Katolikë kinezë në lutje Katolikë kinezë në lutje 

Kardinali Parolin, Kisha në Kinë: një libër ndërmjet kujtesës e ardhmërisë

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, nënshkruan parathënien e vëllimit “Kisha në Kinë. Ardhmëri për t’u shkruar”, hartuar nën kujdesin e atë Antonio Spadaros, për Shtëpinë Botuese Ancora, së shpejti, në libraritë. Duke e radhitur ndërmjet dy kohëve, së kaluarës e së ardhmes, kardinali përshkruan udhën e katolikëve në Kinë, hapat para e problemet, ende të hapura, duke u ndaluar posaçërisht tek sfida e ungjillëzimit.

R. SH. - Vatikan

“Sot, pa lënë mënjanë thesarin shpirtëror të bashkësive katolike vendase e, posaçërisht, duke i mirëkuptuar e duke u shqetësuar thellësisht për vuajtet edhe keqkuptimet e jetuara nga katolikët kinezë në rrjedhë të shumë viteve, jemi të thirrur të kujtojmë e, njëherësh, të hapim një faqe të re për ardhmërinë e Kishës në Kinë”. Kështu shkruan kardinali Pietro Parolin  në krye të Parathënies së këtij teksti i cili, i botuar nën kujdesin e atë Antonio Spadaros, drejtor i revistës së jezuitëve “La Civiltà Cattolica”, është  i dyti që i kushtohet Kinës.

Vëllimi botohet në kuadrin e nismave të “China Forum, për dialogun e qytetërimeve”, nisur nga “La Civiltà Cattolica” e Georgetown University dhe përmbledh kontribute të ndryshme, dalë dy vjetët e fundit pikërisht në revistën historike të Shoqërisë së Jezusit. Tekst ky, që radhitet në një “çast krejt të veçantë historik” për marrëdhëniet ndërmjet Selisë Apostolike e Kinës, posaçërisht pas nënshkrimit të “Marrëveshjes së përkohshme” mbi emërimin e Ipeshkvijve, në Pekin, më 22 shtator 2018.

“Maximum illud”: misionet, shprehje e një Kishe vërtet universale

Kuptimplotë, nënvizon në Parathënie kardinali Parolin, fakti që kjo përmbledhje shikon dritën e shtypit pikërisht njëqind vjet pas Letrës Apostolike “Maximum illud” të Papës Benedikti XV, dokument kushtuar misioneve, që kërkonte “kthimin tek burimet shpirtërore e baritore të misionit ad gentes - “ndërmjet popujve”. Përveç një sërë porosish, kjo Letër Apostolike përmban edhe një mesazh të fortë e të saktë: misionet nuk janë shtrirje e kristianizmit perëndimor, por shprehje e një Kishe, që dëshiron të jetë me të vërtetë universale. Ishte mesazh, që i drejtohej posaçërisht Kinës - shpjegon kardinali Parolin – për të kujtuar, më pas,  nxitjen që vinte pikërisht nga ky vend i madh, përmes veprës së disa misionarëve. Duke u ndaluar tek  koha kur u shkrua ky dokument papnor, domethënë tek përfundimi i Luftës së Madhe, sekretari i Shtetit të Vatikanit vë në dukje se “kështu, si herët e tjera, Kina u bë ‘laborator misionar’, nga i cili filloi rimendimi dhe rinovimi i veprës së ungjillëzimit, paracaktuar për t’u shtrirë në të katër anët e botës”. Prej këndej, “shembulli i veprimtarisë misionare në Kinë, propozohej për mbarë botën, mbi bazën e ndjenjës së fuqishme të universalitetit të Kishës, nga e cila buronte tërthorazi njohja e dinjitetit të barabartë të të gjithë popujve e të gjitha vendeve, të cilave u drejtohet kumtimi i Ungjillit”. Nuk do të mungonte rezistenca brenda e jashtë Kishës - shpjegon akoma Prelati i lartë - i cili e quan Maximum illud, kthesë historike. Posaçërisht vë theksin “tek rëndësia e një kleri vendas, të përgatitur e të denjë për thirrjen e vet të shenjtë” si dhe për një Kishë të themeluar mirë e të aftë për të mos iu trembur persekutimeve të mundshme. “Fjalë këto, të cilat paralajmëronin çuditërisht, atë që do të ndodhte më pas në Kinë, gjatë nëntëqindës” - vijon kardinali Parolin, -duke shtuar se “pavarësisht nga vështirësitë e shumta, Kisha që u mboll në këto troje, gjallon edhe sot e kësaj dite, sepse rrënjët e mbjella nga kleri vendas, u bënë ballë stuhive të kohës!”.

Hapa të bërë e probleme të hapura

“E kjo të shtyn edhe më shumë për ta njohur nga afër aktualitetin e pranisë katolike në Kinë”. Që asokohe e deri më sot, gjatë këtyre njëqind vjetëve, shumë gjëra ndryshuan në botë, e edhe në Kishë. Mjafton të mendosh për Koncilin II të Vatikanit. “Gjithsesi, ndonëse tani për Kishën në Kinë kujdesen vetë besimtarët kinezë, ungjillëzimi i Kinës mbetet akoma sfidë vendimtare për mbarë Katolicitetin. E edhe sot, ashtu si njëqind vjet më parë, rasti kinez tregon se për ta përballuar sfidën e ungjillëzimit, duhet endur përsëri uniteti i Kishës”. Kohët e fundit u bënë hapa të rëndësishme në këtë drejtim. “Pikërisht për ta mbështetur  kumtimin e Ungjillit në Kinë, më 8 shtator 2018, Ati i Shenjtë Françesku, i pranoi në bashkim të plotë shtatë ipeshkvijtë ‘zyrtarë’, të shuguruar pa mandat papnor. Kështu, pas shumë dekadash, të gjithë ipeshkvijtë e Kinës, sot janë në bashkim të plotë me Atin e Shenjtë” - nënvizon kardinali Parolin, duke kujtuar edhe pjesëmarrjen, kohëve të fundit, për herë të parë, të dy ipeshkvijve të Kinës Kontinentale, në Sinodin e tetorit të kaluar. Kisha në Kinë ka nevojë për “unitet” e “besim” si dhe për “hov të ri baritor”. E, siç na e kujton Papa Françesku në Mesazhin e shtatorit 2018 drejtuar katolikëve kinezë “për misionarë të përflakur nga entuziazmi për të komunikuar jetën e vërtetë”. 

Kisha e populli

Është pikërisht universaliteti i Kishës, ai që e shtyn Selinë e Shenjtë të mos ushqejë mosbesim e armiqësi ndaj asnjë vendi, por të ndjekë rrugën e dialogut, me qëllim që të kapërcehen distancat. “Kumtimi i Ungjillit në Kinë nuk mund të veçohet nga sjellja plot respekt, nderim e besim ndaj popullit kinez dhe Autoriteteve të tij të ligjshme” - pohon akoma kardinali Parolin, duke vënë në dukje pikërisht “se Selia e Shenjtë uron që të mund të bashkëpunojë me Kinën edhe lidhur me temat e paqes, të ambientit, të takimit ndërmjet kulturave, duke favorizuar paqen e duke dëshiruar të mirën e mbarë njerëzimit”. Kisha, pastaj, nuk e harron flijimin e bijve të saj të shumtë në Kinë, por pikërisht duke parë shembullin e tyre, kërkon mënyrat më të përshtatshme për t’i arritur kinezët, të cilët nuk e njohin Lajmin e Mirë dhe presin një dëshmi më të lartë nga ana e atyre, që mbajnë emrin  të krishterë. “Urgjenca e ungjillëzimit ofron edhe një perspektivë të aftë për t’i kapërcyer shumë çështje të veçanta, duke pasur parasysh kryesisht përpjeket për unitet, në të cilat teologjia, drejtësia e baritoria - pa përjashtuar as diplomacinë - bashkëveprojnë në mënyrë krijuese e konstruktive”. E shohin të gjithë se edhe sot, kujdesi i veçantë i Papës për Kishën dhe Popullin kinez, has rezistenca e kundërvënie - shkruan kardinali Parolin.- Për sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kontributi që japin veprat e realizuara nga “La Civiltà Cattolica” këto vitet e fundit, ndihmojnë për t’i kapërcyer kundërvëniet e për t’i zgjidhur nyjat, që pengojnë akoma “gëzimin e një takimi të frytshëm”.

Urimi i Papës

Sekretari i Shtetit të Vatikanit pohon, në përfundim, se “qëllimet e veprimtarisë stë Selisë së Shenjtë, edhe në rrethanat e veçanta kineze, mbeten gjithnjë të njëjtat: Salus animarum dhe Libertas Ecclesiae – “Shpëtimi i shpirtave” dhe “Liria e Kishës”.

17 mars 2019, 16:16