Kërko

 Kardinali Pietro Parolin Kardinali Pietro Parolin 

Kardinali Parolin: sot të krishterët në botë persekutohen

Përfundoi në Firence, në Bazilikën e Shën Miniatit mbi Mal, edicioni IV i “Festivalit të Feve”. Kulmi i kremtimit ishte takimi ekumenik i djeshëm i kardinalit Pietro Parolin me patrikun Karekini II. Intervistë e sekretarit të Shtetit të Vatikanit.

R. SH. - Vatikan

Qëllimi i Festivalit ishte të flitej për fetë e për ndikimin e tyre mbi shoqëritë, për të ngjallur interesimin e ateistëve e të besimtarëve, laikëve e klerikëve. Veprimtaria kryesore e këtij edicioni të katërt të manifestimit, ishte takimi ekumenik i Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin, me patrikun Karekini II, Catholicos i të gjithë armenëve. Kisha apostolike armene rrjedh nga bashkësitë e para të krishtera dhe është nga më të lashtat në botë: dëshmitë e para të krishterimit në Armeni nisin që në shekullin I, kur në këto vise shkelën apostujt Tadeu e Bartolomeu. Ishte, prandaj, një takim, që përmblidhte dymijë vjet histori, traditë, bashkim. E edhe zgjedhja e Shën Miniatit nuk qe e rastit: Bazilika e shquar fiorentine mban emrin e protomartirit Miniato, mbret i ardhur nga Armenia e i mbytur në Firence nga perandori Deccio, në kohët e persekutimit të të krishterëve, aty nga gjysma e shekullit III.

Mbyllja e Portës Shenjte të Shën Miniatit

Dje pasdite u mbyllën zyrtarisht edhe kremtimet e Mijëvjeçarit të Shën Mianiatit mbi Mal. Kremtimi i liturgjisë dhe i mbylljes së  Portës Shenjte, hapur më 27 prill 2018, nga kryeipeshkvi i Firences, kardinali Betori, u kryesua nga kardinali Parolin. Me mbylljen e Portës, përfunduan dhe  kremtimet  për njëmijëvjetorin e abacisë benediktine.

Në përfundim të paradites së djeshme, ngarkuar me veprimtari, sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Parolin, kujtoi përsëri tematikat e këtij edicioni të katërt të Festivalit të Feve, që u mbajt në Firence:

A ka akoma kohë për fenë, në shoqërinë bashkëkohore?

“Do të thosha se në shoqërinë bashkëkohore ndjehet akoma më shumë nevoja për fenë, pikërisht sepse ekziston rreziku që njeriu të ndjehet i humbur; kur mbyllet transhendenca, kjo mund ta çojë njeriun drejt dështimit! Shumë britma alarmi, që ngrihen nga të katër anët e botës, e tregojnë qartë këtë. Sepse feja është shëlbim, feja e shpëton njeriun në përmasën e  tij të gjithanshme”.

Takimi ndërmjet feve të ndryshme sot duket gjithnjë më i vështirë. Pse?

“Po, por nuk e besoj, sepse takimi ndërmjet feve të ndryshme vijon prej shumë kohe, është një dialog i tërë ndërfetar, që përpiqet t’i bashkojë fetë  e t’i bëjë të bashkëpunojnë në një mori projektesh, me dobi të përbashkët e me shërbim të përbashkët. E ndoshta, vështirësia lind në çastin kur jemi përballë fundamentalizmave… Kjo i pengon fetë të dialogojnë, por kur kërkohet sinqerisht e mira e të gjithëve dhe e secilit, besoj se fetë mund  të takohen, të gjejnë një mori pikash takimi, posaçërisht praktike"

A mund të flitet për martirizimin e ri të të krishterëve?

“Besoj se po! Sot të krishterët persekutohen në shumë vise të botës. E unë mendoj gjithnjë se Ungjilli dhe Jezusi i përshkruajnë përherë kushtet e jetës së dishepujve, si kushte persekutimi, refuzimi nga ana e botës".

Ju mbrëmë mbyllët Portën Shenjte të Shën Miniatit; ç’mbetet pas kësaj përvoje mijëravjeçare?

“Mbetet tradita e madhe murgare - për t’u rikthyer tek pyetja e parë, që më bëtë - parë si kërkim i Zotit, për shpëtimin e njeriut. Murgjërit ishin edhe mësues të mëdhenj e mjeshtra të mëdhenj të qytetërimit. Ditën të krijojnë qytetërime të mirëfillta, pikërisht duke u nisur nga lidhja e tyre e ngushtë me Zotin. Kjo mbetet!”.

Evropa është në krizë, sepse evropianët e kanë humbur kuptimin e vërtetë të fesë?

“Natyrisht, humbja e kuptimit fetar, humbja  e mbështetjes  në Zotin, është një nga karakteristikat e shoqërisë sonë. Për ne, edhe një nga shkaqet e krizës së Evropës, pikërisht sepse ato, që duhet të ishin vlerat themelore, kanë qenë gjithnjë vlerat e frymëzimit të krishterë. Kur mungon Zoti, mungojnë edhe këto vlera e atëhere ja, kriza!".

28 prill 2019, 13:16