Kërko

Cristiani cattolici nel mondo, cristiani in preghiera, persone che pregano Cristiani cattolici nel mondo, cristiani in preghiera, persone che pregano 

Papa Françesku: Lutje për të pesë gishtat e dorës

Lutja e thjeshtë e Papës Françesku Bergoglio për të pesë gishtat e dorës, që simbolizojnë përvujtërinë, thjeshtësinë, mirëkuptimin, vëmendjen ndaj të gjithëve. E edhe heshtjen e lutjen, aq e dashur për jezuitët.

R.SH. - Vatikan

E tani të nderuar miq të Vatican News - Radio Vatikanit, po lexojeni së bashku një lutje, shkruar nga Papa Françesku 15 vjet më parë, kur ishte ipeshkëv i Buénos Ájres. Kjo lutje na tregon vlerat, që i çmon më shumë Ati i Shenjtë Bergoglio, gjë që po e shikojmë çdo ditë. E janë: përvujtëria, thjeshtësia, mirëkuptimi, vëmendja për të gjithë. E edhe heshtja e lutjes, aq e dashur për jezuitët.

Sipas lutjes së thjeshtë të Papës Françesku Bergoglio

1. Gishti i madh është më pranë teje. Lutu, prandaj, së pari, për ata, që i ndjen më pranë. Janë njerëz, të cilët i kujtojmë më lehtë. Të lutemi për të dashurit tanë, është detyrë fort e ëmbël.

2. Gishti i dytë është treguesi. Lutu për ata që japin mësim, që edukojnë e mjekojnë. Për mësuesit, profesorët, mjekët, meshtarët. Kanë nevojë për ndihmë e urti, që të mund t’u tregojnë të tjerëve rrugën e drejtë. Mos harro t’i kujtosh në lutje!

3. Gishti, që vjen pas, është më i gjati. Të kujton ata, që qeverisin. Lutu, prandaj, për presidentin, për parlamentarët, për afaristët e drejtuesit. Janë njerëz që kanë në dorë fatet e atdheut tonë e që i prijnë opinionit publik. Kanë nevojë për udhëheqjen e Zotit.

4. Gishti i katërt është ai i unazës. Çuditërisht, ky është gishti më i ligshtë, siç mund të na e vërtetojnë mësuesit e pianos. Është aty për të të kujtuar se duhet të lutesh për njerëzit më të ligshtë, ata që kanë përballë sfida të mëdha, që janë të sëmurë. Kanë nevojë për lutjet tuaja, të ditës e të natës. Nuk është kurrë tepër të lutesh për ta. Ky gisht të fton të lutesh edhe për të gjithë ata, që mbajnë në të, unazën e martesës!

5. Arrijmë, kështu, së fundi, te gishti i vogël, më i vogli nga të gjithë, ashtu si duhet ta ndjejmë ne veten përballë Zotit e të afërmit. Si thotë Bibla: “Të fundmit do të jenë të parët!”. Gishti i vogël të kujton të lutesh për vetveten. Pasi të jesh lutur për gjithë të tjerët, do të mund të kuptosh më mirë edhe cilat janë nevojat tuaja.

13 prill 2019, 14:56