Kardinali George Pell Kardinali George Pell 

Kardinali Pell dënohet me 6 vjet burg për abuzime

Kardinali australian George Pell u dënua me gjashtë vjet burg për abuzim seksual ndaj të miturve, kur ishte kryeipeshkëv i Melburnit, në vitet ‘90. Mund të kërkojë lirimin me kusht pas 3 vjetësh e 8 muajsh. Pell është deklaruar gjithmonë i pafajshëm, prandaj avokatët e tij kanë paraqitur apel.

R.SH. - Vatikan

Kardinali australian George Pell u dënua sot me 6 vjet burg për abuzime kundër dy koristëve të mitur, në vitet ’90, kur ishte kryeipeshkëv i Melburnit. Tashmë, edhe Selia e Shenjtë, siç njoftoi para disa ditësh, ka filluar hetimin kanonik ndaj tij, që po vijon në Kongregatën për Doktrinën e Fesë.

Apelimi, më 5 e 6 qershor

Gjyqi e deklaroi fajtor dhjetorin e kaluar. Gjatë leximit të vendimit, gjykatësi i qarkut, Peter Kidd, vuri në dukje se abuzimet e kardinalit Pell kanë pasur “ndikim të rëndësishëm dhe afatgjatë” mbi njërën nga viktimat, që përjetoi një sërë emocionesh negative, me të cilat luftoi për vite, rënduar nga probleme besimi tek të tjerët dhe ankthi. Pell është deklaruar gjithnjë i pafajshëm, prandaj, avokatët e tij kanë apeluar për një rishqyrtim të vendimit, që do të bëhet më 5 dhe 6 qershor. Gjyqtari Kidd urdhëroi transmetimin e drejtpërdrejtë televiziv të leximit të dënimit, i cili zgjati më shumë se gjysëm ore, në emër të asaj që u quajt “drejtësi e hapur”, por që sipas mbështetësve të kardinalit është pjesë e fushatës mediatike kundër tij.

Kard. Pell, në burgun e sigurisë së lartë

Mosha e shtyrë e kardinalit, 77 vjeç,bëri që Pell të dënohej me më pak se 50 vjet – 10 për secilën nga pesë akuzat, siç parashikon ligji asutralian.  Pas leximit të vendimit, kardinali u kthye në burgun e sigurisë së lartë në Melburn, ku mbahet në izolim, si të gjithë të dënuarit për abuzime. Mund të kërkojë lirimin me kusht pas 3 vjetësh e 8 muajsh.

13 mars 2019, 14:47