Këshilli i Kardinajve C9 Këshilli i Kardinajve C9 

Vatikan: Kushtetuta e re Apostolike , në qendër të takimit C9

Përfunduan takimet e C9, domethënë, të nëntë kardinajve, që e ndihmojnë Papën për të reformuar Kurien Romake. Të nëntët, që do të jenë të pranishëm edhe në samitin kundër abuzimeve, reflektuan mbi Kushtetutën e re Apostolike.

R. SH. - Vatikan

Përfunduan sot takimet e C9, domethënë të nëntë kardinajve, që e ndihmojnë Papën për të reformuar Kurien. Njoftimin e jep zëdhënësi i përkohshëm i Vatikanit, Alessandro Gisotti. Papa ishte gjithnjë i pranishëm, me përjashtim të ditës së sotme, i zënë, siç ishte, me audiencën e përgjithshme.

Veprimtaria e parë e këtij takimi të 9 Kardinajve - njoftoi Gisotti - iu kushtua përditësimit dhe leximit të Kushtetutës së re Apostolike, titulli i përkohshëm i së cilës është “Predikojeni Ungjillin!”. Takimi vijoi me   rishikimin stilistik dhe kanonik të tekstit. U vendos të kërkohet edhe mendimi i Konferencave Ipeshkvnore Kombëtare, Sinodeve të Kishave Lindore, Dikastereve të Kuries Romake, Konferencave të Eprorëve të Mëdhenj dhe disa Universiteteve Papnore.

Pedofilia: samiti kundër-abuzimeve, në takimin C9

Në takimet e reja të C9 - 9 kardinajve, u fol edhe për samitin e dëshiruar nga Papa për t’i vënë pritë  pedofilisë, që do të nisë nesër, për të vijuar deri të diel. Zëdhënësi i përkohshëm i Vatikanit, Gisotti -  gjatë takimit të sotëm -  kujtoi se dje u dëgjua  atë Lombardi, koordinator i samitit:

“U theksua fort edhe rëndësia e kësaj ngjarjeje në angazhimin për ta bërë Kishën shtëpi gjithnjë më të sigurt për fëmijët dhe adoleshentët. Në këtë kontekst - shpjegoi Gisotti - në Këshillin e Nëntë kardinajve  u mbajt një reflektim i vëmendshëm edhe mbi shkarkimin nga gjendja klerikale e ish-kryeipeshkvit të Washingtonit, Theodore MvCarrick”, imponuar nga Kongregata për Doktrinën e Fesë.

Anëtarët e Këshillit, edhe pse nuk janë kryetarë të konferencave ipeshkvnore ose të ndonjë zyre tjetër, si dhe ipeshkvi sekretar i Këshillit me zëvëndësin e tij, do të marrin pjesë edhe në takimin e rangut të lartë, në Vatikan, kushtuar ‘Mbrojtjes së të miturve në Kishë’”.

20 shkurt 2019, 15:24