Kërko

Krishti mbi Kryq Krishti mbi Kryq  

E Premtja e Madhe e Pashkëve – kulm i Mundimeve të Krishtit

Vdekja e Krishtit mbi Kryq i jep kuptim vuajtjes e ndriçon vdekjen. Të kundrosh fytyrën e masakruar të Krishtit të kryqëzuar: të Premten e Madhe të Pashkëve Kisha i ftoi të krishterët t’i sjellin sytë nga Ai, Jezu Krishti, që mori mbi vete gjithë mëkatet e ankthet tona njerëzore, e të lutemi posaçërisht për njerëzit që vuajnë ende sot botë.

R.SH. - Vatikan

Sot, të Premten e Shenjtë e të Madhe të Pashkëve, Ditën e dytë të Treditëshit të Pashkëve, Kisha kremton Liturgjinë e mundimeve e të vdekjes së Zotit tonë Jezu Krishtit mbi Kryq, kundron rrugën e dhimbshme të kalvarit të Krishtit deri në epilogun dramatik të vdekjes së tij mbi Kryq, adhuron Kryqin e Lumnueshëm e të Shenjtë të Shëlbuesit, i ofron besimtarëve ushqimin për Shëlbimin e tyre Kungimin e Shenjtë.

Me fjalë tjera, të Premten e Madhe Kisha me besimtarë të krishterë vihet para Krishtit të Kryqëzuar për të kundruar dashurinë e pakufishme shpëtimprurëse të Zotit për çdo njeri. E Premtja e Madhe e Shenjtë e Pashkëve përkujton ngjarjet dramatike që shkojnë nga dënimi me vdekje e deri te kryqëzimi i Krishtit. E Premtja e Madhe është ditë pendese, agjërimi e lutjeje, ditë e pjesëmarrjes sonë në Mundimet e Krishtit Zot. 

Bashkësia e krishterë, pra, sot e adhuron Kryqin dhe i afrohet Eukaristisë Shenjte: dy burimeve e të mirave që na kanë çliruar nga armiqësia, errësira e mëkati dhe na kanë pajtuar me Zotin e ofruar shpëtimin e amshuar.

Kështu sot pasdite, në ora 17.00 në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, Papa kryeson kremtimet e Liturgjisë së Fjalës së Zotit, me rrëfimin e Mundimeve të Jezu Krishtit Zot, adhurimin e Kryqit të Krishtit dhe ritin e Kungimit Shenjtë.

Po sot, në ora 21.15, pranë amfiteatrit romak, Koloseut, mbahet rikujtimi i Mundimeve Jezu Krishtit, Udha e Kryqit me Papën, pamjet e së cilës përshkojnë rrugët e planetit përmes mondovizionit. Udha e Kryqit do të përshkohet në Koloseum, duke ndjekur 14 Stacionet tradicionale. 

E Premtja e Madhe e Pashkëve – kulm i Mundimeve të Krishtit . Vdekja e Krishtit mbi Kryq i jep kuptim vuajtjes e ndriçon vdekjen.

Të kundrosh fytyrën e masakruar të Krishtit të kryqëzuar: të Premten e  Madhe Kisha i ftoi të krishterët t’i sjellin sytë nga Ai, që mori mbi vete gjithë mëkatet e ankthet tona njerëzore, e të lutemi posaçërisht për njerëzit që vuajnë ende sot botë. Fytyra e Krishtit sot  pasqyrohet në fytyrën e çdo njeriu të poshtëruar, të fyer, të sëmurë, të vuajtur, të vetmuar, të braktisur e të flakur padrejtësisht nga radhët e shoqërisë njerëzore. Udha që bëri dymijë vjet më parë Krishti, duke u ngjitur në Kalvar deri mbi Kryq, është pasqyrë e udhës së njerëzimit në shekuj dhe pasqyrë e gjallë e dhimbjes në botën e sotme. 

E Premtja e Madhe e Pashkëve përkujton Mundimet dhe Vdekjen e Zotit tonë, Jezu Krisht mbi Kryq. Por, si duhet ta kuptojmë vdekjen e Krishtit në kryq?

Vdekja e Zotit mbi kryq është një mister aq i madh, sa s’ka fjalë që mund ta shpjegojë. Nuk mjaftojnë shekujt për ta shpjeguar, sepse është një paradoks që tregon dashurinë e Zotit. Në të vërtetë Jezusi thotë: “Gjithçka u krye…”, sepse në këtë çast përmbushet e gjithë historia e shëlbimit - e Gjoni thotë: “Duke i pasë dashur të vetët që ishin në botë, i deshi deri në fund të fundit”. Kryqi, vdekja e Jezusit, flet pikërisht për këtë dashuri, që arrin deri në një kulm të padëgjuar…

Shumë është folur këto mëse 2000 vjet për flijimin e Jezus Krishtit në kryq, madje ka lindur edhe pyetja: A nuk mund të përmbushej shëlbimi në një mënyrë tjetër, ndoshta më pak të dhunshme?

Po, është e vërtetë; por pikërisht në ditët tona, një studiues i madh ka vënë në dukje se vdekja e Krishtit, gjaku i Krishtit, nuk është pjesë e kësaj dhune, sepse flijimi i Jezusit është flijim i viktimës së pafajshme, që u ngarkua me mëkatet e botës, ndryshe nga zakoni njerëzor për t’i ngarkuar mëkatet e veta mbi shpatullat e të tjerëve. Jezusi bëri të kundërtën e asaj që bëjnë zakonisht njerëzit. I ngarkoi mëkatet e të tjerëve mbi shpatullat e veta. Prej këndej vdekja e Jezusit ka këtë kuptim të thellë: shpesh fenë duhet ta pranojmë, më shumë sesa ta arsyetojmë.

Gjithsesi e keqja mbetet një mister i thellë, që vijon të na shkandullojë. Pse nuk na e shpjegoi Zoti?

Zoti bëri diçka më të mirë, sesa ta shpjegonte të keqen, domethënë nuk erdhi të na japë, në Krishtin, shpjegime diturake mbi të keqen – këtë mund ta bëjnë edhe filozofët, madje edhe e kanë bërë – por erdhi për ta marrë mbi vete gjithë të keqen e botës e për të fituar mbi të me të kundërtën, që është dashuria, prandaj Zoti ka dhënë një shenjë të gjithëpushtetit të tij, të cilin ne nuk do të kishim mundur kurrë as ta përfytyronim. Gjithëpushteti i Zotit nuk qëndron në dëbimin e së keqes përjashta kufijve të botës, por në diçka shumë më të madhe, në shndërrimin e së keqes me të mirë, e pikërisht këtë bëri Krishti në kryq: e shndërroi nga brenda të keqen në të mirë, shndërroi urrejtjen në dashuri e padrejtësinë në shenjtërinë e në drejtësinë më të lartë.

Shumë nuk e kanë kuptuar, madje edhe janë shkandulluar, nga britma e Jezusit në Kryq: “Zoti em! Zoti em! Pse më ke lëshua doret!... ç’kuptim ka kjo britmë?

Mbi të gjitha, duhet të kujtojmë se ky është fillimi i një Psalmi, e kur një hebre intononte një Psalm, kishte parasysh gjithë psalmin, prandaj ky Psalm përfundon edhe me lumni, përfundon duke folur për Shërbëtorin që ka vuajtur! Sigurisht kjo britmë që Shpirti Shenjt e vuri në buzët e Jezusit, tregon se Krishti, si njeri, provoi atë që mistikët e quajnë prova e skëterrës, dmth mungesën e Zotit. Jezusi si njeri deshi të bëhej solidar me ne deri në kulmin e dhimbjes. E kulmi i dhimbjes nuk është fizik, kulmi arrin kur Zotit hesht, kur Zoti të lëshon dore! Sigurisht e dimë se në këtë çast Ati qiellor e shtrëngonte Jezusin ndër krahë më fort se asnjëherë tjetër gjatë jetës së tij, por Jezusi, si njeri, provoi edhe largimin e Zotit, dmth dënimin e atyre që e kanë bjerrë shpirtin!

19 prill 2019, 10:35