Kërko

Monumentet ndriçuar me të kuqe për lirinë fetare në botë Monumentet ndriçuar me të kuqe për lirinë fetare në botë 

Liria fetare, në një dokument të ri të Komisionit Teologjik Ndërkombëtar

Dokumenti i ri i Komisionit Teologjik Ndërkombëtar është reflektim i thellë mbi lirinë fetare, në vijë me magjisterin e me traditën e Kishës Katolike.

R.SH. - Vatikan

“Liria fetare për të mirën e të gjithëve. Qasja teologjike ndaj sfidave bashkëkohore”: ky është titulli i dokumentit të ri të Komisionit Teologjik Ndërkombëtar, botuar sot, me miratimin e Papës Françesku. Teksti, i hartuar gjatë seancave plenare të Komisionit, nga viti 2014 deri në vitin 2018, ka në qendër të vëmendjes çështje aktuale si: të drejtën e njerëzve dhe të bashkësive për liri fetare, marrëdhëniet ndërmjet shteteve dhe lirisë fetare, kontributin e lirisë fetare për bashkëjetesën dhe paqen, lirinë fetare në misionin e Kishës. Gjithçka, në dritën e “Dignitatis Humanae”, deklarata e Koncilit II të Vatikanit mbi lirinë fetare, botuar nga shën Pali VI, papë, në vitin 1965.

Si të dëshmohet liria fetare

Dokumenti është reflektim teologjik 360 gradësh i Kishës Katolike mbi gjendjen e lirisë fetare në botë. Njëkohësisht, ai tregon edhe fushat konkrete, ku duhet ndërhyrë për të dhënë dëshmi efektive për lirinë fetare; jo vetëm duke e mbrojtur atë, por edhe duke e propozuar si model, si stil jete. Dokumenti përmbledh edhe mësimet e magjisterit të Kishës, gjatë viteve të fundit.

Liria fetare, shtyllë e bashkëjetesës njerëzore

Puna e Komisionit Teologjik Ndërkombëtar nuk lind nga ndonjë emergjencë e ditës. Koha katërvjeçare për hartimin e dokumentit tregon se ai i përgjigjet një nevojë tjetër: të sqarojë sa e rëndësishme është, në periudhën aktuale, të reflektohet më shumë mbi temën e lirisë fetare. Shprehet qartë ideja se Kisha Katolike, së bashku me shumë Kisha të tjera të krishtera, e konsideron lirinë fetare shtyllë të bashkëjetesës ndërmjet njerëzve. Në dokument kërkohet të shmanget instrumentalizimi politik. Kisha Katolike, si gjithnjë, hyn në dialog me pushtetin politik, mbi bazën e parimeve të sinqeritetit dhe të vërtetësisë. Sipas saj, ky pushtet nuk mund ta zgjidhë më problemin e lirisë fetare, duke e pranuar, ose duke e mohuar atë. Liria fetare nuk është diçka që deklarohet, por jetohet, duke i lejuar edhe të tjerët ta jetojnë.

Liria fetare duhet jetuar në bashkësi

         Pikë tjetër e rëndësishme e dokumentit është ushtrimi i lirisë fetare brenda bashkësive. Në tekst lexohet: “Përvoja fetare ruan planin e realitetit në të cilin shoqëria jeton bashkërisht dhe përballon kontradiktat karakteristike njerëzore (dashurinë dhe vdekjen, të vërtetën dhe të drejtën, të pakuptueshmen dhe të shpresueshmen). Nuk është fjala vetëm për të kujtuar se ka shumë të krishterë, që nuk mund ta ushtrojnë lirinë fetare në nivel bashkësie, por duhet sqaruar edhe se kjo u ndodh edhe naëtarëve të feve të tjera. Problemi është transversal, madje edhe në ato vende laike ku liria fetare mbrohet me ligj. Dokumenti shpreh shqetësime për mundësinë e pakësimit të lirisë fetare edhe në vendet liberale, që pohojnë se e mbrojnë atë, por jo deri në fund, me pretekstin e neutralitetit.

26 prill 2019, 15:42