Kërko

Vatican News
Këshilli i Kardinajve me Papën Françesku Këshilli i Kardinajve me Papën Françesku 

Gisotti: urohet që Kushtetuta e re Apostolike të publikohet brenda vitit

Konferencë për shtyp e drejtorit të përkohshëm të Sallës së Shtypit të Vatikanit, Alessandro Gisotti, për mbledhjen XXIX të Këshillit të Kardinajve me Papën Françesku. Takimi përfundoi sot dhe u mbajt kryesisht për Kushtetutën Apostolike, me titull të përkohshëm "Praedicate evangelium". Sesioni i ardhshëm do të mbahet më 25, 26 dhe 27 qershor 2019.

R.SH. - Vatikan

Përcaktimi i “procedurës për konsultim mbi Kushtetutën e re Apostolike”, “angazhimi për të forcuar procesin e sinodalitetit në Kishë” dhe “prania e grave në organizmat e Selisë së Shenjtë”: këto ishin temat, në qendër të mbledhjes së 29-të të Këshillit të Kardinajve me Papën Françesku, mbajtur nga 8 deri sot, 10 prill. Për këtë foli, në konferencën e tij për shtyp, drejtori i përkohshëm i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Alessandro Gisotti, duke theksuar se në seancat e ndryshme morën pjesë: kardinali Pietro Parolin, kardinali Óscar Andrés Rodríguez Maradiaga, kardinali Reinhard Marx, kardinali Seán Patrick O’Malley, kardinali Giuseppe Bertello dhe kardinali Osëald Gracias. Ishin të pranishëm edhe sekretari i Këshillit, imzot Marcello Semeraro, dhe zëvendës sekretari, imzot Marco Mellino. Takimi i radhës i Këshillit të Kardinajve do të mbahet më 25, 26 dhe 27 qershor.

Konsultim i gjerë

Gjatë tri ditëve, në seancat e paradites dhe të pasdites, u përcaktua procedura e konsultimit për Kushtetutën e re Apostolike, titulli i përkohshëm i së cilës, siç dihet, është “Praedicate Evangelium”. “Projekti, i miratuar nga Këshilli i Kardinajve, do t’u dërgohet kryetarëve të Konferencave Ipeshkvnore kombëtare, Sinodeve të Kishave Lindore, Dikasterve të Kuries Romake, Konferencave të Eprorëve të përgjithshëm rregulltarë dhe disa Universiteteve Papnore, të cilave do t’u kërkohen komente dhe sugjerime”.

Punimet e Këshillit vijojnë

         Alessandro Gisotti theksoi se janë trajtuar edhe çështje të tjera, si: “orientimi misionar i Kuries, në dritën e Kushtetutës së re Apostolike, angazhimi për të forcuar procesin e sinodalitetit në Kishë në të gjitha nivelet, nevoja për praninë më të madhe të grave në role drejtuese në organizmat e Selisë së Shenjtë”. Së fundi, u nënvizua se Këshilli i Kardinajve është organ, që ka për detyrë ta ndihmojë Papën në qeverisjen e Kishës universale, prandaj, funksioni i tij nuk përfundon me publikimin e Kushtetutës Apostolike, që shpresohet të bëhet e njohur benda vitit.

         Në mënyrë të veçantë, dje, kardinali O’Malley paraqiti para Papës dhe Këshillit, punimet e asamblesë së përgjithshme të Komisionit Papnor për Mbrojtjen e të Miturve, që u mbajt javën e kaluar. Prelati e falenderoi Atin e Shenjtë për Takimin vatikanas të shkurtit mbi “Mbrojtjen e të miturve në Kishë”, si edhe për publikimin e normave mbi Shtetin e Vatikanit, që përforcojnë impenjimin e Kishës kundër çdo forme abuzimi me të miturit dhe me të rriturit e pambrojtur.

10 prill 2019, 16:15