2019.03.05 Prima domenica di Quaresima 2019.03.05 Prima domenica di Quaresima 

Krezhmët kohë për të vendosur ta luftojmë të keqën me Krishtin

Të hysh në kohën shpirtërore të Kreshmëve do të thotë të përsëritësh premtimin personal e komunitar për t’i bërë ballë së keqes së bashku me Krishtin. Është ftesa për t’u kthyer në rrugën e Zotit e për t’i besuar Ungjillit, për t’u lutur e për të bërë pendesë e bamirësi. Këtë na kujton Kisha, me ritin e përhimjes, të Mërkurën e Përhime, kur fillon kohën e Krishmëve, kohë e përgatitjes shpirtërore, për kremtimin e Pashkëve të Jezu Krishtit Zot e Shpëtimtar të njerëzimit.

R.SH. - Vatikan

Të hysh në kohën shpirtërore e liturgjike të Kreshmëve do të thotë të përsëritësh premtimin personal e komunitar për t’i bërë ballë së keqes së bashku me Krishtin. Këtë na kujton Kisha, me ritin e përhimjes, të Mërkurën e Përhime, në ditën kur fillon kohën e Krishmëve, kohë e përgatitjes shpirtërore të besimtarëve, për kremtimin e Pashkëve të Jezu Krishtit Zot e Shpëtimtar të njerëzimit. Duke u nisur nga realiteti i jetës së përditshme, i jetës konkrete me batica e zbatica, Kisha na kujton edhe se Udha e Kryqit është e vetmja që çon në fitoren e dashurisë mbi urrejtjen, të njeridashjes mbi egoizmin, të paqes mbi dhunën.

Krezhmët janë porta, përmes së cilës hyjmë në një përmasë, që e bën të shndrisë gjithçka të krishterë – kthimin personal, bamirësinë ndaj të afërmit, thjeshtësinë e jetës – kaq fuqishëm, sa të duken si diamante në vitrinën e një argjendari. Por nuk do të vlenin asgjë – një rrëfim më shumë, një lëmoshë, një agjërim – nëse përveçse në kokë, të mos binte edhe në zemër një grusht me hi, pra, nëse secili prej atyre gjesteve të mos ishte fryt i një akti të vetëdijshëm përvuajtërie para Zotit e jo vuajtje e shfaqur për një grusht duartrokitjesh, siç ndodhi me fariseun e Ungjillit. Kështu na mëson Kisha, duke na ftuar të jemi gjithnjë në kërkim të dashurisë së Zotit.

Kështu, këtë të Mërkurë të Përhime, me lutje, agjërim dhe ritin e përhimjes, hymë në Kohën e Kreshmëve, e bëjmë një pyetje: Çka do të thotë të hysh në Kreshmë? E si duhet jetuar kjo kohë që i paraprin festës së Pashkëve?. 

Kisha përgjigjet duke treguar të vetmen rrugë, që duhet përshkuar në luftën kundër së keqes. Do të thotë të fillosh një kohë impenjimi të posaçëm në luftën shpirtërore për t’iu kundërvënë së keqes, që është e pranishme në botë, në secilin nga ne e rreth nesh. Kjo do të thotë ta shikosh të keqen në sy e të jesh gati të luftosh kundër pasojave e, posaçërisht, kundër shkaqeve të saj, deri në shkakun e fundit, që është shejtani apo djalli i mallkuar.

Kuptimi i Kreshmëve, ka të bëjë edhe me përgjegjësinë e secilit nga ne në betejën kundër së keqes. Do të thotë, pra, të mos e shkarkosh problemin e së keqes mbi të tjerët, mbi shoqërinë, mbi bashkësinë e mbi Hyjin, por t’i njohësh mirë përgjegjësitë personale e ta marrësh mbi vete me vetëdije pjesën që të takon. Lidhur me këtë, për ne të krishterët tingëllon më urgjente se kurrë thirrja e Krishtit për ta marrë secili ‘kryqin’ e vet, çdo ditë, e për ta ndjekur me përvujtëri e besim Mësuesin Hyjnor.

E mos të harrojmë se Kryqi nuk është sinonim me gjëmën, me fatkeqësinë, që duhet të bësh çmos ta shmangësh, por mundësi që të ecësh në gjurmët e Krishtit e kështu të fitosh forcë në luftën kundër mëkatit e kundër së keqes. Rruga e kryqit është e vetmja që çon në fitoren e dashurisë mbi urrejtjen, të njeridashjes mbi vetëdashjen, të paqes mbi dhunën. Po t’i shikojmë në këtë këndvështrim e dritë, Kreshmët janë vërtetë rast i mirë impenjimi asketik e shpirtëror, mbështetur mbi forcën e hirit të Zotit.

Mesazhi që Kisha vijon t’ia drejton besimtarëve në fillim të Kreshmëve, na kujton fjalët e Jezusit pikërisht në fillim të misionit të tij publik, të cilat i dëgjojmë të përsëritura shpesh këto ditë Krezhmësh. Është ftesa për t’u kthyer në rrugën e Zotit e për t’i besuar Ungjillit, për t’u lutur e për të bërë pendesë. Ta mirëpresim ftesën e Kishës, që i bën jehonë asaj të Krishtit, e t’i lutemi të hyjmë me fe në Kreshmë, për ta jetuar këtë kohë me gëzim shpirtëror e impenjim bujar.

06 mars 2019, 11:11