Kërko

Atë Federico Lombardi, në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë Atë Federico Lombardi, në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë 

Mbrojtja e të miturve, Lombardi: simpoziumi, çast “sinodal”

Atë Federico Lombardi, moderator i Takimit të shkurtit për mbrojtjen e të miturve, shpjegon karakterin e konfrontimit dhe të zbatimit të mëtejshëm të rezultateve të mbledhjes, së bashku me rëndësinë e Udhëzuesit, që presin ipeshkvijtë.

R.SH. - Vatikan

Përfunduan këto ditë, punimet e asamblesë së përgjithshme të Komisionit vatikanas për Mbrojtjen e të Miturve. Në një komunikatë, Komisioni kujton fjalët e Papës Françesku, më 24 shkurt, në përfundim të Takimit mbi Mbrojtjen e të Miturve, ku morën pjesë ipeshkvij nga e gjithë bota. “Rezultati më i mirë dhe rezoluta më e frytshme, që mund t’u japim viktimave, popullit të Kishës Shenjte dhe botës mbarë – pati thënë Papa – është impenjimi për një kthim baritor e kolektiv, përvujtëria për të mësuar, për të dëgjuar, për të ndihmuar e për të mbrojtur më të brishtët”. Mbi këto fjalë kyçe janë përvijuar ndërhyrje konkrete për të ardhmen.

         Tashmë, edhe Shteti i Vatikanit ka norma për të parandaluar dhe për të luftuar abuzimet, falë Motu Proprio-s së Papës, ligjit të ri shtrirë edhe për Kurien Romake, si edhe falë direktivave të veçanta baritore. Janë tri dokumente të rëndësishme, nënshkruar nga Ati i Shenjtë e publikuar gati një muaj pas Takimit të shkurtit. Për një vlerësim mbi këto norma, ia drejtuam mikrofonin moderatorit të atij Takimi, atë Federico Lombardit, aktualisht, kryetar i Fondacionit Ratzinger-Benedikti XVI.

         Kanë aspekte të rëndësishme, sepse kanë të bëjnë jo vetëm me Shtet-Qytetin e Vatikanit, i cili në vetvete është një realitet i vogël, pavarësisht se i rëndësishëm, por edhe me Kurien Romake, pra, me gjithë personelin në shërbim të Guvernatoratit dhe të Kuries Romake, që do të thotë edhe stafi diplomatik i Selisë së Shenjtë. Japin një shembull, një model, një linjë nga e cila duhet të frymëzohemi. Disa aspekte, që theksohen në këto rregullore, janë veçanërisht të rëndësishme: për shembull, të gjithë punonjësit e Selisë së Shenjtë e kanë të detyrueshme të denoncojnë rastet e abuzimeve, për të cilat kanë dijeni. Për këtë është ngritur një shërbim i veçantë, që duhet t’i mbledhë këto sinjalizime dhe duhet të ndjekë si viktimat e abuzimit, ashtu edhe familjarët, ose ata, që kanë nevojë të shoqërohen apo të ndihmohen për ta përballuar këtë çështje. Pra, Selia e Shenjtë mban qëndrim e kjo është mjaft e rëndësishme. Edhe parashkrimi i krimit, siç vendoset nga ligji i Shtetit, kalon në njëzet vjet nga çasti kur viktima mbush moshën 18-vjeçare, prandaj është rritur shumë, megjithëse për ligjin kanonik ky afat ekzistonte edhe më parë.

         Në vëllimin e botuar nga LEV (Shtëpia Botuese e Vatikanit), me titull “Vetëdijësimi dhe pastrimi”, ku përmblidhen aktet e Takimit për mbrojtjen e të miturve në Kishë, ju nënshkruani një kapitull si moderator i mbledhjes. Është fjala për rezultatin e diskutimeve në grupet e punës. Pse ky kontribut?

         Mendova se ishte shumë e rëndësishme që të bëhej një përmbledhje e punës së këtyre grupeve, sepse jashtë Takimit, ky aspekt nuk u bë i njohur, nuk kishte video të drejtpërdrejta të këtyre çasteve të simpoziumit, siç u bë me fjalimet e Atit të Shenjtë e me raportet e tjera. Por, ky është aspekt themelor, sepse në Simpozium, pjesëmarrësit nuk u kufizuan në dëgjimin e relacioneve, por u ballafaquan me njëri-tjetrin, shkëmbyen përvoja dhe ide e nuk dëgjuan vetëm ekspertët. Pikërisht falë gatishmërisë për të mësuar nga njëri-tjetri, u bënë hapa të mëdha përpara, duke pasur parasysh gjendjet dhe kulturat e ndryshme.

         Në paragrafin, që i kushtohet nevojës për t’u vetëdijësuar më shumë, për të mësuar procedurat e për t’u bërë të aftë në zbatimin e tyre në praktikë, ju flisni edhe për një dokument të shumëpritur: Udhëzimet për ipeshkvijtë, që duhet të botohet së shpejti nga Kongregata për Doktrinën e Fesë. Për çfarë është fjala?

         Tema e udhëzimeve për Konferencat Ipeshkvnore ka pothuajse një dekadë a më shumë, sepse Kongregata për Doktrinën e Fesë i pati kërkuar mendim çdo konference, për t’u dhënë ipeshkvijve një orientim të përbashkët. Gjithsesi, përgjegjësia për trajtimin e rasteve të abuzimit bie gjithnjë mbi ipeshkvin si individ. Shpesh janë vetë ipeshkvijtë, që ndihen ende të çorientuar për detyrat dhe procedurat, ose për gabimet që duhet të shmangin. Pra, Udhëzuesi do të jetë për ipeshkvin si të tillë, si individ i veçantë. Kështu, sqarohet se përgjegjësia nuk është vetëm e Konferencave në tërësi – sepse, ndoshta, në Konferencat e mëdha, ndonjë ipeshkëv mund të mënjanohet disi e të fshihet - por secili duhet të dijë si të reagojë, cilat janë detyrat e tij e sidomos, ta dijë se po nuk bëri gjithçka duhet në raste të tilla kaq të rëndësishme, bën mëkatin e neglizhencës, prandaj, mund e nganjëherë, edhe duhet proceduar kundër atij vetë.  Pra, Udhëzuesi është një hap i mëtejshëm, pikërisht sepse i drejtohet ipeshkvit si individ me përgjegjësi dhe e ndihmon ta marrë përsipër këtë përgjegjësi.

10 prill 2019, 15:35