Kërko

Papa Françesku, për vizitë në spitalin "Bambino Gesù" Papa Françesku, për vizitë në spitalin "Bambino Gesù" 

150-vjetori i spitalit “Bambino Gesù”. Kard. Parolin: Kisha do të kujdeset gjithnjë për të sëmurët

Filluan në Romë kremtimet për 150-vjetorin e Spitalit Pediatrik “Bambino Gesù”. Është shprehje e “vëmendjes së vazhdueshme të Kishës për njeriun”, siç tha Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kard. Pietro Parolin, gjatë përurimit të kremtimeve.

R.SH. - Vatikan

Nga një “dhuratë e fëmijëve për fëmijë të tjerë”, ajo e kutisë së kursimit të bijve të dukëve Salviati, në favor të projektit të një spitali për të vegjlit e sëmurë në Romë, që shënoi themelimin, më 19 mars 1869, në parrullën e zgjedhur për 150-vjetorin e veprimtarisë: “E ardhmja është histori e fëmijëve”. Ky është Spitali Pediatrik “Bambino Gesù” në Romë – i vetmi spital i Selisë së Shenjtë – që, për një shekull e gjysmë, kujdeset, bën punë kërkimore-shkencore e tregon vëmendje të vazhdueshme ndaj fëmijëve. Sot, 150-vjetori i tij u kremtua në selinë e këtij spitali, pranë Bazilikës së Shën Palit jashtë Mureve, hapi i parë i një sërë ngjarjesh, kushtuar këtij përvjetori.

Vështrim dashurie

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin foli në këtë përkujtim, në prani të kreut të shtetit italian, Sergio Mattarella, të ministres së Shëndetësisë, Giulia Grillo, të presidentit të Rajonit të Lazio-s, Nicola Zingaretti, të kryetares së bashkisë së Romës, Virginia Raggi dhe të presidentes së spitalit, Mariella Enoc. Ai u çoi të pranishmëve “afërsinë dhe bekimin” e Papës Françesku, duke shprehur sigurinë se Kisha “nuk do të reshtë kurrë së kushtuari vëmendje për të sëmurët”, duke i parë me dashuri dhe me qëndrim profetik.

Kujdesi për njeriun

Nga ana tjetër, tha kardinali, “të shkosh për vizitë tek të sëmurët është një nga veprat e mëshirës, ​​një nga veprat e dashurisë, e cila duhet të karakterizojë stilin individual të të krishterëve dhe atë të bashkësive të krishtera”. Fjalën e Jezu Krishtit, sipas Ungjillit të Mateut, “Isha i sëmurë dhe më vizituat”, Kisha, shpjegoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit, e ka interpretuar në shumë mënyra, përfshirë ngritjen e spitaleve dhe të institucioneve të tjera shëndetësore, që shtohen me kalimin e kohës. Është “shenjë e vëmendjes së vazhdueshme për njeriun”, sidomos për “më të dobëtit dhe më të brishtët”, si edhe e përpjekjes për ta kuptuar menjëherë e shpesh, përpara shoqërisë civile, cilat janë nevojat e kohës. Trajtimi mjekësor, vijoi kardinali Parolin, “kalon domosdoshmërisht përmes punës kërkimore, që ka nevojë për investime të konsiderueshme në struktura, teknologji dhe burime njerëzore”, prandaj, “është thelbësore të investojmë në risimin shkencor për t’iu përgjigjur sfidave të së ardhmes”. Duke kujtuar se kur u ngrit spitali “Bambin Gesù” nuk kishte të tjerë si ai, që i kushtoheshin vetëm kujdesit për fëmijët, kardinali përmendi “varfëritë e reja shëndetësore”, sëmundjet kronike e të rralla, çrregullimet mendore, të moshuarit dhe të mënjanuarit.

“Të fundmit gjithmonë do të mbrohen, gjithmonë do të ketë familje, që duhen përfshirë në trajtimin shëndetësor, gjithmonë duhen aktivizuar rrjete që askush të mos mbetet vetëm. Sepse, siç na kujtoi Papa Françesku në mesazhin për Ditën Botërore të të sëmurëve të këtij viti, ‘shëndeti është marrëdhënie, varet nga ndërveprimi me të tjerët dhe ka nevojë për besim, miqësi dhe solidaritet, është pasuri, të cilën mund ta gëzojmë plotësisht, vetëm nëse e ndajmë me të tjerët’”.

Lindja e misioneve ndërkombëtare

         Duke përmendur misionet ndërkombëtare të Spitalit “Bambino Gesù” në botë, si në Kamboxha, në Republikën e Afrikës Qendrore, në Jordani, Siri, Indi, Tanzani, Gjeorgji, Rusi, Kinë, Etiopi e, edhe në Shqipëri, prelati përfundoi, duke kujtuar hapjen e spitalit të Banguit. Kjo dëshmon se për Spitalin e Krishtit Fëmijë nuk ka mure e kufij, raca e përkatësi fetare, që mund ta ndajnë atë nga bamirësia për të tjerët.

19 mars 2019, 14:36