Kërko

2018.10.20 lavanda dei piedi 2018.10.20 lavanda dei piedi 

Kremtimet e Javës së Shenjtë të Pashkëve që kryesohen nga Papa Françesku

Ritet e Javës së Shenjtë të Pashkëve, që Papa Françesku do t’i kryesojë fillojnë më 14 prill, të Dielën e Larit. Kremtimi i riteve të shenjta fillon në ora 10.00 me bekimin e degëve të ullirit e të palmave, vijon me procesionin në përkujtim të hyrjes së Jezu Krishtit në Jerusalem, pason me kremtimin e Meshës dhe kumtimin e historisë së mundimeve dhe vdekjes së Jezu Krishtit mbi Kryq.

R.SH. - Vatikan

Zyra e kremtimeve liturgjike të Selisë së Shenjtë publikoi programin e kremtimeve të Javës së Madhe, që do të kryesohen nga Papa Françesku. Ritet e Javës së Shenjtë të Pashkëve, që Papa Françesku do t’i kryesojë fillojnë më 14 prill, të Dielën e Larit. Kremtimi i riteve të shenjta fillon në ora 10.00 me bekimin e degëve të ullirit e të palmave, vijon me procesionin në përkujtim të hyrjes së Jezu Krishtit në Jerusalem, pason me kremtimin e Meshës dhe kumtimin e historisë së mundimeve dhe vdekjes së Jezu Krishtit mbi Kryq.  Po të Dielën e Larit, bie edhe Ditës së 34-të botërore të rinisë, në nivelin dioqezan.

Gjatë Javës së Shenjtë të Pashkëve, prologu i Treditëshit të Pashkëve është e Enjtja Madhe, më 18 prill, ditë kur Papa do të kremtojë në ora 9.30 në bazilikën e Shën Pjetrit , Meshën e Bagmit ( me bekimin e vajrave të shenjtë), në bashkëkremtim me kardinajtë, ipeshkvijtë dhe meshtarët e dioqezës së Romës.
Po të Enjten e Madhe të Pashkëve, pasdite është në program, por ende nuk është caktuar vendi, kremtimi i Meshës së Shenjtë ‘in Coena Domini ‘– ‘Darkës së Mbrame të Krishtit’ me apostuj, me ritin tradicional të larjes së këmbëve. 

Të Premten e Madhe të Pashkëve, më 19 prill, në orën 17.00, në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan, Papa do të kryesojë Liturgjinë e Fjalës së Zotit, me adhurimin e Kryqit dhe ritin e ndarjes së Kungimit të Shenjtë. Në mbrëmje, në orën 21.15 pranë amfiteatrit romak Koloseum, arenë e martirizimit të të krishterëve të parë, Papa do të kryesojë Udhën tradicionale të Kryqit, e në përfundim do t’u drejtojë besimtarëve fjalën e rastit dhe do t’u japë bekimin apostolik. 

Riti i së Shtunës së Madhe të Pashkëve, më 20 prill,  pra kremtimi i Natës së Shenjtë të festës Pashkëve, do të fillojë në orën 20.30 në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan, gjithnjë në udhëheqjen e Papës.
Ati i Shenjtë Françesku do të fillojë ritet liturgjike të Natës së Shenjtë të Ngjalljes së Jezu Krishtit, me bekimin zjarrit të ri jashtë, pra, para Bazilikës së Shën Pjetrit, më pas vijon hyrja me procesion brenda në Bazilikë, me qiriun e Pashkëve, që sjell Dritën e Krishtit të Gjallë dhe me këngën e ‘Lajmit të Gëzueshëm’- ‘ Exsultet’, kremtimi vijon pastaj me Liturgjinë e Fjalës së Zotit, me kremtimin e Sakramentit të Pagëzimit dhe të Eukaristisë Shenjte, që do të bashkëkremtohet me kardinajtë, ipeshkvijtë e disa meshtarë. 

Të Dielën e Pashkëve, më 21 prill, Papa Françesku do të kremtojë Meshën Shenjte të Ngjalljes së Krishtit në tremen e Bazilikës, para Sheshit të Shën Pjetrit, duke filluar nga ora 10.00, e në përfundim, nga Llozha qendrore e Bazilikës së Vatikanit do të japë bekimin apostolik të Pashkëve Urbi et Orbi – Romës e Botës.

Por si duhet të përgatitemi për Treditëshin e Pashkëve?

Me shumë fe, me shumë vëmendje, me pjesëmarrje në kremtime e ndjekjen e kujdesshme të teksteve biblike që përdor këto ditë Kisha, që nga e Diela e Larit e deri në të Dielën e Pashkëve, sepse në këtë Javë të Madhe të Pashkëve përmblidhet kremtimi liturgjik i misterit të shëlbimit tonë: mundimi, vdekja e ngjallja e Jezu Krishtit. Kush e ndjen me fe e në shpirt Javën e Madhe, e kupton krishterimin. Kush nuk e kupton Javën e Madhe të Pashkëve, nuk mund ta kuptojë deri në fund të fundit fenë tonë të krishterë .

20 mars 2019, 14:45