Mariano Mullerat y Soldevila Mariano Mullerat y Soldevila 

Është i Lum, Mariani I Soldevila, mjek, kryebashkiak e martir

Edhe një martir i Luftës civile spanjolle, i vrarë “in odium fidei”, vetëm pse ishte i krishterë, naltohet në nderimet e altarit. Eshtë mjeku katalanas, Mariani I Soldevila, shembull i figurës së laikut të angazhuar. U shpall i Lum sot, në katedralen e Terragonës, ku Papën e përfaqësoi kardinali Angelo Becciu, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve. “Jemi gjithnjë tepër të vegjël, përballë martirëve!” - kujtoi Hirësia e Tij gjatë homelisë.

R. SH. - Vatikan

Mjekimi i të afërmit dhe drita e Fjalës së Zotit: këto, thirrjet e të Lumit të ri, në shekull Mariano Mullerat I Soldevila, laik katalanas, i lumuar sot në Terragonë, vdekur si martir në Luftën civile spanjolle, në moshën 39 vjeçare.

Mjek i korpit e i shpirtit

Në profesionin e mjekut, Mariani gjeti përgjigjen e thirrjes, që e kishte në shpirt. Thirrje, e cila e shtyu gjithë jetën t’u shërbente kryesisht të varfërve, atyre që nuk ishin në gjendje të paguanin, të sëmurëve në prag të vdekjes, të cilët i shoqëronte deri në fund të fundit. E jetoi profesionin e mjekut si mision - vuri në dukje kardinali Becciu - që foli gjatë për impenjimin e të Lumit si laik, për fenë e tij “ngjitëse” e, së fundi, për  vdekjen e tij heroike.

Laik me impenjim të gjithanshëm

“Katalonja o do të jetë e krishterë, o nuk do të jetë më!”. Ky angazhimi  që mori Mariani i cili, gjatë jetës së tij, u zgjodh edhe kryebashkiak i vendit të vet, Arbekës. Të gjithë votuan për të, besimtarë e jo, sepse të gjithë e donin. Ishte katolik, që i “ndoti gjithnjë duart” në shërbim të njerëzve, duke vërtetuar, me jetën e tij, se “politika është forma më e lartë e bamirësisë”.

Ora e fundit

Shërbeu si mjek, derisa në Spanjë plasi lufta civile. Më 13 gusht 1936, Mariani u arrestua, i akuzuar si pjesëmarrës në grupet që zhvillonin  veprimtari kundërevolucionare. Në të vërtetë, u kap thjesht sepse i krishterë tepër i devoçëm e, prej këndej, njeri i padëshirueshëm për revolucionin. Ndërsa e flaknin mbi kamion, një grua i lutej me lot në sy rojeve ta linin të lirë vetëm një çast, sa t’ia vizitonte djalin  e sëmurë rëndë. Nuk e lejuan. Atëherë mjeku shkroi, me duart e lidhura, një recetë e, duke ia dorëzuar nënës së tmerruar, e ngushëlloi, si e kishte zakon: “Mos qaj. Yt bir nuk do të vdesë. Jepi këto ilaçe e lutju Zotit të të ndihmojë”. Për të vijuar, më pas shtegtimin drejt vdekjes, gjithnjë duke u lutur. E kjo i tërboi aq shumë vrasësit e tij, sa njeri prej tyre e goditi në gojë, që ta bënte të heshtëte. Po ai nuk heshti deri në vdekje.

Me Krishtin, deri në fund

“Pati guximin ta dëshmonte Krishtin deri në fund të fundit, në çdo mjedis, përballë çdo vështirësie, gjithnjë” - theksoi kardinali Becciu në homelinë e Meshës me ritin e lumnimit - duke mbetur, kështu, fanar i fuqishëm ndriçues, për t’i shndritur të gjithë ta jetojnë rrënjësisht Ungjillin, e duke i bërë të vetat fjalët e Jezusit: “Kush e do jetën e vet, do ta humbasë, e kush e urren jetën e vet në këtë botë, do ta ruajë për jetën e pasosur”.

 

23 mars 2019, 16:47