Kërko

 Atë Cantalamessa mban predikimin e dytë të Kreshmëve Atë Cantalamessa mban predikimin e dytë të Kreshmëve 

Atë Cantalamessa: shthurja, sëmundje vdekjeprurëse, që na rrezikon të gjithë

Predikatari i Shtëpisë Papnore mbajti sot predikimin e dytë të Kreshmëve, në Kapelën Nëna e Shëlbuesit, në Vatikan, në praninë e Papës dhe të Kuries Romake. Atë Cantalamessa vijoi reflektimet me temë: “In te ipsum redi” - “Riktheju në vetvete”, shkëputur nga mendimi i Shën Agostinit.

R. SH. - Vatikan

Na ishte një herë “jeta shpirtërore”. Në predikimin e dytë të Kreshmëve, Atë Raniero Cantalamessa, predikatar i Shtëpisë Papnore, vuri theksin mbi një epokë, në të cilën jeta shpirtërore është bërë “jetë në krizë”. E kjo, deri në atë masë, sa të shikohet “me dyshim”, për një sërë faktorësh. Disa shkaqe janë në përkim me natyrën njerëzore: vërtet njeriu “është si kat i pjerrët, që anon drejt jashtësisë, të dukshmes, të larmishmes”: ashtu si “Big bang-u” i famshëm, edhe ne jemi në fazën e bymimit e të largimit nga qendra, përherë “në dalje”, “përmes atyre pesë portave, që janë shqisat tona”.

Ikje, drejt botës

Kapelën Redemptoris Mater, në Vatikan, në praninë e Papës e të Kuries Romake, kapuçini vuri theksin edhe mbi disa nga shkaqet “më të veçanta e më aktuale”. “Në kulturën e shekullarizuar e laike të kohëve tona - nënvizoi - rolin, që luante jeta shpirtërore e krishterë, e zëvendësoi  psikologjia e psikanaliza, që gjithashtu shkojnë deri në një shenjë vendi. E aty, ndalen!”.Ndalen para “nënvetëdijes njerëzore”, “sa herë që e përjashtojnë lidhjen e ngushtë të njeriut me Zotin”. Përveç kësaj, në fushën kishtare, pohimi, me Koncilin, i idesë së një Kishte për botën, gati-gati e ka zëvendësuar “idealin e lashtë të ikjes nga bota”, “me idealin e ikjes drejt botës”:

“Braktisja e përbrendësisë dhe projekti drejt përjashtësisë është aspekt - e nga më të rrezikshmit - i fenomenit të shekullarizimit. Ka pasur edhe një prirje për ta justifikuar teologjikisht këtë orientim të ri, që u quajt teologjia e vdekjes së Zotit, ose e qytetit shekullar. Zoti - na e dha vetë këtë shembull - duke u mishëruar, u zbraz e doli nga vetvetja, nga brendësia trinitare, u bë ‘i botës’, domethënë, u shpërnda në botë. U bë, Zoti ‘jashtë vetvetes’”.

Por nëse “njeriu shikon vetëm dukjen”, “Zoti shqyrton zemrën”: prej këndej, urgjenca për të rizbuluar “shijen e pazëvendësueshme të vlerave shpirtërore”. Njeriu sot i dërgon sondat e tij deri në periferi të sistemit diellor, por nuk e di “çka vlon pak metra nën koren e tokësore”, nën këmbët e tij! E, njëlloj, tashmë e merr vesh menjëherë çka ndodh në skajin tjetër të tokës, por nuk arrin të marrë vesh çka i vlon në fund të zemrës së vet”. Në ditët tona, njeriu jeton në një centrifugë aksionesh me gjithë shpejtësinë e mundshme, në gjendje të përhershme “ikjeje” e me “frikën se mund të pushtohet nga heshtja”. Sepse është shpirtërisht bosh! Nuk ka me sa ta mbushë heshtjen që, e zbrazët, vërtet të tmerron! Jeton, kështu, në orgjinë e poteres. E kjo u ndodh sidomos të rinjve, që harrojnë se “jeta shpirtërore është udha, që të çon në jetën e vërtetë”:

“Duhet t’i kundërvihemi me një ‘jo!’ të vendosur kësaj boshatisjeje. Të rinjtë janë më bujarë e më të gatshëm për të ngritur krye kundër skllavërisë! Në të vërtetë aradhe të tëra të rinjsh reagojnë kundër këtij sulmi e, në vend që të arratisen nga vetja, kërkojnë vende e kohë heshtjeje e kundrimi, për të gjetur vetveten e, në vetvete, Zotin! Janë shumë, edhe pse askush nuk flet për ta. Disa kanë themeluar shtëpi lutjeje e adhurimi eukaristik të vazhdueshëm e, përmes rrjetit, u krijojnë shumë të tjerëve mundësinë për t’u bashkuar me ta”.

Nuk duhet të jesh si petk i kthyer mbrapsht

Predikatari i Shtëpisë papnore pohoi se vala e përjashtësisë i merr me vete jo vetëm të rinjtë. Kjo valë merr me vete edhe  njerëz nga më të angazhuarit e më aktivët në Kishë, edhe rregulltarët.

Quhet shthurje, sëmundja mortare, që i rrezikon të gjithë - kujtoi predikatari - e i bën t’u ngjasin petkave të kthyera së prapthi, me shpirtin, që lëkundet nga fryn era:

“Zhdukja e heshtimit është simptomë e rëndë. Janë zhdukur pothuajse kudo kartelat tipike që, në çdo korridor të shtëpive rregulltare, kërkonin, në latinisht ‘Silentium!’. Heshtje! Besoj se mbi shumë mjedise rregulltare varet  mëdyshja: ‘O heshtje - o vdekje!’. Ose gjindesh në një atmosferë që të kujton kohët e heshtjes, ose të zbrazjes së ngadalshme, por të plotë, shpirtërore”.

Atë Raniero Cantalamessa tërhoqi vëmendjen për t’u ruajtur edhe nga vërejtja e përsëritur: “Zoti gjindet jashta nesh, në vëllezërit, në të varfërit, në luftën për drejtësi; gjindet në Eukaristinë, që është jashta nesh, në Fjalën e Vet”. E gjithë kjo është e vërtetë, por vëllai, i varfëri, takohen vërtetësisht në “zemrën” tonë, përndryshe rrezikohemi t’i lëndojmë, më shumë sesa t’i takojmë. Pa harruar kurrë vlerën e veprimit për Zotin, duhet kujtuar se jeta shpirtërore  e thellon dhe e ruan këtë veprim:

“Nëse duam të imitojmë çka bëri Zoti, duke u mishëruar, ta imitojmë deri në fund të fundit. Është e vërtetë se Ai u zbraz, se doli nga vetvetja, nga brendësia trinitare, për të ardhur në botë. Por ama e dimë edhe çka ndodhi. Fjala erdhi ndër ne pa e braktisur gjirin e Atit, Fjala erdhi mes nesh. E edhe ne shkojmë drejt botës, por pa dalë kurrë plotësisht nga vetvetja”.

22 mars 2019, 14:38