Cerca

Vatican News
Ultima cena di Gesù con gli apostoli Ultima cena di Gesù con gli apostoli 

Enjtja e Shenjtë e Pashkëve: Eukaristia - falënderim ndaj Zotit!

Është e Enjtja e Madhe, o Zot, e ti më vë para bukën e jetës/ Është e Enjtja e Madhe, o Zot,/ e ti më vë përpara/ bukën e verën/ që unë të ha e të pi/ e të marr pjesë kështu në jetën tënde të ndërprerë,/ ofruar për shpëtimin e botës.

R.SH. - Vatikan

Enjtja e Shenjtë e Pashkëve: Eukaristia - falënderim ndaj Zotit! Fjala qendrore, madje thelbi i ditës së Enjtes së Madhe të Pashkëve dhe i tërë jetës së Kishës e këndej të besimtarëve është fjala Eukaristi. Në vetvete “Eukaristi” do të thotë mirënjohje, dhënie falas, pra falënderim. Për të krishterët është falënderim ndaj Zotit. Katër tekste të Besëlidhjes së Re rrëfejnë për themelimin e Eukaristisë: Mt 26,26-29; Mk 14,22-25; Lk 22,15-20; 1Kor 11,23vv.  Po të ndalemi më hollësisht te fjala Eukaristi!

Eukaristia është mbi të gjitha mister i fesë, dhurata më çmuar e Jezusit, i cili flijon vetveten për shpëtimin tonë. Duke kremtuar Eukaristinë, ngjarja shëlbuese e vdekjes dhe e ngjalljes së Jezusit, bëhet realisht e pranishme dhe vepruese: ky flijim është aq vendimtar për shëlbimin e gjinisë njerëzore, sa Jezu Krishti e kreu dhe u kthye te Ati Qiellor vetëm pasi na la mjetin për të marrë pjesë në Të e për të gëzuar frytet shëlbuese të flijimit të Tij. Eukaristia është bukë e gjallë që na jep ditë për ditë forcë e gjallëri.

Në radhë të dytë, Eukaristia themelon Kishën. Shkrirja me Krishtin, që realizohet në Pagëzim, fuqizohet më tej në Eukaristi. Mund të themi se jo vetëm secili prej nesh e merr Krishtin, por se edhe Krishti e merr secilin prej nesh. Eukaristia ka aftësi bashkuese. Duke qenë të pranishëm në Eukaristi, besimtarët bëhen një trup i vetëm, që nga çasti kur të gjithë marrin pjesë nga njëjta bukë, siç thotë edhe Shën Pali Apostull në letrën e parë drejtuar Korintianëve. Kujtojmë këtu edhe vlerën e madhe të kultit eukaristik jashtë Meshe, me Sakramentin jashtë e me ndalesat adhuruese ose vizitat e vazhdueshme tek Jezusi eukaristik. Lidhur me këtë, kujtojmë një episod nga jeta e Edith Stein. Një nga arsyet që e shtynë të rrokte fenë e krishterë, qe pikërisht përvoja e vizitave te Jezusi Eukaristik nga ana e besimtarëve të veçantë në Kishën katolike të Gjermanisë. Vërejti se katolikët shkonin të vizitonin një të Gjallë, Jezusin, mikun e tyre besnik e shëlbues.

Në radhë të tretë vlen të theksohet, në se flasim me gjuhën e baritorisë, është lidhja ndërmjet eukaristisë dhe sakramentit të pendesës, rrëfimit. Pajtimi është rrugë e detyrueshme. Pa të nuk mund të merret pjesë plotësisht e me fryt në flijimin eukaristik. Eukaristisë duhet t'i afrohemi vetëm në se jemi në hir të Zotit. Ky bashkim i brendshëm hiri me Jezusin, duhet shprehur pastaj edhe në bashkimin kishtar: në bashkimin me Papën e me ipeshkvijtë si dhe me magjisterin e tyre baritor. Prandaj Eukaristia krijon bashkimin dhe edukon bashkimin!

Ngjarja kryesore e kremtimit të Darkës së Fundit të Enjten e Shenjtë, është dhurata e madhe e Krishtit: përmes flijimit të vetvetes, themelon Eukaristinë. Duke e pas dashur Kishën e vet, Jezusi e deshi deri në fund të fundit. Natën para se të mundohej e të vdiste, u dha apostujve të vet e, përmes tyre edhe mbarë Kishës, Eukaristinë shenjte. E filloi duke ua larë këmbët. Ky gjest qe provë e madhe dashurie e përvujtërie. Kështu Jezusi u mësonte apostujve ta donin atë dhe njëri tjetrin. Gjatë Darkës, me fjalë solemne që nënkuptonin flijimin e tij të afërt mbi Kryq, Jezusi e shndërroi bukën në korp të vetin e verën, në gjak të vetin e ua dha apostujve ta hanin e ta pinin. E shtoi: "Bëjeni këtë në kujtimin tim!". Dhuronte kështu Sakramenti e Urdhrit të Shenjtë, atë të meshtarisë. Jezusi i shuguroi meshtarë apostujt e vet, sepse u dha atyre pushtetin për të shuguruar bukën e verën, duke i shndërruar në korpin e gjakun e Tij, për t'ia ofruar pastaj këtë flijim Atit të Amshuar. Prej këndej mund të themi se sonte Kisha adhuron dhe falënderon Jezusin për flijimin dhe për Sakramentin e Eukaristisë Shenjte!

Edhe Kisha në kremtimet e rastit, duke i ftuar të gjithë besimtarët të ulen rreth sofrës hyjnore, së bashku me Krishtin, rikujtoi çastet kulmore të Darkës së Fundit të Zotit dhe shpjegon simbolet kryesore: larjen e këmbëve, simbol i shërbimit dhe i dashurisë vëllazërore e themelimin e Eukaristisë, misterit më të madh e më të pashqyrtueshëm për arsyen njerëzore, që na bën një me Krishtin dhe me vëllezërit, përmes simboleve të thjeshta Eukaristike: do të thotë bukës e verës që shndërrohen në Korpin e në Gjakun e Krishtit.

18 prill 2019, 12:19