Tveit, "kohët e vështira kërkojnë veprime të guximshme në emër të Zotit e për të mirën e të gjithë njerëzve"
R.SH. - Vatikan
"Sot jetojmë në kohë të vështira, që nga ana jonë kërkojnë veprime të guximshme në emër të Zotit dhe për të mirën e të gjithë njerëzve". Kështu tha Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit Botëror të Kishave, Olav Fykse Tveit, në fjalën e tij mbajtur sot në Konferencën Ndërkombëtare të Abu Dabit, në Emiratet e Bashkuara Arabe, mbi temën “Vëllazëria njerëzor”, në të cilën sot pasdite ndërhyri edhe Papa Françesku dhe Imami i Madh i Al Azhar, Ahmed Al-Tayyeb.
Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit Botëror të Kishave, Olav Fykse Tveit, në fjalën e tij u kërkoi liderëve fetarë "një kontratë të re sociale" për një vëllazërim të vërtet njerëzore. E këtë "sepse udhëheqësit dhe institucionet fetare kanë ndikim të madh në jetën e njerëzve dhe në promovimin e kohezionit shoqëror, prandaj, si njerëz besimtarë dhe udhëheqës fetarë duhet të ngulim këmbë e të nënvizojmë vlerën dhe konceptin e qytetarisë mbi bazën e diversitetit, promovimit të lirisë fetare dhe solidaritetit ndërmjet komuniteteve të ndryshme fetare. Së bashku me të tjerë, politikanë, ligjvënës dhe media, duhet të promovojmë qytetarinë e vërtetë dhe të përbashkët. Kjo - besoj unë, tha Sekretar i Këshillit Botëror të Kishave, Olav Tveit - do të kontribuonte ndjeshëm në luftimin e shumë formave të ekskluzivizmit, diskriminimit dhe racizmit të kohës sonë".
Një "pakt i ri shoqëror" - shtoi Tveit - është i domosdoshëm "kudo, por veçanërisht në Lindje të Mesme, djepi i tre feve tona abrahamike". Duke pranuar se si populli palestinez ka vuajtur për shkak të mungesës së qytetarisë e shtetësisë solide, Sekretari i Këshillit Botëror të Kishave përfundoi duke thënë se: “duhet të kujdesemi për të drejtat e njeriut të të gjithëve. Vetëm respektimi i drejtave të njeriut për këdo është - në kuptimin e mirëfilltë të fjalës - mishërim i dashurisë dhe i kujdesit për tjetrin".