Predikimi i Kreshmëve Predikimi i Kreshmëve 

Atë Cantalamessa: kërko sytë e Zotit, jo të njerëzve

Predikatari i Shtëpisë papnore ia kushton reflektimin e parë të periudhës kreshmore luftës kundër hipokrizisë, që Papa e dënon fuqimisht, duke këshilluar ta mposhtim, me korrigjimin e përditshëm të sjelljeve tona, për të vënë në vendin e parë Zotin, jo vetveten!

R. SH. - Vatikan

Cili është kushti themelor për të parë Zotin? Kësaj pyetjeje përpiqet t’i përgjigjet atë Raniero Cantalamessa, me predikimin e së premtes së tij të parë të Kreshmëve, mbajtur sot paradite, në Kapelën e Nënës së Shëlbuesit, në praninë e anëtarëve të Kuries Romake. Përgjigjen mund ta gjejmë tek Lumnitë. Na e tregon vetë Jezusi, kur thotë: “Lum ata, që janë të pastër në zemër, sepse do të shikojnë Zotin!”.

Pastria, në këndvështrimin e seksualitetit

Ndërmjet kuptimeve të shumta që ka fjala “pastri”, predikatari zgjodhi ndershmërinë e ndjeteve dhe pastërtinë e zakoneve.  Dy të kundërtat e tyre janë, nga njëra anë, hipokrizia e, nga ana tjetër, shpërdorimi i seksit.  Lidhur me çrregullimet në sferën seksuale, Atë Cantalamessa komenton:

“Mëkati i papastër nuk të lejon ta shikosh fytyrën e Zotit, ose, nëse të lejon, të bën ta shikosh krejt të deformuar. Bën prej Tij jo mikun, aleatin, mbrojtësin, por kundërshtarin, armikun! Pse? Sepse njeriu i bërë prej mishi e gjaku është përplot me epshe, lakmon gjënë e tjetrit e gruan e tjetrit. Në këtë situatë, Zoti i duket si ai, që ia mbyll rrugën me ‘ti duhet’ e ‘ti nuk duhet’. Mëkati bën që në zemrën e njeriut të lindë një inat i shurdhër kundër Zotit, deri në atë pikë sa, po të varej prej tij, do të dëshironte që Zoti të mos ekzistonte fare!”.

Pastria, si ndershmëri ndjetesh

Por Atë Cantalamessa u ndalua më shumë pikërisht tek ndershmëria e ndjeteve, edhe pse koha e Kreshmëve, e sapo nisur, na rikujton  qortimet e forta të Jezusit: “Kur jep lëmoshë, mos i bjerë borisë para teje, si bëjnë hipokritët; kur lutesh, mos u lut si hipokrit!". E këtu predikatari bëri menjëherë një vërejtje: “Është për t’u çuditur që mëkati i hipokrizisë – më i denoncuari nga Krishti në Ungjijtë - ndjehet shumë pak në rrëmimet tona të ndërgjegjes. E pra mbi hipokrizinë fitohet, nëse pranon se je hipokrit. Ka rëndësi, prandaj, ta pranosh, të kuptosh se secili prej nesh jeton, si të kishte një jetë të dyfishtë; një të vërtetë e një imagjinare, domethënë, çka mendojmë ne për vete e çka mendojnë të tjerët për ne.  E sa vëmendjen ia kushtojmë kësaj jete të dytë…

Hipokriti është gënjeshtar e mësallë me dy faqe

Atë Cantalamessa shpjegoi se termi hipokrizi rrjedh nga gjuha teatrale e të kujton menjëherë rrenën, pjesë e rolit, që luan e që të bën të flasësh fjalë, të cilat nuk përkojnë me ndjenjat tua të vërteta. Tjetër flet, e tjetër gjë ke në zemër! Këtë e kishin të qartë njerëzit e dikurshëm, por sot mbetet vetëm kuptimi negativ i fjalës, aq sa askush nuk mburret se është hipokrit! E, lidhur me hipokrizinë, Atë Cantalamessa shton:

“Hipokrizi do të thotë sjellje që e shndërron jetën në teatër, në të cilin flitet për publikun; do të thotë të jesh person - e të bëhesh personazh. E nuk duhet harruar se ndërmjet personit e personazhit ka shumë ndryshim. Personazhi është korrupsioni i personit. Personi është fytyrë, personazhi, maskë. Personi është krejt lakuriq, personazhi është një grumbull veshjesh, plotësisht i trukuar. Personi është vërtetësi, personazhi, trillim e artificialitet. Personi i nënshtrohet bindjeve, personazhi, tekstit të rolit, që luan”.

Për hipokritin njeriu ka shumë më tepër rëndësi, sesa Zoti

Kjo prirje, me të cilën njeriu lind, është thelluar jashtëzakonisht në kulturën aktuale, të sunduar nga figura - vërejti predikatari - e u ngre kurthe posaçërisht rregulltarëve, sepse pikërisht atje, ku çmohen më shumë vlerat e shpirtit, të mëshirës e të virtyteve, atje është edhe më i fortë  tundimi, për të mos u dukur si njerëz të humbur. Po hipokrizia nuk është vetëm mashtrim e dyfytyrësi - ngulmoi atë Cantalamessa - hipokriti ia ul vlerën Zotit, e vë në plan të dytë, duke vënë në plan të parë krijesat, publikun e, natyrisht, interesat e veta. E kështu, i mungon krejtësisht edhe dashuria për njeriun, sepse e shikon tjetrin si admirues, në funksion të vetvetes.

Ilaçet kundër hipokrizisë?

Krishti e dënon hipokrizinë me fjalë të ashpra  - kujtoi predikatari -  e di se nuk është e lehtë ta mundësh, sepse nuk mund ta shmangim  instinktin, që na shtyn të dukemi në një dritë sa më të mirë. E atëherë duhet të përdorim një armë, ditë për ditë:

“Jezusi këshillon me ngulm këtë ushtrim: ‘Lutu në fshehtësi, agjëro në fshehtësi, jep lëmoshë në fshehtësi e Ati yt, që shikon në fshehtësi, do të të shpërblejë’. Jezusi thotë edhe: ‘Kështu do të shkëlqejë drita juaj para njerëzve, sepse do t’i shikojnë sjelljet tuaja të mira e do t’ia japin lavd Atit tuaj, që është në qiell’”.

Lexojeni e ballafaqojuni me Psalmin 139

1. Drejtorit të korit. Psalm i Davidit.

2. Më shpëto, o Zot, prej njeriut të keq,

më ruaj prej njeriut gjaksor;

3. prej kujt në zemër bluan veç të këqija,

e për gjithë ditë veç sherre di të ngjallë!

4. Gjuhën spërdredhin porsi gjuhë gjarpri,

ndër dhëmbë helmin e kanë porsi nëperkat.

5. Shpëtomë, o Zot, prej duarve të mbrapshtit,

më ruaj prej njeriut gjaksor.

Ata mendojnë vetëm për të më rrëzuar.

6. Madhështorët kurthe sajojnë, më ngrenë spilca,

e leqe më thurin, si të ishin rrjeta;

kurthet tinzare gjatë rrugës m’i kanë fshehë.

7. Zotit i them: Hyu im je ti;

zërin e lutjes, o Zot, ti ma dëgjo!

8. O Zot, Hy, ti ndihma ime e fuqishme,

ti kokën ma ruaj në kohën e betejës.

9. Mos ia plotëso dëshirat, o Zot, të prapit,

planet e tija në vend ti mos ia ço.

10. Mos ta çojnë kokën, ata që më rrethojnë;

helmi i buzëve të tyne ata vetë i helmoftë!

11. Gaca bungu mbi ta porsi bie shiu rënshin;

në gropë bëj të bien pa mujtë ta nxjerrin kryet.

12. Gojëkeqi në tokë vend më mos gjetët,

gjaksorin të këqijat e ndjekshin perorë!

13. E dij se Zoti të drejtën ia kthen të mjerit,

arsye i ep të shtypurit e nevojtarit.

14. Kështu të drejtët emrin tënd do ta lëvdojnë,

e të mirët do të banojnë në praninë Tënde.

15 mars 2019, 19:25