Kërko

 Kryeipeshkvi i Manilës, kardinali  Luis Antonio Tagle Kryeipeshkvi i Manilës, kardinali Luis Antonio Tagle 

Takimi në Vatikan. Kardinali Tagle: “mungesa e përgjigjeve i preku në zemër njerëzit tanë”.

Duke mbajtur relacionin e parë në takimin kushtuar “Mbrojtjes së të miturve”, në Vatikan, menjëherë pas hapjes nga ana e Françeskut, kardinali Tagle theksoi: “mungesa e përgjigjeve i preku në zemër njerëzit tanë”.

R. SH. - Vatikan

“Nuk i dhamë përgjigjen e duhur vuajtjes së viktimave, duke arritur deri në atë pikë, sa të mos u besonim, t’i mbulonim shkandujt e t’i mbronim abuzuesit dhe institucionet, gjë që i preku keqas njerëzit tanë, duke hapur një plagë të thellë në marrëdhëniet tona me ata, të cilëve jemi të thirrur t’u shërbejmë”. Këtë theksoi kardinali Luis Antonio Tagle, kryeipeshkëv i Manilës e kryetar i Caritas Internationalis, duke mbajtur sot relacionin e parë të takimit, në Vatikan, kushtuar “Mbrojtjes së të miturve”, menjëherë pas hapjes së tij nga Papa. “Duhet të jemi vazhdimisht në kontakt me plagët e njerëzimit”: këtë theksoi kardinali Tagle në relacionin e tij, titulluar “Era e deleve. T’i njohë vështirësitë e t’i shërojë plagët: kjo është detyra kryesore e bariut” - që do të thotë, detyra e Kishës së të gjitha kohëve.

“Duke i prekur plagët e njerëzve që vuajnë, prekim plagët tona e prekim Krishtin” - kjo, teza e kardinalit, i cili kujtoi se “plagët e Krishtit mbeten në plagët e botës sonë”. Ai, që i mbyll sytë, për të mos i parë plagët, nuk  duhet e as nuk mund të thotë: “Zoti im e Hyji im!”. Nuk kam të drejtë ta shpall fenë time, nëse nuk e marr seriozisht vuajtjen e të afërmit tim. Vetëm një fe “e plagosur” është e besueshme: nuk mund të themi se kemi fe, e t’i mbyllim sytë përballë vuajtjeve të njerëzve të shpërdoruar! Secili nga ne ka përgjegjësi personale. Secili duhet t’i mjekojë plagët e Krishtit, secili duhet të bëjë të pamundurën, që të miturit dhe njerëzit e ligshtë të ndjehen plotësisht të sigurt në bashkësitë tona. Kjo, thirrja drejtuar nga kardinali Tagle, sipas të cilit “të mjekosh plagët, është akt feje”, posaçërisht kur bëhet fjalë për “të pafajshëm, që vuajnë”.

21 shkurt 2019, 13:44