Ekspozita Leonardo da Vinci, Shën Jeronimi; në Krahun e Karlit të Madh. Ekspozita Leonardo da Vinci, Shën Jeronimi; në Krahun e Karlit të Madh.  

Muzetë e Vatikanit: Shën Jeronimi i Leonardos, për tre muaj, në Krahun e Karlit të Madh

Për të kremtuar 500-vjetorin e vdekjes së Leonardo da Vinçit, Muzetë e Vatikanit u krijojnë të gjithëve mundësinë të admirojnë falas, të vetmen kryevepër të gjeniut fiorentin, që ruhet në Vatikan, “Shën Jeronimin në shkretëtirë”. Kryevepra leonardiane do të ekspozohet nga data 22 mars, deri më 22 qeshor, në Krahun e Karlit të Madh, përskaj Sheshit të Shën Pjetrit.

R. SH. - Vatikan

Për ta kremtuar gjeniun e pavdekshsëm Leonardo da Vinçi në 500 vjetorin e vdekjes, në Amboise të Francës, më 2 maj 1519, Guvernatorati i Qytetit të Vatikanit dhe Muzetë Vatikanase u krijojnë romakëve dhe turistëve të mbarë botës, mundësinë ta sodisin e ta admirojnë falas nga 22 marsi deri më 22 qershor “Shën Jeronimin në shkretëtirë”. Është pikërisht Shenjti që ne e konsiderojmë tonin, sepse i lindur në troje ilire, të cilin shpikësi dhe artisti i madh fiorentin e realizoi ndërmjet 1486-tës e 1490-tës. Është e vetmja vepër e tij, e pranishme në koleksionin papnor e kryevepër absolute, por njëkohësisht edhe vepër, që vë në dukje përshpirtërinë e Atit dhe Doktorit të madh të Kishës. E ky gjykim nuk është vënë kurrë në diskutim.

Kompozimi ka një histori të gjatë e të ndërlikuar. Kaloi dorë më dorë …

Në Vatikan ndodhet që në vitin 1513

Në  Vatikan ndodhet që nga viti 1513, gjë që e vërteton një dokument i Arkivit Historik të Fabrikës së Shën Pjetrit, i cili dëshmon praninë e Leonardos në një apartament, përgatitur enkas për të, në Belvedere të Vatikanit, pranë bërthamës historike të Muzeve. Leonardo u ndalua për tri vjet në Romë, ku punoi njëkohësisht me Bramanten, Rafaelin e një mori protagonistësh të mëdhenj të historisë së artit. Kohë fatlume, që lanë pas kryevepra të papërsëritshme.

Tiparet e Shën Jeronimit të  Leonardos

Piktori gjenial e paraqet Shën Jeronimin kur jetonte si eremit në shkretëtirë, të veshur me lecka, në një pozicion të tensionuar të trupit.  E pikturoi trupin e shenjtit  si “personifikim i mundimeve”, me një realizim të përkryer anatomik, me tempera vaji, mbi një dërrasë arre e me teknikën finger painting, pikturës së realizuar me gishta. Duhet të jetë përfunduar në vitin 1490, por ruhet aq mirë, sa të duket sikur u krijua një ditë para se  ta kemi fatin ta vizitojmë.

Rast i jashtëzakonshëm,  të takohesh njëkohësisht me Leonardon e edhe me Shën Jeronimin e tij, pendestar në shkretëtirë, sidomos këto ditë Kreshmësh.

22 mars 2019, 18:23