Kërko

Vatican News
2018.09.25-PaoloVI-video-locandina.jpg 2018.09.25-PaoloVI-video-locandina.jpg 

Populorum Progressio, 52 vjet: enciklika kundër pabarazisë, teje

Me Populorum Progessio Papa Pali VI bëri pohimin e madh, me vlera aktuale: “Zhvillimi është emri i ri i paqes”. Kjo thirrje nxiti veprimtaritë e shoqërisë civile në gjithë botën. Lindën kështu, programe si “Objektivat e zhvillimit të mijëvjeçarit” të OKB-së, që i hapën udhën përmirësimit të kushteve të jetës në mbarë Planetin.

R.SH. - Vatikan

Enciklika ‘Populorum Progressio’ (Zhvillimi i popujve) e Papёs Palit VI, shkruar në vitin 1967, vinte theksin mbi zhvillimin e popujve. Pra, 52-vjet më parë, Papa Pali VI dorëzonte enciklikën 'Populorum Progressio', në të cilën denonconte pabarazitë e bujshme, duke u bërë të krishterëve dhe laikëve, thirrje për përgjegjësi. 

Pali VI nё kёtё enciklikё ripohon “rëndësinë e pamohueshme të Ungjillit për ndërtimin e shoqërisë mbi bazën e lirisë e të drejtësisë”. Zhvillimi është thirrje, sepse lind nga një thirrje e mbinatyrshme”. E është vërtetë i gjithanshëm – nënvizon – kur përpiqet për përparimin e çdo njeriu e të njeriut në tërësi” 

Është 26 marsi i vitit 1967. Dita e Pashkëve! Pikërisht këtë ditë Papa Pali VI dorëzoi tekstin e 'Populorum Progressio', Enciklikës së madhe shoqërore, me të cilën denoncon shkandullin e pabarazive të bujshme. Papa shkruan me liri të madhe intelektuale, pa lojëra fjalësh: “Prona private nuk përbën për askënd një të drejtë të pakushtëzuar e absolute”.

Fjalët e tij janë  prekëse e rrënqethëse: “Popujt e uritur u drejtojnë sot një thirrje dramatike popujve të ngopur. Kisha tronditet përballë kësaj britme të ngarkuar me ankth. Të mos ndërhysh, do të thotë të vihesh përballë zemërimit të  të varfërve”.

Pali VI shkruan në një botë plot me pabarazi e me shndërrime të rrufeshme. Evropa e kish kryer rindërtimin e pas luftës, duke u ndarë përgjysmë me perden e hekurt, e procesi i integrimit të Perëndimit  zhvillohej paralelisht me zhdukjen e sistemit kolonial.

Vendet afrikane, prej pak kohe të pavarura, përballonin sfidën e varfërisë, duke marrë ndihma nga ish–kolonizatorët, ndërsa u duhej të konkurronin me ta në tregjet ndërkombëtare, duke paguar haraçin e vonesës teknologjike e të ligështisë politike të marrëveshjeve tregtare.

Tema e zhvillimit hyn në debatin ndërkombëtar e Pali VI e vë në qendër të angazhimit të Kishës e të Doktrinës së saj shoqërore. E lindur në vitin 1891, me Rerum novarum të Leonit XIII, kushtuar problemeve të rënda të punëtorëve, kjo doktrinë u zhvillua më tej, duke prekur edhe temën e paqes, me radiomesazhet e Piut XII dhe “Pacem in Terris” të Gjonit XXIII, më 1963.

Me Populorum Progessio Pali VI i shkriu në një të dyja udhët, duke bërë pohimin e madh, me vlera plotësisht aktuale: “Zhvillimi është emri i ri i paqes”. Kjo thirrje nxiti veprimtaritë e shoqërisë civile në gjithë botën. Lindën kështu, programe si “Objektivat e zhvillimit të mijëvjeçarit” të OKB-së, që i hapën udhën përmirësimit të kushteve të jetës në mbarë Planetin.

Por shumë pabarazi të bujshme janë akoma të pranishme kudo në botë. E mund të përfundojnë vetëm në kontekstin e marrëdhënieve solidare, në të cilat marrin pjesë të gjithë, me protagonizëm e me të njëjtin dinjitet  kulturor e politik. Pikërisht kjo e bën jashtëzakonisht moderne thirrjen e Montinit, në rrethana si këto aktualet, të ngarkuara me frikë e paragjykime, që i flasin më shumë barkut e njerëzve, sesa mendjes e zemrës së tyre. Thirrja e Palit VI vijon të jehojë me forcë, duke kërkuar përgjegjësinë e gjithë banorëve të Planetit!

26 mars 2019, 20:39