Fotomontazh me rastin e shtegtimit  apostolik në Maqedoni: Shkup, Sheshi Macedonia, shtatorja e Aleksandrit të Madh Fotomontazh me rastin e shtegtimit apostolik në Maqedoni: Shkup, Sheshi Macedonia, shtatorja e Aleksandrit të Madh 

Me maqedonishten, Vatican News flet e shkruan në 35 gjuhë

Një muaj para vizitës së Papës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, portali Vatican News nis të flasë edhe maqedonisht. Faqja e re u shtohet 34 të tjerave, tashmë të pranishme.

R. SH. - Vatikan

E kufizuar me Greqinë, Bullgarinë, Serbinë, Kosovën e Shqipërinë, Maqedonia e Veriut, me 20.000 katolikët e saj (ndër të cilët, 15.000 të ritit bizantin), do të mund t’i gjejë që sot të rejat nga veprimtaria e Papës Françesku, nga jeta e Kishës universale e edhe nga jeta e Kishës së vet, vendase, në Portalin e Dikasterit për Komunikimin Vatican News. Faqja e internetit, falë lidhjes së krijuar me Kishën maqedonase, do t’ia çojë fjalën e Papës kësaj bashkësie të vogël. Për ipeshkvin e Shkupit, imzot Kiro Stojanov, kjo prani në kanalin Vatican News është fryt i parë i vizitës së Papës Françesku, para se të shkelë në trojet e vendit.

Maqedonishtja nuk dëgjohet për herë të parë në Radion e Papës: ishte edhe në faqen e internetit të Radio Vatikanit, para migrimit drejt Vatican News.  Por tani “duam të propozojmë një prani të re, më reaguese - shpjegon  drejtori i editorialit, Andrea Tornielli. - “Falë gatishmërisë së ipeshkvit Stojanov dhe një ekipi ndihmës, u mundësua realizimi i kësaj faqeje të re, shumë domethënëse për një bashkësi numerikisht të vogël, por tejet të pranishme në jetën e vendit”.

Katolikët maqedonas janë më pak se 1%  e popullsisë vendase. Por kjo nuk e pengoi këtë risi të Vatican News, sepse për Papën Françesku, siç e ka thënë ai vetë pak pasi qe zgjedhur në një nga kongregacionet e përgjithshme para-Konklavit: “Kisha është e thirrur të dalë nga vetvetja e të shkojë drejt periferive. E jo vetëm atyre gjeografike, por edhe ekzistenciale”. Kështu, besnik ndaj misionit të Radio Vatikanit, e cila që prej 90 vjetësh (Programi Shqip që nga 3 tetori i vitit 1951) u hap mikrofonet e veta besimtarëve të mbarë botës, Vatican News i nis faqet  web (shqip që nga 22/05/2018 13:45) për të  përhapur  Lajmin e mirë në të katër skajet e botës.                        

Një muaj para vizitës së Papës në Republikën e Maqedonisë së Veriut,  portali Vatican News flet edhe maqedonisht. Gjuhë e një bashkësie të vogël, djep i Shenjtores më të madhe “me gjak shqiptar” të kohëve moderne: Nënë Terezës. Edhe në gjirin e bashkësive tepër të vogla, mund të lindin figura tepër të mëdha!

08 prill 2019, 16:02