particolare ultima cena di Leonardo Da Vinci, Giacomo Raffaelli, Vienna particolare ultima cena di Leonardo Da Vinci, Giacomo Raffaelli, Vienna 

Java e Shenjtë e Pashkëve dhe mesazhi i saj

Kisha Shenjte Amë kremton misteret e Dhëndrit të vet Shpërblyes. Ngjarjet e Javës së Shenjtë të Pashkëve i nxisin të krishterët, sipas shembullit të Jezu Krishtit, të bëhen apostuj të paqes e të dashurisë në një botë shpesh të dhunshme e të paaftë për të falur e për t’u pajtuar me Zotin dhe të afërmin.

R.SH. - Vatikan

Java e Shenjtë e Pashkëve dhe mesazhi i saj. Me të Dielën e Larit, besimtarët katolikë filluan Javën e Madhe të PashkëvePo çfarë kuptim ka kjo ‘Javë’ e cila është domethënia e ditëve të saj, që shënojnë kulmin e vitit liturgjik të Kishës ? 

Domethënia është se Kisha Shenjte Amë kremton misteret e Dhëndrit të vet Shpërblyes. Jezu Krishti zbriti mbi tokë dhe u Mishërua për dashurinë e për shëlbimin tonë. Na shpëtoi me gjithë jetën e Tij: me mrekullitë, me predikimet por në mënyrë të posaçme, me mundimet, me vdekjen dhe ngjalljen e Tij. Këtë kremtojmë gjatë Javës së Madhe të Pashkëve që posa kemi filluar. 

E dimë se kremtimi Eukaristik i Meshës Shenjte është një riparaqitje e mistereve të Krishtit që mundohet, vdes e ngjallet; e flijimi i Kryqit është ora e Jezusit. Çdo i krishterë, çdo katolik e rijeton këtë flijim, kremton me Kishën, në Kishë, bën përpjekje për t’i lexuar e kundruar misteret e fesë së krishterë përmes riteve liturgjike, para se të niset drejt Kishës, për t’i ndjekur pastaj më mirë, për të marrë pjesë më me përshpirtëri.

Pjesëmarrja nuk është thjeshtë veprimtari e jashtme rituale: në radhë të parë është bashkim shpirtëror me Krishtin dhe me Kishën. Natyrisht çdo besimtar kërkon më parë të rrëfehet, ta marrë në zemër Jezusin Eukaristi, të vihet për udhë të dashurisë së bashku me Kishën, së bashku me të Lumen Mari, gjithmonë Virgjër, që ishte pranë Krishtit kudo, posaçërisht mbi Kalvar e pranë Kryqit. Vihet për udhë edhe me Apostujt. 

Kush nuk e kupton Javën e Madhe të Pashkëve, nuk e kupton krishterimin; kush nuk merr pjesë në ritet kishtare që na përkujtojnë e kremtojnë misteret e fesë, është tepër i cektë në jetën e krishterë. E kjo, sepse Pashkët i japin kuptim çdo Meshe, çdo Eukaristie e kremtimi tjetër, posaçërisht kremtimit të Meshës çdo të diele që ne kremtojmë në ditën e parë të javës. E ditën e parë të javës, jo më të shtunën, por të dielën - ne e kremtojmë si Ditën e Zotit, si Ditën e Ngjalljes së Krishtit. S’kemi jetë pa të dielën – kanë thënë martirët e Abitenes, në Afrikën veriore. Ja, pra, kuptimi i Javës, që është zemra e vitit liturgjik të Kishës. 

Në atmosferën e shenjtë të kësaj Jave të Pashkëve, është e trishtueshme të mendosh se për disa njerëz Pashkë do të thotë vezë të kuqe, shëtitje në det, vizita në shtëpitë e miqve, udhëtime pa fund, shëtitje në mal, ndeshje sportive, ngujim para televizorit…. Të gjitha këto gjëra janë të mira, nuk janë të këqija. Por sigurisht nuk janë zemra e Pashkëve. Zemra e thelbi i Pashkëve është pjesëmarrja në kremtimet e mistereve të Krishtit, të pranishme në liturgjinë Kishtare. Secili nga ne duhet ta programojë gjithçka tjetër rreth kremtimit të këtyre mistereve, përfshirë këtu edhe pushimin.

Kujtojmë edhe hiret e posaçme që fitohen duke marrë pjesë me gjithë shpirt në kremtimet e Javës së Madhe. Si gosti shpirtërore rreth sofrës së Zotit, Jezusi na ushqen me fjalën e tij, me sakramentet e tij, me Korpin e Gjakun e tij, na ushqen edhe me shoqërinë e mbarë bashkësisë së krishterë, sepse Zoti nuk na shpëtoi si një njeri i vetëm, por edhe si bashkësi. Kemi nevojë për të tjerët: për të qenë bashkë. 

Po t’i vështronim nga afër ritet e shenjta dhe simbolet e liturgjisë së kësaj Jave të Madhe të Pashkëve, askush nuk mund të thotë se gjithë këto pamje nuk flasin vetë për dashurinë e pakufishme dhe shëlbimprurëse të Jezu Krishtit Zot, figurën dhe veprën e të cilit, pikërisht përmes riteve e simboleve liturgjike e fetare të kësaj Jave të Shenjtë, që Kisha na propozon në një mënyrë krejt të veçantë, duke na ftuar të marrim pjesë në misteret e shëlbimit shpirtëror. 

Prandaj ngjarjet e Javës së Shenjtë të Pashkëve i nxisin të krishterët, sipas shembullit të Jezu Krishtit, të bëhen apostuj të paqes e të dashurisë në një botë shpesh të dhunshme e të paaftë për të falur e për t’u pajtuar me Zotin dhe të afërmin. Kështu, Kisha na fton të përgatitemi për Pashkë me një rrëfim të mirë, detyrë e rëndësishme kjo, që na jep mundësinë ta rifillojmë përsëri jetën tonë në Zotin, të kemi realisht një fillesë të re në gëzimin e të Pashkëve e në bashkimin e faljes, dhuruar nga Krishti i Ngjallur.

15 prill 2019, 17:20