Cerca

Vatican News
Barbara Jatta, drejtoresha e Muzeve të Vatikanit Barbara Jatta, drejtoresha e Muzeve të Vatikanit 

“Women in Power” në OKB: për herë të parë, përfaqësohet Vatikani

Drejtoresha e Muzeumeve të Vatikanit, Barbara Jatta, përfaqësoi Selinë e Shenjtë në sesionin e 63-të të Komisionit të OKB-së mbi Statusin e Grave, ku morën pjesë 5 gra, krerë shtetesh. Vatikani deshi të japë një sinjal të fuqishëm për praninë e grave në krye të strukturave të tij.

R.SH. - Vatikan

Për herë të parë, Selia e Shenjtë dërgoi përfaqësuesen e saj në një sesion të Komisionit të Kombeve të Bashkuara mbi Statusin e Grave. Është fjala për drejtoreshën e Muzeumeve të Vatikanit, Barbara Jatta, e cila mori pjesë në konferencën “Gratë në Fuqi” (Women in Power), organizuar nga Maria Fernanda Espinosa Garcés, kryetare e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Në Pallatin e Qelqit në Nju Jork, seli e OKB-së, më 12 mars, përfaqësuesja e Selisë së Shenjtë mori pjesë në tri tryeza të rrumbullakta të nivelit të lartë. Në mikrofonin tonë, Barbara Jatta shpjegon rëndësinë e kësaj pjesëmarrjeje historike:

Është hera e parë që Selia e Shenjtë dërgon një përfaqësuese në këtë asamble. Personalisht, kjo më nderon, por mendoj se është edhe një sinjal i rëndësishëm, që dëshiron të japë Selia e Shenjtë, për praninë femërore në strukturat e saj. Unë jam shembull për këtë, si grua, si bashkëshorte, si nënë, por edhe si punonjëse në një strukturë të Vatikanit, ku jam respektuar gjithnjë, jam vlerësuar për punën e bërë, e ku është treguar kujdes edhe për faktin që jam nënë e bashkëshorte. Shoqëria ka ndryshuar dhe natyrisht, Selia e Shenjtë u është përshtatur kohërave, me nisma të shumta për gratë.

Duke pasur parasysh shembullin tuaj, a është shtuar numri i grave në detyra të rëndësishme në Vatikan?

Më 8 mars isha në universitetin e Shën Kryqit në Romë, së bashku me dy gra të tjera, zv.sekretaren për familjen në Dikasterin për Laikët, profesoreshën Gambino dhe me Natasha Govekarin e Dikasterit për Komunikimin. Të gjitha jemi gra, në role të rëndësishme në Selinë e Shenjtë. Shembuj pozitivë, që kanë nxitur emërimin e grave të tjera në detyra me përgjegjësi. Për shembull, kur nisa punë në Bibliotekën e Vatikanit, ishim vetëm tri gra; kur u largova, pas 20 vjetësh, gratë përbënin 50% të punonjësve. 50% e njëmijë punonjësve e bashkëpunëtorëve janë gra edhe në Muzetë e Vatikanit e, shumë prej tyre, kanë role të rëndësishme. 5 kardinajtë bibliotekarë me të cilët kam punuar dhe kardinali president, Giuseppe Bertello, që është eprori im aktual, kanë pasur dhe kanë një vëmendje të veçantë për rolin e gruas.

13 mars 2019, 16:40