Kërko

Scicluna.jpg

Takimi për mbrojtjen e të miturve. Imzot Scicluna: heshtja është e papranueshme

Në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë, u mbajt konferenca e paraqitjes së Takimit mbi “Mbrojtjen e të miturve në Kishë”, që do të zhvillohet në sallën e re të Sinodit, në Vatikan, nga 21 deri më 24 shkurt 2019.

R.SH. - Vatikan

Të enjten, Kisha do të ndalet katër ditë me radhë, për të reflektuar, për t’u lutur, për të diskutuar e pastaj, për të vepruar kundër plagës së abuzimeve me të miturit nga ana e disa anëtarëve të klerit. Sot, paradite, në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë, u mbajt një takim me gazetarët, për të paraqitur programin e konferencës, që do të vijojë nga 21 deri më 24 shkurt, në praninë e 190 pjesëmarrësve: kryetarë të Konferencave Ipeshkvnore të të gjithë botës, së bashku me përfaqësues të tjerë të Kuries Romake e të Kishës Katolike.

3 ditë mbi 3 tema. Pastaj lutje e meshë

         Atë Federiko Lombardi, moderatori i Takimit, shpjegoi se synimi i tij është të përcaktojë e t’i sqarojë ipeshkvijtë si duhet të sillen para rasteve të abuzimit; cilat janë hapat, që duhen ndërmarrë për të mbrojtur viktimat, duke respektuar të vërtetën dhe njerëzit e përfshirë në çështje, në mënyrë që asnjë rast të mos fshihet. Ditët janë ndarë në tema. Së pari, “përgjegjësia” e ipeshkvijve, por edhe e krejt Kishës, e cila duhet të refuzojë çdo formë mashtrimi, çdo abuzim me pushtetin, me ndërgjegjen e me seksin. Dita e dytë i kushtohet “llogaridhënies” (accountability). Duhet gjetur një sistem “bashkëpërgjegjësie”, nënvizoi atë Lombardi, ndërmjet Kishave lokale dhe Selisë së Shenjtë, në mënyrë që ipeshkvijtë të jenë të qartë cila është përgjegjësia e tyre dhe kujt duhet t’i japin llogari. Së treti, transparenza ndaj Popullit të Zotit. Kisha e ipeshkvi, në veçanti, duhet t’i kuptojnë pasojat e shpërdorimeve për viktimat dhe familjet e t’i marrin përsipër vuajtjet e tyre.

Komiteti organizativ do të takohet me viktimat e abuzimeve

         Meqë grupe e shoqata viktimash janë të pranishme në Romë, Komiteti organizativ i Takimit do të presë një grup përfaqësuesish nga vende të ndryshme. Atë Lombardi nuk njoftoi as për vendin, as për kohën e këtij takimi, por sqaroi se nuk është menduar ndonjë takim i viktimave me Atin e Shenjtë. Megjithatë, shtoi, “i kemi veshët hapur e jemi gati të presim të gjitha mesazhet, që do të na vijnë këto ditë”. Të shtunën pasdite, do të ketë një liturgji pendestare, ndërsa të dielën, të gjithë ipeshkvijtë do të marrin pjesë në kremtimin eukaristik në Sallën Regia, në orën 9.30. Homelia do të thuhet nga kryetari i Konferencës Ipeshkvnore Australiane, imzot Mark Coleridge. Papa do të hapë e do të mbyllë Takimin, me një reflektim të tij. Çdo ditë do të ketë 3 relacione, të ndjekura nga pyetje e përgjigje dhe nga punime në grupe. Do të dëgjohen dëshmitë e viktimave dhe do të ketë lutje, në fillim e në mbyllje të ditës.

Pikë referimi, Motu Proprio “Si një nënë e dashur”

         Gjithnjë, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, imzot Charles Scicluna, kryeipeshkëv i Maltës dhe anëtar i Komitetit organizativ të Takimit mbi “Mbrojtjen e të miturve në Kishë”, nënvizoi se mund të bëhet e njohur lista e numri i viktimave të abuzimit. Por, saktësoi ai, “nuk mjafton të publikohet numri, nevojitet një studim më i thelluar për ta inkuadruar çështjen”. Imzot Scicluna përmendi Motu Proprio-n e Papës Françesku me titull “Si një nënë e dashur”, ku Ati i Shenjtë përcakton një procedurë të qartë për të arritur në denoncimin e rasteve të shpërdorimit. Nuk është fjala te statistikat, nënvizoi ipeshkvi maltez, por tek sensibilizimi kulturor i Kishës, në mënyrë që të gjithë ta ndjejnë jo vetëm për detyrë, por të kenë edhe pushtetin për të bërë diçka. “Nëse bariu i Kishës nuk e bën mirë detyrën e vet – shpjegoi imzot Scicluna – ka një procedurë për ta denoncuar”. “Mohimi [i rasteve të abuzimit] është mekanizëm primitiv – shtoi ipeshkvi – duhet të largohemi nga kodi i heshtjes, ta thyejmë bashkëfajësinë, sepse heshtja është e papranueshme”. Kur është fjala për “mbrojtjen e pafajësisë”, “nuk duhet të dorëzohemi”: duhet të gjejmë zgjidhje gjithnjë e më të përshtatshme për problemin, që “Kisha të jetë vend i sigurt për të gjithë, veçanërisht për fëmijët”. Imzot Charles J. Scicluna foli edhe për pritshmërinë e këtij takimi, duke deklaruar se ato duhet të jenë të arsyeshme: në tri ditë, në fakt, nuk mund të zgjidhen të gjitha çështjet. Thelbësor do të jetë zbatimi i vendimeve në realitetet individuale të çdo dioqeze.

Transparencë e plotë

         Pyetja drejtuar një anëtari tjetër të Komitetit organizativ, kryeipeshkvit të Çikagos, kardinalit Blaise Cupich, kishte të bënte me faktin se më se 80% e viktimave të abuzimeve janë adoleshentë meshkuj. Mund të mendohet se problemi është homoseksualiteti. “Është e rëndësishme të pranohet fakti se në shumicën e rasteve viktimat e abuzimit janë meshkuj, – u përgjigj kardinali Cupich – por organizatat ndërkombëtare e kanë studiuar thellë këtë çështje: homoseksualiteti nuk është kauzë në vetvete, abuzimet shpesh janë çështje mundësie, rasti, kanë të bëjnë me nivelin e ulët të arsimimit”. Gjithsesi, u nënvizua gjatë konferencës për shtyp, monitorizimi i vazhdueshëm i fenomenit është i rëndësishëm. Kardinali Cupich vuri në dukje se piku i abuzimeve është regjistruar në vitet ’60, ndërsa tani rastet janë ulur në rreth 5 në vit. Çdo ipeshkëv, nënvizoi kardinali Cupich, është takuar me viktimat në dioqezën e vet e mbart në zemër plagët e atyre, që kanë pësuar abuzime nga anëtarët e klerit.

Kontroll në seminare

         Përsa i përket testeve psikologjike për seminaristët, që përgatiten të bëhen meshtarë, kryetari i Qendrës për Mbrojtjen e të Miturve në Universitetin Papnor Gregorian, atë Hans Zollner, nënvizoi se nga njëra anë, ekziston një lloj niveli sigurie në vlerësim, por nuk është e mundur që, vetëm mbi baza psikologjike, të thuhet nëse personi do të bëhet shpërdorues seksual. “Në të kaluarën – deklaroi ai – psikiatrët mendonin ta zgjidhnin problemin, duke trajtuar abuzuesit. Pas një viti dërgoheshin sërish në famulli e rifillonin abuzimet. Sot, një psikiatër serioz nuk e bën më një gjë të tillë, pikërisht se nuk ka siguri absolute”.

Ndihmë për informacion të qartë

Për ndjekjen e Takimit mbi “mbrojtjen e të miturve në Kishë” është aktivizuar një faqe zyrtare “pbc2019.org”. Atë Hans Zollner, kryetar i Qendrës për Mbrojtjen e të Miturve në Universitetin Papnor Gregorian, anëtar i Komisionit Papnor për Mbrojtjen e të Miturve dhe pikë referimi për Komitetin Organizativ, shpjegoi portalin, i cili do të përditësohet rregullisht. Ka edhe një pyetësor për pjesëmarrësit. Motra Bernadette Reis, ndihmëse e drejtorit të përkohshëm të Zyrës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Alessandro Gisotti, së fundi, njoftoi se mediave do t’u jepet një “press kit”.

18 shkurt 2019, 17:07