Kërko

2018.01.12 Papa Francesco e Onorevole Virginia Raggi 2018.01.12 Papa Francesco e Onorevole Virginia Raggi 

Përgatitjet për vizitën e Papës në Bashkinë e Romës

Vizita e Papës Françesku është pjesë e një traditë të konsoliduar tashmë, sipas së cilës papët ngjiten në Kodrën Kapitoline (të Romës) në rrugën për në Bazilikën e Lateranit, në fillim të papnisë. Nga ana e tyre, administratorët e Romës priten çdo vit nga Papa në Vatikan për shkëmbimin e urimeve në fillim të vitit. I pari që vulosi këtë miqësi, për të mirën e Romës dhe të qytetarëve të saj, qe Papa Pali VI, i cili vizitoi Bashkinë e Romës më 16 prill 1966.

R.SH. - Vatikan

Ziejnë përgatitjet në Bashkinë (Campidoglio ) e Romës për vizitën e Papës Françesku, të martën më 26 mars. Duke pranuar ftesën e kryetares së bashkisë së Romës, Virginia Raggi, Ati i Shenjtë Bergoglio gjatë kësaj vizite do të takojë Këshillin Komunal. Po kujtojmë se është Papa i katërt, që shkon në Kapitol, pas shën Palit VI, shën Gjon Palit II dhe Benediktit XVI.

Përveç organizimit logjistik të vizitës së Papës Françesku në Campidoglio, ​​për këtë rast të veçantë, Departamentit të Shërbimeve Arsimore dhe Shkollore të Bashkisë së Romës i ka dërguar një letër ftesë të gjitha shkollave, ku mes tjerash thuhet: "Roma Kryeqytet ka kënaqësinë t’u komunikojë drejtuesve të shkollave, mësuesve, nxënësve, studentëve dhe familjeve të tyre se, Shenjtëria e Tij Papa Françesku do të përshëndet qytetin e Romës dhe qytetarët e qytetaret e saj, të martën më 26 mars, në ora 10.30, nga ballkoni i Pallatit Senatorio" në Campidoglio. 

Vizita e fundit e një Pape në Bashkinë e Romës, është ajo e Benediktit XVI, më 9 mars të vitit 2009. Kështu edhe “Papa Françesku, duke pranuar ftesën e Kryetares së Bashkisë së Romës, Virginia Raggi, tregon një vëmendje e dashuri të veçantë ndaj të gjithë qytetarëve dhe ndaj Administratës Kapitoline, që përfaqëson qytetin e Romës. Departamenti i Shërbimeve arsimore dhe  shkollore i Bashkisë së Romës, pra, me rastin e vizitës së Papës, i fton shkollat ​​dhe familjet e Romës të marrin pjesë në numër të madh, më 26 mars 2019 në orën 10:00 në Piazza del Campidoglio, me hyrjen nga Piazza dell'Ara Coeli ", përfundon letra.

Kujtojmë se vizita e Papës Françesku është pjesë e një traditë të konsoliduar tashmë, sipas së cilës papët nga Vatikani ngjiten në Kodrën Kapitoline (të Romës) në rrugën për në Bazilikën e Lateranit, në fillim të papnisë. Nga ana e tyre, administratorët e Romës priten çdo vit nga Papa në Vatikan për shkëmbimin e urimeve në fillim të vitit. I pari që vulosi këtë miqësi, për të mirën e Romës dhe të qytetarëve të saj, qe Papa Pali VI, i cili vizitoi Bashkinë e Romës më 16 prill 1966.

18 mars 2019, 18:17