Kërko

 Dalla messa di beatificazione dei 38 martiri albanesi Dalla messa di beatificazione dei 38 martiri albanesi 

Dita e 24-të e Misionarëve Martirë, dëshmitarë të Ungjillit

Më 24 mars shënohet Dita e Lutjes dhe agjërimit për misionarët martirë, dëshmitarë të Ungjillit, të cilët na ftojnë të qëndrojmë në shpresë, fe e vëllazërim. Kjo ditë përkon me përvjetorin e vrasjes së kryeipeshkvit katolik të San Salvadorit, imzot Oskar Arnulfo Romero më 24 mars 1980, derisa kremtonte Meshën e Shenjtë. E sot nuk mund të mos kujtojmë këtu, të gjithë misionarët që dhanë jetën në trevat shqiptare e posaçërisht në Shqipëri e në trevat shqiptare.

R.SH. - Vatikan

Me 24 mars bie Dita e 24-të  Botërore e lutjes dhe agjërimit për misionarët martirë, dëshmitarë të Ungjillit, në përvjetorin e vrasjes së imzot Oskar Romeros.

Më 24 mars shënohet Dita e Lutjes dhe agjërimit për misionarët martirë, dëshmitarë të Ungjillit. Kjo ditë përkon me përvjetorin e vrasjes së kryeipeshkvit katolik të San Salvadorit, imzot Oskar Arnulfo Romero më 24 mars 1980, derisa kremtonte Meshën e Shenjtë. Ai pat denoncuar me forcë padrejtësitë dhe pabarazinë shoqërore në vendin e tij. 

E që nga viti 1993 Kisha Katolike ia kushton këtë ditë misionarëve martirë e kështu sot më 24 mars mediton mbi vlerën e farës së gjakut të martirëve, që dhuruan jetën e tyre për Krishtin dhe për njeriun vëlla, duke flijuar çdo gjë, deri jetën për fe e për dashuri vëllazërore.

Jeta e këtyre martirëve na përket të gjithëve, për këtë arsye, në këtë ditë, që nga viti 1994 Kisha lutët për misionarët që derdhen gjakun për Krishtin dhe na fton të përforcohemi në fenë tonë të krishterë e në misionin tonë të përditshëm të bartjes e dëshmisë së dashurisë së Krishtit në çdo çast e mjedis ku gjendemi, jetojmë dhe veprojmë.

E sot nuk mund të mos kujtojmë këtu, të gjithë misionarët që dhanë jetën në trevat shqiptare e posaçërisht në Shqipëri e në trevat shqiptare, duke vuajtur së bashku me popullin dhunën e persekutimin e periudhave të ndryshme të errëta si në kohën otomane e atë komuniste, por edhe kontributin e shumë prej tyre në përparimin e mbarë kombit dhe ruajtjen e kultivimin e identietit shqiptar.

Misionarët martirë nuk janë larg jetës së përditshme, por thjesht dëgjuan zërat që vinin nga territori i tyre e sfidat e tij dhe dëshmuan aty Krishtin. Sigurisht, nuk është e thjeshtë, por ia dolën mbanë, prandaj edhe ne duhet të dëgjojmë se ç’vjen nga vendi ku jetojmë e të jemi të krishterë gjithmonë, në kishë, por sidomos në jetën e përditshme, jashtë kishës. Duhet t’u japim sfidave e provokimeve që vijnë nga bota, një përgjigje të bazuar në Ungjill.

Misionarët martirë janë « shpresë për botën », që na kujtojnë vlerën e krishterë të martirizimit. Martirizimi i krishterë përligjet vetëm si akti më i lartë i dashurisë për Zotin e për vëllezërit. Martirët dëshmojnë se dashuria e Krishtit është më e fortë se dhuna e se urrejtja. Ata nuk e kërkuan martirizimin, por qenë gati të japin jetën për t’i qëndruar besnikë Ungjillit 

22 mars 2019, 18:30