfundon me lutjen:

“Na ndihmo, o Zot, të marrim pjesë në vuajtjen e tjetrit!”. E, më pas, në Stacionin IX, kur Jezusi bie për herë të tretë e Udha e Kryqit  lakadridhet nëpër Udhët e Romës, natën. Shikojmë aty shfrytëzimin më të pështirë, që përdor e flak tutje. E ndjekim tregimin e motër Eugenias:

 “Në njërën nga netët e pafundme, kaluar në rrugët e Romës, kërkoja një vajzë ardhur kohët e fundit në Itali. E thërrisja ngulmueshëm me emër “Mercy”. E gjeta më në fund, të shtrirë përdhe, në një skutë rruge. Dukej si një grumbull rreckash! “Jam e këputur - përsëriste - nuk mundem më”. E ndjeva edhe zërin e Zotit, që pyeste në mesnatën e errët: “Ku është yt vëlla? Ku, jote motër” Motra jote e brishtë, e mitur, ku është?”.

Pas kësaj historie, arrijmë, në shtegtimin tonë të dhimbshëm pas Krishtit, tek Stacioni X. Stacion, i dalë nga një kohë dymijë vjet larg nesh, për të hyrë në kohën tonë, që të mund ta shohim me sytë e Zotit. Para, mirëqenie, pushtet. Këta, idhujt e kohës sonë. Kohë, që mburret për hapat e bëra në mbrojtjen e të drejtave të njeriut… Kohë, në të cilën gjithçka shitet, gjithçka blihet. Deri trupat e njomë, të cilëve u grabitet dinjiteti. Sepse ne, njerëz të kësaj kohe, e kemi humbur dinjitetin, bukurinë, forcën. Forca  e kohës sonë janë muret! Po fara njerëzore nuk është zhdukur ende mbi dhe. Ka akoma njerëz që, posaçërisht në Detin Mesdhe, venë në rrezik jetën e tyre, për të shpëtuar atë të të tjerëve. Të atyre, që ikin nga varfëria, diktaturat, korrupsioni, droga, skllavëria!

Të lutemi, Jezus,  që shembulli  e mësimi i gurruar nga zemra jote, të na bëjë pakëz më njerëzorë, e, prej këndej, më të krishterë!

Të lutemi: “Na e jep, o Zoti,  një zemër plot me mëshirë!”.

Ecim, e hapat tonë arrijnë në Majën e Rrashtës. Dëgjojmë, me tmerr, goditjen e gozhdave mbi mish të gjallë. Krishtin e kryqëzojnë. Mbi Kalvar naltohen tre kryqa. Mbi Golgotë bie heshtja e varrit. E dëgjohet një zë i vetëm, nësa  qiell e dhe lëkunden nga zemërimi i Atit: “Fali, o Zot, pse nuk e dinë ç’po bëjnë!”. Po ka edhe më! Janë Stacionet dramatike,  XII,  XIII, XIV, kur e shikojmë Jezusin duke vdekur, duke e zbritur nga kryqi... Gjithçka u krye! Dëgjojmë klithmën e fundit, të dëshpëruar, të një Zoti, që vdes për ne, për mëkatet tona: “O Atë, pse më lëshove dore!”.

O Atë, thua vërtet e lëshove dore Birin tënd? - pyesim veten me ankth. E nga zemra jonë e brishtë njerëzore, e prekur thellë prej kësaj nate, më tragjikja në historinë e gjithësisë, buçet lutja:

“O Atë: pash gjakun e Birit tënd, që derdhet rishtas për ne mbi Mal të Kalvarit, mos na lësho dore!”.

Mos na lësho, në një kohë kur e meritojmë plotësisht. Kur, nësa Krishtin e zbresin në varr, në botën tonë hapen kudo varre të reja. Përballë të cilave nuk ka përgjigje. Ka vetëm përgjegjësi. Ka vëllezër që lënë të vdesin vëllezër të tjerë. Burra, gra, fëmijë…E ndërsa qeveritë diskutojnë, të mbyllura në pallatet e pushtetit, Sahara mbushet me skeletë njerëzish që shemben mbi rërën e përvëluar, të këputur nga lodhja, nga uria, nga etja! E humbasin pa gjurmë! Sa dhimbje kushtojnë heksodet e reja! Sa mizori i kërcënon akoma ikësit: udhëtime dëshpërimi, grabitje, tortura e det i shndërruar në varr uji.

Bëj, o Zot, ta kuptojmë se jemi bij të të njëjtit Atë! Premto që vdekja e Birit tënd Jezus, t’u dhurojë Krerëve të Kombeve  e ligjvënësve vetëdijen e rolit të tyre: mbrojtjen e çdo njeriu të krijuar sipas shëmbëllimit tënd!

Mos i lësho dore ata që ecin në udhë pa shpresë, që jetojnë një jetë të shuar. Ndize zjarrin e ri, mbi hirin e djegur e të përdjegur!

Zgjoi, o Zot, tingujt e jetës nga gjumi e lëshoi rrezet e diellit mbi trupat e njomë, të përlyer nga dhunimi.

Jepi përsëri jetë ferishteve, që ecin sonte pas teje kah Golgota, në pritje të agimit të ngjalljes!

Drita jote e madhe, o Zot i kryqëzuar, na i shndërron tingujt në gojë e na ndihmon t’i shikojmë fytyrat tona, në pasqyrën e ngjalljes sate!

Që e mbush përplot ajrin e pranverës, me Ngadhënjimin e Kryqit!

19 prill 2019, 12:22