Predikimi V i Kreshmëve Predikimi V i Kreshmëve 

Kreshmë. Atë Cantalamessa: Gjoni e Pali, dy këndvështrime mbi misterin e Krishtit. Shembulli i Nënë Terezës.

Bota rrënqethet duke parë vrimën e zezë në gjithësi, që vërteton teorinë e relativitetit të Einstein. Ngjarje epokale - kujton predikatari papnor, atë Cantalamessa. Por ka një relativitet pambarimisht më të rëndësishëm: Zoti!

Gjoni e Pali, dy reflektime të fesë, në dy çaste të ndryshme historike. Një dicotomi, e cila kompozohet e na ndihmon ta kuptojmë Besëlidhjen e Re dhe historinë e teologjisë, duke e kapërcyer “gabimin fatal” që na nxit ta shikojmë përçarjen në vetë origjinën e krishterimit. Kjo, pikënisja dhe filli i kuq, që përshkon gjithë Predikimin e pestë të Kreshmëve të atë Cantalamess-ës, në praninë e Papës Françesku dhe të Kuries Romake:

“Dy perspektivat, ajo paoline e ajo gjoniane, ndonëse themelohen së bashku (si Besojma Niceno-Costantinopolitane), ruajnë theksimin e tyre të ndryshëm, si dy lumenj që, duke u derdhur njëri tek tjetri, ruajnë për një copë herë të gjatë ngjyrën e ndryshme të ujërave të tyre. Teologjia dhe përshpirtëria ortodokse themelohen kryesisht mbi Gjonin; ajo perëndimore (protestante, më parë se ajo katolike), kryesisht mbi Shën Palin”.

Gjoni e Pali, dy shikime të ndryshme mbi misterin

Dy shikime mbi misterin e Krishtit, duke u nisur nga dy mënyra të ndryshme të kapjes së problemit e duke pasqyruar dy çaste të ndryshme historike:

“Për Palin, në qendër të vëmendjes nuk është aq Vetja e Krishtit, kuptuar si realietet ontologjik, por veprimtaria e Krishtit, domethënë Misteri i Pashkëve, i vdekjes dhe ngjalljes së Zotit. Njeriu nuk shëlbohet aq duke besuar se Jezusi është Bir i Zotit, i ardhur me korp e gjak, sa duke besuar në Krishtin ‘që vdiq për mëkatet tona e u ringjall për shfajsimin tonë’ (krh Rom 4,25). Ngjarja qendrore nuk është mishërimi, por misteri i Pashkëve. Gjoni bën një hop vendimtar mbrapa, duke mos e vendosur më Krishtin në kohë, por në amshim: ‘Në fillim ishte Fjala, e Fjala ishte pranë Hyjit, e fjala ishte Hyji’”.

Kryqi, dija dhe fuqia e Hyjit

Duke vijuar meditimin, atë Cantalamessa foli “për Krishtin e Palit që, mbi kryq, ia ndryshon krejt fatin e njerëzimit”. Duke cituar Letrën e Parë drejtuar Korintianëve, flet “për risinë në veprimin e Zotit”:

“Apostulli flet për një risi në mënyrën si vepron Zoti, gati-gati, për ndryshim të hapit e të metodës. Bota nuk diti ta njohë Zotin në shkëlqimin e urtinë e krijimit: atëhere Ai vendosi të dëftohet në një mënyrë krejt të kundërt, përmes ligështisë e marrëzisë së kryqit. E nuk mund ta lexojmë sot këtë pohim të Palit, pa kujtuar thënien e Jezusit: ‘Po të falem nderës, o Atë, Zot i qiellit e i tokës, sepse ua fshehe të diturve këto sende e ua zbulove të vegjëlve” (Mt 11,25).

Duke cituar Luterin, Karl Bath e Benediktin XVI, atë Cantalamessa rikthehet tek fjalët e Apostullit të Popujve i cili, në Letrën drejtuar Romakëve, shpjegon kuptimin e Kryqit të Krishtit:

“E njëmend, ndërkohë, kur ne ishim të pafuqi, Krishti, në kohën e duhur, vdiq për keqbërësit. E pra, vështirë do të pranonte kush të vdesë për një njeri të drejtë ‑ ndoshta për ndonjë njeri të mirë ndokush edhe do të merrte guxim të vdesë. Por Hyji e dëftoi dashurinë e vet kundrejt nesh kështu: ndërsa ne ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne”.

Zoti i krishterë, pushtet i pakufizuar në fshehje

Por ç’qe ajo gjë aq e rëndësishme, që ndodhi në kryqin e Krishtit aq, sa ta bëjë çast kulmor të zbulesës së Zotit të gjallë të Biblës? Kësaj pyetjeje, predikatari papnor iu përgjigj me frazën e teologut Barth: “me atë durim të padurueshëm mbi kryq, Zoti i bind njerëzit për dashurinë e tij të jashtëzakomshme dhe i bën përsëri për vete:

“Krijesa njerëzore kërkon instinktivisht një Zot të pushtetshëm. Titulli, që vjen sakaq pas emrit të Zotit, është gati përherë ‘i gjithëpushtetshëm’. E ja se, duke hapur Ungjillin, ftohemi të kundrojmë mungesën absolute të pushtetit të Zotit mbi Kryq. Ungjilli na dëfton se gjithëfuqia e vërtetë, është pafuqia e Kalvarit. Duhet pakëz pushtet për t’u dukur, por edhe më shumë për t’u zhdukur, për t’u bërë fare i padukshëm. Zoti i krishterë është pikërisht kjo fuqi e pakufishme e fshehjes së vetvetes”.

Përgjigjja jonë

Atë Cantalamessa bën një pyetje, së cilës i përgjigjet duke cituar Ungjillin si dhe Shën Palin:

“Cila do të jetë përgjigjja jonë përballë misterit që kemi kundruar e që liturgjia na bën ta rijetojmë gjatë Javës së Madhe? Përgjigjja e parë dhe themelore është ajo e fesë. Jo e një feje të çfarëdoshme, por e fesë të cilën e  bëjmë tonën, asaj, që Krishti e fitoi për ne. Fesë, që ‘rrëmben’ Mbretërinë e Zotit (Mt 11,12). Apostulli e përfundon tekstin nga i cili u nisëm, me këto fjalë: Krishti Jezus […] për ne u bë dije, në mënyrë që asnjë njeri të mos mburret para Hyjit. Po,… Krishti Jezus u bë për ne dije që vjen prej Hyjit, drejtësi, shenjtërim dhe shpërblim që, siç thotë Shkrimi i Shenjtë: ‘Kush mburret, le të mburret në Zotin’” (1 Kor 1.30-31).

Përngjasimi me Krishtin

“Në krijim, Zoti e dëshmoi dashurinë e tij për ne, duke na mbushur me dhurata: na dhuroi natyrën me madhështinë e saj, jashtë nesh, inteligjencën, kujtesën, lirinë dhe të gjitha dhantitë e tjera, që i kemi në shpirt. Por nuk i mjaftoi gjithë kjo. Në Krishtin deshi të vuajë me ne e për ne. Kështu ndodh edhe ndërmjet krijesave. Kur lind dashuria, ndjehet menjëherë nevoja për ta shprehur, duke i bërë dhurata të dashurit a së dashurës. Këtë bëjnë zakonisht të fejuarit. E ne e dimë si shkojnë mandej punët; sapo martohen, nisin kufizimet, vërehen vështirësitë, duken ndryshimet e karaktereve. E nuk mjaftojnë më dhuratat: për të shkuar përpara e për ta mbajtur të gjallë martesën, do mësuar ta mbartësh barrën e njëri-tjetrit, të vuash njëri për tjetrin e njëri me tjetrin”.

Nënë Tereza na tregon ç’do të thotë të vuash për Zotin

Ashtu si në martesë, imitimi i mënyrës si vepron Zoti vlen edhe për ata, që i kushtohen Atij të Lumit. E në këtë drejtim - theksoi predikatari – nuk mund të mos kujtojmë shembullin e Nënë Terezës, në të cilën “shihet qartë ç’do të thotë të kalosh nga veprimtaria për Zotin, në vuajtjen për Zotin e për Kishën”. Udhë e vështirë, por për fat - përfundoi Atë Cantalamessa – Jezusi mbi kryq nuk na dha vetëm shembullin e kësaj dashurie të re; na krijoi edhe mundësinë ta bëjmë tonën, ta përvetësojmë përmes fesë e sakramenteve. Gurron, prandaj, nga zemra jonë, gjatë Javës së Madhe, brohoria e Kishës:

“Të adhurojmë, o Krisht, e të bekojmë, pse me Shenjtin Kryqin tënd shpërbleve botën mbarë!”.

12 prill 2019, 14:35