Kërko

ACS - Liria fetare ACS - Liria fetare 

Fondacionit “Ndihmë për Kishën që vuan”, çmimi “Path to peace”

Fondacionit “Ndihmë për Kishën që vuan” (Acs) do t’i jepet Çmimi “Path to peace” (Shtegu drejt paqes), dhënë çdo vit nga Misioni i Përhershëm i Selisë së Shenjtë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork dhe nga Fondacioni “Path to Peace”. Motivazioni: “mbështetja humanitare dhe baritore për të krishterët e persekutuar në mbarë botën”.

R.SH. - Vatikan

Njoftimi u dha sot, me një deklaratë të vetë Fondacionit, që ka ndihmuar shumë edhe Shqipërinë, sidomos menjëherë pas rënies së regjimit komunist. Vendimi iu komunikua nga imzot Bernardito Auza, Vëzhgues i Përhershëm i Selisë së Shenjtë në Kombet e Bashkuara dhe kryetar i Fondacionit “Path to Peace”, organizëm që mbështet Misionin e Përhershëm të Selisë së Shenjtë në OKB dhe promovon projekte në vendet në zhvillim. Edhe imzot Auza, kur ka qenë meshtar i ri, ka vazhduar studimet pikërisht në sajë të një burse të Fondacionit.

“Dhënia e Çmimit ‘Path to Peace’, Fondacionit ‘Ndihmë për Kishën që vuan’ përfaqëson njohjen e bujarisë së qindra mijëra bamirësve në gjithë botën - komenton Alessandro Monteduro, drejtor i selisë italiane të Acs. - Konfirmon edhe metodën tonë: të reagojmë ndaj tmerrit të persekutimit, me forcimin e bashkësive të krishtera që vuajnë. Kjo është rruga që kthen shpresën”. Kryetari ekzekutiv ndërkombëtar i Acs, Thomas Heine-Geldern, do ta marrë Çmimin më 22 maj, në Nju Jork.

Në edicionet e kaluara, Çmimi u është dhënë personaliteteve të rëndësishme, si nuncit apostolik në Siri, kard. Mario Zenari. Themeluar në vitin 1947, “Ndihmë për Kishën që vuan” financon çdo vit rreth 5500 projekte, në 140 vende. Në vitin 2018, ACS mblodhi më se 110 milionë euro, përmes 23 selive të saj kombëtare. Fondacioni ndërhyn veçanërisht në Lindjen e Mesme, sidomos në Irak e Siri, ku, nga viti 2011 deri më sot, ka financuar projekte për rreth 70 milion euro. Ato kanë kontribuar në mbijetesën e bashkësive të krishtera, kërcënuar nga Shteti Islamik.

17 prill 2019, 14:53