Kërko

2019.01.21 Vetrate della Chiesa interno 2019.01.21 Vetrate della Chiesa interno 

Shenjtorët e javës 3 – 10 shkurt

Shën Vlashi, sipas traditës, ka qenë ipeshkëv i Sebastes, në Armeni, gjatë paqes konstantiniane. U martirizua në vitin 316. Meqë pati shëruar për mrekulli një fëmijë, të cilit i kishte mbetur në fyt një halë peshku, thirret në ndihmë për sëmundjet e fytit. Për këtë arsye behet edhe bekimi i fytit me dy qirinjtë e kryqëzuar.

R.SH. - Vatikan

E Diel 3 shkurt, Kisha Katolike kremton të dielën e katërt gjatë vitit kishtar e, po me 3 shkurt, kalendari kujton shën Vlashin, ipeshkëv i Sebastes e martir, shën Ansgarin, ipeshkëv i Hamburgut dhe i Bremës, apostull i Skandinavisë. Shën Vlashi, sipas traditës, ka qenë ipeshkëv i Sebastes, në Armeni, gjatë paqes konstantiniane. U martirizua në vitin 316. Meqë pati shëruar për mrekulli një fëmijë, të cilit i kishte mbetur në fyt një halë peshku, thirret në ndihmë për sëmundjet e fytit. Për këtë arsye behet edhe bekimi i fytit me dy qirinjtë e kryqëzuar.

Të hënën më 4 shkurt, bie përkujtimi liturgjik i shën Gjilbertit dhe e shën Jozefit nga Leonesa. Ungjilli i ditës na tregon për të djallosurin e shpëtuar nga Jezusi, i cili e shndërroi në një lajmëtar të mrekullive të Zotit kundër së keqes. Forcojeni zemrën, ju që shpresoni në Hyjin.

Të martën më 5 shkurt, kalendari kishtar përkujton shën Agatën, apo Agen o Agetinën. Dy femra, njëra e vajzë e vogël, në prag të vdekjes e, tjetra, grua me një sëmundje, prej së cilës i vinte turp: këto na paraqet Ungjilli i kësaj dite. Të dyja provojnë pushtetin e dashurisë së Zotit, që i kthen në jetë. Do të thurin lavde o Zot, ata që të kërkojnë, këndon psalmisti.

Më mërkurën më 6 shkurt, kalendari përkujton shën Pal Mikin me shokë, të gjithë martirë dhe shën Dorotea-n, virgjër e martire. Fjala e Jezusit në sinagogë, na kujton Ungjilli i ditës, i habit bashkëkohësit e vëllezërit në fe. Megjithatë, shumë nuk e besojnë e madje e përbuzin. Por dashuria e Zotit fiton gjithmonë.

Të enjten më 7 shkurt, bie përkujtimi liturgjik i shën Rikardit dhe të Lumit Piu IX, papë. Ungjilli i ditës na kujton detyrat, që u dha Krishti dishepujve të vet: t’i kthejnë njerëzit në fe, të shërojnë të sëmurët duke i vojuar, të përzënë shpirtrat e ndyrë e të nisen në mision vetëm me sandalet e me një palë petka, pa bukë, pa strajcë, pa para me vete. Dha kështu imazhin e Kishës së ardhshme.

Të premten më 8 shkurt, kalendari kishtar  kujton shën Jozefinën Bakita, virgjër dhe shën Jeronimin Emiliani, themelues i somaskëve, pajtor i jetimëve dhe i fëmijëve të braktisur. Liturgjia e ditës na kujton se Jezusi është kundër sjelljeve formale, kundër dokeve e zakoneve meskine, krijuar nga traditat njerëzore, që ndryshojnë me kohë, sepse e zvogëlojnë shpirtin e njeriut. Zoti do që njeriu të ecë në rrugën e së mirës me vetëdije e liri të plotë.

Të shtunën më 9 shkurt, përkujtohet shën Apolonia, virgjër e martire dhe shën Sabini. Liturgjia e ditës na kujton se Jezusi i  shumëzon bukët e peshqit për të dëshmuar se Zoti është Bariu i të gjithëve e me Të, nuk na mungon asgjë.

E diela e ardhshme më 10 shkurt, Kisha katolike kremton të Dielën e 5-të gjatë vitit kishtar, e gjithnjë më 10 shkurt, kalendari kujton shën Skolastikën, virgjër, motër e shën Benediktit, dhe shën Silvanin. Kisha përgatitet të kremtojë festën e Zojës së Lurdës, që bie të nesërmen, më 11 shkurt, e duke pasur parasysh se njëkohësisht, bie Dita e të Sëmurit, u thotë besimtarëve, me fjalët e Krishtit: “Shko, e bëj edhe ti kështu”, duke u kërkuar të ndihmojnë pikërisht të sëmurët.

02 shkurt 2019, 18:04