Kërko

cappella redemptoris mater nella ii loggia del palazzo apostolico in vaticano cappella redemptoris mater nella ii loggia del palazzo apostolico in vaticano 

E Hëna e Engjëllit: Krishti Ngjallur përuron një jetë plotësisht të re

Sot është dita e dytë e Pashkëve, dita e dytë e Ngjalljes së Krishtit, e Hëna e Engjëllit, që zgjat galdimin e kumtimit të Pashkëve, prandaj edhe një herë të gjithëve urime: Për shumë vjet Pashkët të gjithëve! Krishti u ngjall! Aleluja!

E Hëna e Engjëllit të Pashkëve rrëfen: misteri i Krishtit Ngjallur përuron një jetë plotësisht të re.
Krishti Gjallë na nxit ta përhapim Ungjillin e Jetës në realitetin e jetës së përditshme.

Kёshtu, sot është dita e dytë e Pashkëve, dita e dytë e Ngjalljes së Krishtit, e Hëna e Engjëllit, që zgjat galdimin e kumtimit të Pashkëve, prandaj edhe një herë të gjithëve urime: Për shumë vjet Pashkët të gjithëve! Krishti u ngjall! Aleluja! Kremtimi i Pashkëve, pra, kremtimi i Krishtit të Gjallë shtrihet e zgjat liturgjikisht tërë javën, pas të Dielës së Pashkëve, e cila dikur quhej “In Albis” që do të thotë “Me të bardha”. Besimtarët vijojnë të kremtojnë edhe të Hënën pas të Dielës së Pashkëve, që njihet me emrin e Hëna e Engjëllit, duke e zgjatur kështu festën, gëzimin e së Kremtes më të madhe të vitit, atë të të Ngjallurit të Jezu Krishtit, ngadhënjimin e Tij mbi vdekje.

Po pse dita e parë pas Pashkëve quhet ‘e Hëna e Engjëllit’?

Ditën e Hënë të Engjëllit,  siç quhet dita dytë e Pashkëve tё Krishtit tё Gjallё, po ndalemi te domethënia e fjalës ‘Aleluja’, brohori që jehoi përsëri në Kishë në Natën e Pashkëve, pas ditëve të gjata të Krezhmëve. ‘Aleluja’, fjalë hebraike e njohur universalisht do të thotë ‘Lavdërojeni Zotin’. E në ditët e kohës së Pashkëve, kjo ftesë për lavdërim kalon nga goja në gojë, nga zemra në zemër.

Jehon përsëri kështu  duke u nisur nga një ngjarje krejt e re: nga vdekja e ngjallja e Jezus Krishtit. E po kujtojmë se për herë të parë Aleluja lulëzoi në zemrat e nxënësve e nxënëseve të para të Jezusit, ditën e Pashkëve në Jeruzalem. Na duket sikur i dëgjojmë edhe sot zërat e tyre, zërin e Marisë së Magdalës, e para që e pa Zotin Jezus të ngjallur në kopshtin pranë Kalvarit; zërat e grave, që e takojnë, ndërsa vraponin, të trembura e të lumtura, për t’u dhënë apostujve lajmin e varrit të zbrazët; zërat e dy dishepujve, që ecnin drejt Emmausit me fytyra të trishtuara e që më pas kthehen përsëri në Jeruzalem plot gëzim, sepse dëgjuan fjalën e tij dhe e njohën ‘në të thyer të bukës’. Pastaj zërat e njëmbëdhjetë Apostujve, që po atë natë e panë mes tyre në çenakull, e Ai, Krishti Ngjallur u tregoi plagët e gozhdave e të heshtës dhe u tha: “Paqja qoftë me ju!”. Kjo përvojë e shkroi një herë e përgjithmonë Alelujën në zemrën e Kishës

E në këtë kohë shpirtërore e liturgjike të Pashkëve, në mesditë, të krishterë lusin uratën që zë vendin e lutjes së Engjëllit të Tënzot, është fjala për antifonën mariane të Mbretëreshës Qiellore. Teksti, krejt i shkurtër, ka formën e një kumtimi: është si një lajm i ri që i vjen Marisë, të cilin këtë herë nuk e sjell Engjëlli, por të krishterët, që e ftojnë të gëzohet, sepse i Biri Jezus, që e mbajti në prehër, u ngjall, ashtu siç kishte premtuar. 

Në të vërtetë, ‘gëzohu’ ishte fjala e parë që i drejtoi Marisë Lajmëtari (Engjëlli) qiellor në Nazaret. E kishte këtë kuptim: ‘Gëzohu, o Mari, sepse Biri i Hyjit është duke u bërë njeri në Ty! . E tani, në Kohën e Ngjalljes, pas dramës së Mundimeve, jehon përsëri ftesa për t’u gëzuar: Gaude et lǽtare, Virgo Maria, alleluia, quia surrexit Dominus vere, alleluia” – Gëzohu e ngazëllehu, o Virgjër Mari, aleluja, sepse Zoti vërtetë u ngjall, aleluia!

Prandaj, Kisha përmes lutjes së Mbretëreshës Qiellore, i ftoi të gjithë besimtarët t’i hapin zemrat, që Aleluja e Pashkëve  të Krishtit të Ngjallur të lërë aty gjurmë të thella e të mos mbetet thjeshtë fjalë, por të bëhet shprehje e vetë jetës së secilit: jetë njerëzish që i ftojnë të gjithë të tjerët për të lavdëruar Zotin dhe e bëjnë këtë si njerëz ‘të rilindur’. Në përfundim të këtij reflektimi edhe një herë urime gjithëve: gëzuar të Hënën e Engjëllit e urime të gëzueshëm të Pashkëve: Për shumë vjet! 

Un besoj, o Zot i jem, o i Lumi Jezu Krisht, se Ti jé ngjallë së dekunit. Po, Ti e mujte deken, mkatin e ferrin. Gjith laudi e ndera të kjoftë ty, o Shelbues i hyjnueshem, per jetë të jetës, prej të tana krijatyrve qi janë në Qiellë e më tokë.

O i lumnueshmi Biri i Zotit, më bàn edhe mues pjestar në ket fitim e lumni t’ande; kshtù qi t’a vé edhé vetë nen kamë mkatin e të ngjallem në nji jetë kryekput të ré, si të pelqen Ty.

Po, o Shperblyes i hyjnueshem; per mue diqe e tash jé tuj ndejë në krah të djathtë t’Atit të Qiellvet.

M’a nep edhé mue hirin, qi të jetoj per Ty, mas vullndese s’ate, per me mujtë me i myllë ditët e jetës s’eme në hìr e në dashtnì hyjnore t’ande. (uratë e lashtë nga visari i uratëve – doracakë lutjesh  në gjuhën shqipe) !

22 prill 2019, 10:00