Kërko

2013-03-19 anniversario Inizio ministero petrino 2013-03-19 anniversario Inizio ministero petrino 

Mattarella uron Atin e Shenjtë Françesku në përvjetorin e fillimit të misionit papnor

Sot në përvjetorin e gjashtë të fillimit të shërbimit të Atit Shenjtë Françesku në udhëheqje të Kishës, Mattarella shpreh nderimin dhe vlerësimin e tij për Papën dhe për "punën e tij të palodhshme". Ati i Shenjtë, me përshpirtërinë e tij, me sjelljen e tij të përvuajtur, dëshiron të na afrojë me Jezusin, të na bëjë Kishë, që ecim përpara me njerëzimin e sotëm.

R.SH. - Vatikan

Si sot, më 19 mars 2013, Papa i ri Françesku kremtonte Meshën e fillimit të papnisë së tij.  E sot bie gjatë vjetori i fillimit të misionit papnor të Ipeshkvit të Romës. "Urime të përzemërta - shkruan Presidenti i Republikës Italiane, Sergio Mattarella - për mirëqenien tuaj personale dhe për punën tuaj të palodhshme, drejtë së cilës njerëzimi shikon me ndjenja, vëmendje e pritshmëri", në mesazhin dërguar Papës Françesku me rastin e përvjetorit të gjashtë të fillimit të misionit të tij në udhëheqje të Kishës katolike universale.

Mesazhi i shpresës, paqes dhe vëllazërisë

Duke folur për aktivitetin intensiv baritor të Papës Bergoglio, kreu i shtetit italian kujton "udhëtimet e rëndësishme apostolike, që patën pikën kulmore me pjesëmarrjen e Atit të Shenjtë Bergoglio në Ditën Botërore të Rinisë në Panama dhe vizitën e parë të një Pape në Emiratet e Bashkuara Arabe". "Për secilin prej këtyre rasteve – lexohen në mesazhin e presidentit italian – Ju Shenjtëri, përçuat mesazhe të fuqishme të shpresës, paqes dhe vëllazërimit që, pavarësisht nga prejardhje fetare, etnike dhe kulturore, zgjojnë ndërgjegjet dhe nxisin dialogun dhe mirëkuptimin" ndërmjet popujve e feve.

Papa dhe Italia

Një kujtim i veçantë, pastaj,  Mattarella pati për kujdesit dhe dashurinë që Papa Françesku ka për Italinë, siç dëshmojnë vizitat baritore të Atit të Shenjtë në Puglia, Toscana dhe Sicili ", por edhe mbështetja e përditshme dhe inkurajimi i veprimit të Kishës në favor të shtresave më të dobëta të popullsisë”.  "Një kujtim i gjallë dhe mirënjohës për takimin tonë të fundit me rastin e kanonizimit të Shën Palit VI - përfundon Mattarella - i shpreh edhe një herë urimetmë të përzemërta  me dëshirat  më të mira për vazhdimin e magjisterit tuaj papnor në udhëheqjen e Kishës universale".

Zgjedhja në fronin e Shën Pjetrit

Pas dorëheqjes së Papës Benedikti XVI, kardinali i atëhershëm Bergoglio erdhi në Romë për Konklavin. Por fati nuk i kishte lënë vetëm diskutimet, para e gjatë Konklavit, për mënyrën e mbarështimit të Kishës nga një papë i ardhshëm. Më 13 mars 2013, ai vetë u zgjodh në fronin e Shën Pjetrit, si “Papë i ardhur nga fundi i botës”. Gjatë vizitës në një famulli romake, më 19 shkurt 2017, një fëmijë e pyeti pse u bë Papë. “Ai që zgjidhet – u përgjigj Bergoglio – nuk është pa tjetër, më i mençuri”. “Por është ai, që Zoti dëshiron në atë çast për Kishën”. Si Papë, zgjodhi emrin e Françeskut. Pak ditë pas zgjedhjes, në takimin me gazetarët, shpjegoi se e mori atë emër, duke menduar për shën Françeskun e Asizit, “njeri i varfërisë, njeri i paqes, njeri, që e do dhe e ruan gjithësinë e krijuar nga Zoti”. E pikërisht në këto drejtime, përmes gjesteve e shkrimeve si enciklika “Lëvduar qofsh”, përvijohet edhe sot papnia e Françeskut.

Të vegjlit, të moshuarit, të brishtët, të mënjanuarit, ishin në qendër të homelisë së Papës Françesku, në Meshën e përurimit e të fillimit të papnisë, kremtuar paradite më 19 mars 2013 në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan. “Pushteti i vërtetë është shërbim”, “ruajeni e mbrojeni gjithësinë e njeriun”, “shërbimi im është për të varfërit, për të huajt, për të burgosurit, për të sëmurët”, “urrejtja, zilia, mëndjemadhësia, e ndyejnë jetën”, “kur qielli mbulohet me re, na duhet shpresa”: janë vetëm disa nga frazat, që shkaktuan duartrokitje e brohoritje të stuhishme në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, më 19 mars 2013, mbushur plot sa s’mbante më, në këtë ditë historike e të mrekullueshme me diell, në Solemnitetin e Shën Jozefit

Gjatë këtyre gjashtë vitete të papnisë së Atit të Shenjte Bergoglio, edhe Shqipëria dhe besimtarët shqiptarë, jo vetëm ata katolikë, e pritën Papën Françesku, më 21 shtator 2014, duke i hapur dyert e zemrave e të shpirtrave, sepse Ai, veç të tjerash, erdhi në këtë tokë heronjsh dhe martirësh, edhe për të na dhënë një këshillë, duke na përgëzuar njëkohësisht për të: Që ta ruajmë si sytë e ballit bashkëjetesën paqësore dhe bashkëpunimin ndërmjet anëtarëve të feve të ndryshme.

Së fundi, po shënojmë se një nga aspektet më domethënëse të misionit të Papës Bergoglio është reforma e vazhdueshme në jetën e Kishës, të cilën Ati i Shenjtë, me përshpirtërinë e tij, me sjelljen e tij të përvuajtur, dëshiron të na afrojë me Jezusin, të na bëjë Kishë, që ecim përpara me njerëzimin e sotëm, sidomos me ata, që kanë më tepër nevojë për dëshminë e dashurisë së Zotit.

19 mars 2019, 15:15