Kërko

Risurrezione Michelangelo giudizio Risurrezione Michelangelo giudizio 

Me Krishtin e Ngjallur, jeta dhe historia marrin një kuptim të ri

Ishte një Engjëll ai, që u dha zemër grave të cilat, posa arritën tek Varri i Jezusit, mbretën të habitura e të shqetësuara pa masë, sepse e gjetën të hapur e të zbrazur. E jashtëzakonshme domethënia e asaj që ndodhi. Engjëlli i tha: “Mos kini frikë!...është ngjallur, nuk është këtu, E tani, shkoni e kumtojani këtë lajm Apostujve”.

R.SH. - Vatikan

Ishte një Engjëll ai, që u dha zemër grave të cilat, posa arritën tek Varri i Jezusit, mbretën të habitura e të shqetësuara pa masë, sepse e gjetën të hapur e të zbrazur. E jashtëzakonshme domethënia e asaj që ndodhi. Engjëlli i tha: “Mos kini frikë!...është ngjallur, nuk është këtu, E tani, shkoni e kumtojani këtë lajm Apostujve”. Këto fjalë të Engjëllit, të cilat i dëgjojmë përsëri e gjithnjë me emocion të brendshëm, kanë vlerë të madhe edhe për ne. Me ngjalljen e Krishtit gjithçka ndryshon: jeta dhe historia fitojnë domethënie të re.

Na e kujton këtë predikimi i shën Pjetrit Apostull drejtuar turmave të Jerusalemit. Thjeshtë e qartë Pjetri pohon se “Krishti i kryqëzuar është gjallë, është ngjallur dhe ne të gjithë jemi dëshmitarë!” Që atëherë, Kisha nuk ka pushuar së shpalluri këtë Lajm të Mirë. Është urgjente që të gjithë njerëzit ta njohin e ta takojnë Krishtin, të kryqëzuar e të ngjallur, e ta lëshojnë veten plotësisht në duart e Tij. Atyre, të cilët e mirëpresin, Ai ua mbush zemrën me gëzimin e vërtetë, që e bën të re, të bukur e të pasur me shpresë jetën njerëzore.

E Diela e Pashkëve, është një ditë krejtësisht e veçantë, që shtrihet në të gjithë hapësirën e kësaj jave, deri të dielën e ardhshme, duke formuar kështu Tetëditshin e Pashkëve. Në atmosferën e gëzimit të solemnitetit, liturgjia e sotme na çon te varri i Krishtit, ku kishin shkuar Maria e Magdalës dhe Maria tjetër, të nxitura nga dashuria e pakufishme për Jezusin.
Ungjilltari tregon se Krishti iu afrua grave e u tha: “Mos kini frikë! Shkoni e lajmëroni vëllezërit e mi të më presin në Galile.

Edhe neve sot, ashtu si këtyre grave që nuk iu ndanë Jezusit në orën e mundimeve, i Ngjalluri na përsërit të bëhemi, pa frikë, lajmëtarë e t’i kumtojmë mbarë botës lajmin e ngjalljes së Tij. S’ka pse të trembet ai që e takon Jezusin e ngjallur dhe e lëshon vetveten në duart e Tij. Kisha, pra, i porosit gjithë të krishterët ta përhapin në të katër anët e botës këtë lajm të madh, që ia ndryshoi rrjedhën historisë njerëzore. Ky është mesazhi që të krishterët janë të thirrur ta përhapin deri në kufijtë më të largët të botës. Feja e krishterë nuk lind nga pranimi i një doktrine, por nga takimi me një Vetje, me Krishtin e ngjallur.

Galdimi i Pashkëve gëzon posaçërisht Zojën e Bekuar, e cila pësoi bashkë me Krishtin provën e rëndë të Mundimeve e të vdekjen me kryqëzim. T’i lutemi Virgjërës Mari ta bëjë gjithnjë më të fortë besimin tonë në Ngjalljen e Jezu Krishtit Zotit tonë, duke na udhëhequr që ta dëshmojmë në angazhimin e përditshëm, këtë mesazh të gëzueshëm e themelor të Pashkëve: Krishti u Ngjall! Aleluluja! Vërtetë u Ngjall, Aleluja!.

21 prill 2019, 17:09