Kërko

Atë Raniero Cantalamessa Atë Raniero Cantalamessa 

Nesër, predikimi i parë i Kreshmëve për Kurien Romake

Nesër, në orën 9, në kapelën Redemptoris Mater në Vatikan, predikatari i Shtëpisë Papnore, atë Raniero Cantalamessa, mban predikimin e parë të Kreshmëve. Tema “Kthehu tek vetja”, është frazë e Shën Augustinit, që na fton të largohemi nga shqetësimet e përditshme për ta rigjetur Zotin në zemër.

R.SH. - Vatikan

Ftesa e Shën Augustinit për t’i kushtuar vëmendje botës së brendshme, marrë nga vepra “Feja e vërtetë” (39,72), është nxitje që të gjejmë kohë e hapësirë për Zotin, duke e dëgjuar Atë dhe duke e lënë mënjanë veten. Kulmi i këtij takimi arrrihet kur secili njeh Zotin në zbulesën e Tij më të lartë, në Krishtin e Kryqëzuar, “dashuri, që dhurohet deri në flijimin e plotë”. Në një intervistë për ne, atë Raniero Cantalamessa, që do të mbajë pesë predikime, deri më 12 prill, shpjegon se meditimet, që do të propozojë, synojnë ta udhëheqin shpirtin t’i bëjë vend Zotit, duke lënë mënjanë vetveten.

         Meditimet e Kreshmëve synojnë të vijohet reflektimi, që pata filluar gjatë Kohës së Ardhjes, duke u bazuar në frazën e një Psalmi: “Shpirti im ka etje për Zotin e gjallë”. Prandaj, na vë në gjurmët e Hyjit, jo vetëm për të zbuluar ekzistencën e Zotit, por edhe për ta ndierë Atë, për ta jetuar me vetëdije praninë e Tij;  është një lloj rizgjimi, një shkundje e ndërgjegjes, që na bën jo vetëm ta dimë, në mënyrë abstrakte, se Zoti ekziston, por edhe se Ai është i gjallë, se është përreth nesh. Në këtë kuadër, titulli i predikimeve të Kreshmëve, “Kthehu tek vetja”, marrë nga shën Augustini, vë në pah vendin apo gjendjen për të hyrë në kontakt me këtë Zot të gjallë, sepse Hyjin e gjallë e takojmë si në Eukaristi, në Fjalën e Zotit, ashtu edhe në zemrën tonë. Prandaj, siç na thotë shën Augustini, nëse nuk kthehemi tek vetvetja, nëse nuk e lëmë pak mënjanë botën e jashtme, zhurmën, nuk mund ta takojmë Zotin e gjallë. Prandaj, kjo fjalë e shën Augustinit përmban një mesazh të fuqishëm, u flet të gjithëve. E vura në titull, por në kuadrin e një teme më të gjerë, atë të zbulimit, ose më mirë të themi, me një fjalë që më pëlqen më shumë, atë të kuptimit të Zotit, praninë e të cilit duhet ta ndiejmë.

Ç’do të thotë “të kthehesh tek vetja”?

         Disa kushte të jashtme na i sugjeron vetë Koha e Kreshmëve, sepse na kujton Jezu Krishtin në shkretëtirë, në lutje e agjërim. Pra, duhet gjetur një hapësirë për të heshtur, për të dëgjuar Fjalën e Zotit, për të marrë pjesë në ndonjë kremtim fetar, për të ndenjur – nëse është e mundur – për disa çaste vetëm. Për shembull, gjatë kthimit nga puna për në shtëpi, hyni në ndonjë kapelë, në ndonjë kishë, kur ka ndonjë kremtim e, qëndroni aty për disa çaste, sepse duhet ta ndërpresim fluksin, që na vjen nga jashtë përmes portave të pesë shqisave, përndryshe, nuk mund të hyjmë në kontakt me zemrën; jemi të projektuar jashtë, jemi si një centrifugë e vazhdueshme, që s’pushon kurrë.

14 mars 2019, 16:30