Gesù tradito - ultima cena - flagellazione di Gesù Gesù tradito - ultima cena - flagellazione di Gesù 

Lutje e heshtje në ditët e Mundimeve të Krishtit, akti më i lartë i dashurisë, që e bën njeriun të lirë

Treditëshi i Pashkëve, që nis sot, me Meshën e Darkës së Mbrame të Zotit Jezu Krishti. Është thelbi i gjithë vitit liturgjik – gurra e fesë. Thelbi qëndron në atë që bën Jezu Krishti me korpin e vet, përmes Eukaristisë: dhuratë para vdekjes, e cila mbetet e përsëritet, në mënyrë që vetë vdekja, kur vjen, e dhunshme e çnderuese, të mos jetë më fund i fundit.

R.SH. - Vatikan

Sipas traditës së përvitshme, Javën e Madhe të Pashkëve, Kisha kremton misteret qendrore të fesë së krishterë, mundimet, vdekjen mbi kryq dhe Ngjalljen e Jezu Krishtit. Pra, kulmi i tërë vitit liturgjik është pikërisht Treditëshi i Pashkëve, që nis sot, me Meshën e Darkës së Mbrame të Zotit Jezu Krishti. Është thelbi i gjithë vitit liturgjik – gurra e fesë. Në lutjen e në heshtjen, që i zënë vendin fjalës gjatë 72 orëve para Pashkëve, të krishterët, na kujton Kisha, e ndjekin Krishtin në orën e vetmisë e luten, që të marrin fund të gjitha vetmitë e botës. 

Asgjë tjetër, veç mistereve të fesë, që thurin Treditëshin e Pashkëve, nuk mund t’i përmbysë kategoritë njerëzore të kuptimit të jetës e të vdekjes, duke i dhënë thelbin risisë së krishterimit. Thelbi qëndron në atë që bën Jezu Krishti me korpin e vet, përmes Eukaristisë: dhuratë para vdekjes, e cila mbetet e përsëritet, në mënyrë që vetë vdekja, kur vjen, e dhunshme e çnderuese, të mos jetë më fund i fundit. Vdekja, përmes kësaj dhantie, shndërrohet në rrugë dashurie, që ia hap njeriut të gjitha portat drejt një jete të re. 

Prelud i kremtimeve prekëse të Treditëshit të Pashkëve, që besimtarët i ndjekin këtë fundjave në të katër anët e botës, është Mesha e Bagmit e së Enjtes paradite, gjatë së cilës, ipeshkvijtë e meshtarët përsërisin premtimet meshtarake. Një gjest i tillë merr gjithmonë e çdo vit një kuptim të veçantë. Të gjithë meshtarëve, Kisha u përsëris urimin dhe ftesën: lëreni Krishtin t’ju pushtojë e do të jeni edhe ju, në botën e sotme, lajmëtarë të shpresës, të dashurisë, të vëllazërimit, të pajtimit e të paqes.

Më pas, në mbrëmjen e së Enjtes së Madhe, bashkësitë e krishtera ndalohen para Çenakullit, që rijetohet në të gjitha Kishat e botës. Kremtojnë çastet më prekëse të historisë shumëshekullore të njerëzimit. Rreth sofrës së Çenakullit, kundrojnë si Jezusi themelon Eukaristinë e më pas, si bën gjestin kuptimplotë për çdo njeri, në të gjitha kohët, atë të larjes së këmbëve. Një akt i tillë për ungjilltarin përfaqëson gjithë jetën e Jezusit e zbulon dashurinë e tij, deri në fund të fundit, një dashuri e pakufishme, që e bën njeriun të aftë për t’u bashkuar me Zotin, që e bën të lirëDuke u nisur nga mbrëmja e së Enjtes së Madhe, fjalët reshtin, për t’ia lëshuar vendin lutjes së heshtur, e cila buron nga thellësitë e shpirtit e rikthehet në ato thellësi, ashtu si lutja që i larton Jezusi Atit në Gjetseman, në sa mbi të dynden hijet e Golgotës.

Para Eukaristisë, besimtarët kundrojnë Jezusin në orën e vetmisë e luten që të marrin fund të gjitha vetmitë e botës. Kjo udhë liturgjike është edhe ftesë për të kërkuar takimin e thellë me Zotin në lutje, për ta parë Jezusin ndërmjet atyre që janë vetëm, të mënjanuar, për të ndenjur zgjuar bashkë me Të e për të mësuar si shpallet drita me çdo çast të jetës. 

Vdekja mbi kryq e Jezusit, që kundrohet të Premten e Madhe,  lidhet në mënyrë të pazgjidhshme me Darkën e Mbrame. Në të parën, Jezusi jep Korpin e Gjakun e vet, domethënë, jetën e tij tokësore, vetveten, duke përshpejtuar vdekjen e tij e duke e shndërruar atë në një akt dashurie. Kështu vdekjen, që për vetë natyrën e saj, është fund i fundit, shkatërrim i çdo lidhjeje, Jezusi e bën akt të dhurimit të vetvetes, mjet shëlbimi e shpallje të fitores së dashurisë. Në këtë mënyrë Jezusi bëhet kyç, për ta kuptuar Darkën e Mbrame, çast i shndërrimit të vdekjes së dhunshme, në flijim vullnetar, në akt dashurie, që shpërblen e shëlbon botën.

Thelbi i darkës së lamtumirës, në të cilën Jezusi rrethohet nga të vetët, është çasti kur thyen bukën, ua jep dishepujve të vet, e ndan me ta kelkun e verës, duke e shoqëruar edhe me fjalë: themelon, kështu Eukaristinë. Jezusi i shikon Mundimet, Vdekjen dhe Ngjalljen e tij, duke qenë plotësisht i vetëdijshëm. Ai dëshiron ta jetojë këtë darkë së bashku me dishepujt e vet. Është një darkë krejt e pazakontë e, ndryshe nga të gjitha të tjerat, është darka e tij, në të cilën dhuron Diçka plotësisht të re: Vetveten. Në këtë mënyrë, Jezusi jeton Pashkët e tij, përshpejton Kryqin e tij e Ngjalljen e tij.

Në lutje, pastaj, tregon identitetin e vet e vendosmërinë për ta kryer deri në fund të fundit misionin, që i është ngarkuar, dashurinë e plotë, dhurimin pa kusht, kryerjen pa asnjë ngurrim, të vullnetit të Atit. Ai e dhuron jetën, para se t’ia marrin, e në këtë mënyrë, e shndërron vdekjen e vet të dhunshme, në dhurim: dhuron gjithë vetveten për të tjerët. Dhuna, që pëson, shndërrohet, kështu, në flijim aktiv, të lirë, shëlbues”.

Së fundi, shpërthimi i Alelujës! Kënga e hareshme thyen heshtjen e madhe të këtyre orëve e edhe heshtjen e ‘nënës së të gjitha netëve pa gjumë”, të Shtunën e Madhe, kur drita e Ngjalljes çan errësirën e vdekjes. Kisha, pra, këtyre ditëve të shenjta të Pashkëve, na nxit, prandaj, t’i jetojmë thellësisht këto ditë, në mënyrë që ta drejtojmë jetën, secili prej nesh, drejt bashkimit bujar e plot bindje me Krishtin, që vdiq e u ngjall për ne. Na shoqëroftë, në këtë shtegtim shpirtëror, Zoja e Bekuar. Ajo, që e ndoqi Jezusin gjatë Mundimeve e qe e pranishme tek këmbët e Kryqit, na shoqëroftë, për të hyrë sa më thellë në misterin e Pashkëve e për të provuar gëzimin dhe paqen e të Ngjallurit!

18 prill 2019, 17:13