Kërko

2019.03.07  conferenza internazionale "Religioni e obiettivi di sviluppo sostenibile" 2019.03.07 conferenza internazionale "Religioni e obiettivi di sviluppo sostenibile" 

Kard. Parolin: roli i feve qendror për zhvillimin e qëndrueshëm të shoqërisë

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Parolin shpreh shqetësimin për "zbatimin e ngadalshëm" të objektivave në fushën e zhvillimit nga Kombet e Bashkuara, për shkak të "mungesës së vullnetit politik", e pjesërisht nga "mungesa e burimeve njerëzore dhe financiare" në këtë fushë.

R.SH. - Vatikan

"Roli i dimensionit fetar " për realizimin dhe zbatimin e 17 objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm që u përcaktuan Kombet e Bashkuara "është qendror për dimensionin e pamohueshëm fetar të njeriut". Duhet të bëhemi zëri i feve që nga bashkësia ndërkombëtare kërkojnë një protagonizëm më të madh në promovimin e paqes dhe në zhvillimin e qëndrueshëm njerëzor, kështu tha mes tjerash Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, në fjalimin e tij, mbajtur sot paradite në konferencën ndërkombëtare “Religions and the Sustainable Development Goals (SDGs): Listening to the cry of the earth and the poor”, organizuar në Vatikan, në Sallën e Re të Sinodit.

Në konferencën ndërkombëtare - organizuar nga Dikasteri i Selisë së Shenjtë për Shërbimin e Zhvillimin e gjithanshëm njerëzor dhe Këshilli Papnor për Dialogun Ndërfetar – marrin pjesë udhëheqës të traditave të ndryshme fetare (krishtera, hebraike, myslimane, budiste, hinduse ...), përfaqësues të OKB-së dhe anëtarë të organizatave jo qeveritare, të cilët për tre ditë do të diskutojnë e ballafaqohen mbi "britmën e tokës dhe të të varfërve"  si dhe mbi veprimet konkrete që fetë mund të promovojnë, për të mirën e përbashkët të njerëzimit.

Kur në shtator të vitit 2015 -  kujtoi kardinali Parolin - më shumë se 150 udhëheqës ndërkombëtarë u takuan në Kombet e Bashkuara dhe vendosën një agjendë deri më 2030 duke përcaktuar vetë 17 objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm, "ata nuk u kushtuan shumë vëmendje feve", duke dhënë, kështu, përshtypjen se iu shmangen "çdo konsiderate që fetë mund të kishin vërtet një rol të rëndësishëm pikërisht për zbatimin dhe realizimin e këtyre objektivave".

E "ky është një lëshim a gabim i madh nga bashkësia ndërkombëtare", që "mund të tejkalohet me një njohje të vërtetë të rolit e të kontributit, madje edhe në kuadrin e Kombeve të Bashkuara, që udhëheqësit fetarë dhe vetë fetë mund të ofrojnë në promovimin e paqes, të dialogut dhe të së mirës së përbashkët".

Kardinali Parolin më pas kujtoi se në raste të ndryshme edhe brenda Kombeve të Bashkuara ka shprehur shqetësimin e madh në lidhje me "zbatimin e ngadalshëm" të objektivave, pjesërisht për shkak të "mungesës së vullnetit politik", dhe pjesërisht nga "mungesa e burimeve njerëzore dhe financiare" në këtë fushë. Dhe pastaj kardinali shtoi: "Nuk duhet të humbim shpresën. Udha është e gjatë dhe e vështirë ". Dihet se bëhet fjalë për objektiva "ambiciozë" dhe të mos harrojmë se fetë duan të jenë ato "shkëndija" që ndihmojnë për të ecur përpara.

07 mars 2019, 16:31