Kërko

Përfundoi Takimi për mbrojtjen e të miturve në Vatikan Përfundoi Takimi për mbrojtjen e të miturve në Vatikan 

Përfundoi Takimi për mbrojtjen e të miturve në Vatikan. 21 pika reflektimi

Me meshën e sotme në Sallën Regia dhe me liturgjinë pendestare të djeshme, përfundoi në Vatikan, Takimi për mbrojtjen e të miturve. Nga transferimet e meshtarëve në vlerësimet psikologjike për seminaristët, nga zhveshja e priftërinjve dhe e rregulltarëve, që njollosen me krimin e abuzimit, tek mosha minimale për martesë: këto, disa nga pikat e reflektimit, përcaktuar nga Papa Françesku.

R.SH. - Vatikan

Me meshën e sotme në Sallën Regia dhe me liturgjinë pendestare të djeshme, përfundoi në Vatikan, Takimi për mbrojtjen e të miturve, pas katër ditësh me reflektime, diskutime e vlerësime, për t’u dhënë ipeshkvijve të pranishëm norma të sakta veprimi në rastet e abuzimeve me fëmijët nga ana e anëtarëve të klerit.

Për Shqipërinë, mori pjesë në takim, kryetari i Konferencës Ipeshkvnore, imzot George Frendo, kryeipeshkëv metropolit i Tiranë-Durrësit. Në ditën e parë, të enjten e kaluar, tema kryesore ishte ajo e përgjegjësisë së ipeshkvijve për detyrat e tyre baritore, shpirtërore dhe juridike. Dita e dytë u mor kryesisht me “llogaridhënien” (accountability), duke diskutuar zgjidhjet, që duhet të miratohen në përputhje me të Drejtën Kanonike, për të vlerësuar rastet kur barinjtë e Kishës nuk e kanë kryer detyrën dhe kanë vepruar me neglizhencë. Së fundi, dita e tretë iu kushtua impenjimit për transparencë në procedurat e brendshme të Kishës, para autoriteteve civile, por sidomos, para Popullit të Zotit, kontributi i të cilit është thelbësor, për t’i bërë më të sigurta vendet e frekuentuara nga të miturit. 

21 pikat e reflektimit të Papës Françesku

Që në fillim, Papa Françesku u dha pjesëmarrësve një listë me 21 pika reflektimi, ku përfshihen kërkesa për vendosjen e rregullave në transferimin e meshtarëve nga një dioqezë në tjetrën e të kandidatëve për meshtarë nga një seminar në tjetrin; dispozita për të lehtësuar ndërhyrjen e laikëve në proceset hetimore e në ato kanonike; “vlerësime psikologjike” për kandidatët në meshtari e në jetën rregulltare. E më pas, edhe direktiva mbi protokollet e veçanta për të akuzuar ipeshkvijtë kur abuzojnë, ose kur neglizhojnë; mbi moshën minimale për martesë; mbi udhët e shërimit; mbi marrëdhëniet me mediat e të tjera.

 Si në fjalën e hapjes, ashtu edhe në atë të mbylljes, Papa Françesku kërkoi “impenjim konkret”. 21 pikat e reflektimit të tij janë një lloj “road map” në formulimin e strategjive të ardhshme në luftën kundër abuzimeve, për Kishën e përhapur në pesë kontinente. Ja cilat janë ato:

1.     Të hartohet një “vademecum” praktik, në të cilin të përcaktohen hapat për t’u bërë nga autoritetet në të gjitha çastet kyçe të emergjencës së një rasti [abuzimi].

2.     Të pajiset Kisha me struktura dëgjimi, të përbëra nga njerëz të përgatitur dhe me përvojë, ku të bëhet një shqyrtim i parë i rasteve të viktimave të supozuara.

3.     Të vendosen kritere për përfshirjen e drejtpërdrejtë të ipeshkvit, ose të eprorit rregulltar.

4.     Të zbatohen procedura të përbashkëta për shqyrtimin e akuzave, për mbrojtjen e viktimave dhe për të drejtën e mbrojtjes së të akuzuarit.

5.     Të informohen autoritetet civile dhe autoritetet më të larta kishtare në përputhje me normat civile dhe kanonike.

6.     Të bëhet rishikimi periodik i protokolleve dhe i normave për të krijuar një ambient të mbrojtur për të miturit në të gjitha strukturat baritore; të jenë protokolle dhe norma të bazuara mbi parimet e drejtësisë dhe të bamirësisë, që duhet të integrohen, në mënyrë që veprimi i Kishës, edhe në këtë fushë, të përputhet me misionin e saj.

7.     Të vendosen protokolle të veçanta për trajtimin e akuzave ndaj ipeshkvijve.

8.     Të shoqërohen, të mbrohen dhe të trajtohen viktimat, duke u dhënë gjithë mbështetjen e nevojshme për rimëkëmbjen e plotë.

9.     Të rritet vetëdija për shkaqet dhe pasojat e abuzimit seksual, përmes nismave për formimin e vazhdueshëm të ipeshkvijve, të eprorëve rregulltarë, të klerikëve dhe të punonjësve baritorë.

10.  Të përgatiten udhë kujdesi baritor për bashkësitë e lënduara nga abuzimet, si edhe rrugë për pendesën dhe shërimin e fajtorëve.

11.  Të përforocohet bashkëpunimi me të gjithë njerëzit vullnetmirë dhe me punonjësit e mjeteve të komunikimit për të njohur e dalluar rastet e vërteta nga ato të rreme, akuzat nga shpifjet, duke shmangur pakënaqësitë dhe aluzionet, thashethemet dhe denigrimet (shih Fjalimi për Kurien Romake, 21 dhjetor 2018).

12.  Të rritet mosha minimale për martesë në gjashtëmbëdhjetë vjeç.

13.  Të miratohen dispozita, që rregullojnë dhe lehtësojnë pjesëmarrjen e ekspertëve laikë në hetime dhe në nivelet e ndryshme të gjykimit në proceset kanonike për abuzime me seksin ose/dhe me pushtetin.

14.  E drejta për mbrojtje: duhet ruajtur edhe parimi i ligjit natyror dhe kanonik, që presupozon pafajësinë deri sa të provohet fajësia e të akuzuarit. Prandaj, duhet shmangur publikimi i listave të të akuzuarve, edhe nga ana e dioqezave, para hetimit paraprak dhe dënimit përfundimtar.

15.  Të zbatohet parimi tradicional i proporcionalitetit të dënimit në karahasim me krimin e kryer. Të vendoset që meshtarët dhe ipeshkvijtë fajtorë për abuzimin seksual të të miturve duhet të largohen nga shërbimi në popull.

16.  Të vendosen rregulla lidhur me seminaristët dhe kandidatët për meshtari, ose për jetën rregulltare. Për këta, të mendohen programe formimi fillestar dhe të vazhdueshëm për të konsoliduar maturinë e tyre njerëzore, shpirtërore dhe psiko-seksuale, si edhe marrëdhëniet ndërpersonale dhe sjelljet e tyre.

17.  Të bëhet një vlerësim psikologjik nga ekspertë të kualifikuar dhe të akredituar për kandidatët në meshtari dhe në jetën rregulltare.

18.  Të përcaktohen norma, që rregullojnë transferimin e një seminaristi, ose të një aspiranti rregulltar nga një seminar në tjetrin; si edhe të një meshtari apo rregulltari nga një dioqezë, ose kongregatë, në tjetrën.

19.  Të hartohen kode sjelljeje, të detyrueshme për të gjithë klerikët, rregulltarët, për personelin e shërbimit dhe vullnetarët, që përcaktojnë kufij të përshtatshëm në marrëdhëniet personale. Të specifikohen kërkesat e nevojshme për personelin dhe vullnetarët e të kontrollohet edhe dosja e tyre penale.

20.  Të shpjegohen të gjitha informacionet dhe të dhënat mbi rreziqet e abuzimit dhe pasojat e tij, mbi mënyrën e njohjes së shenjave të abuzimit dhe mbi raportimin e dyshimeve për abuzim seksual. E gjithë kjo duhet bërë në bashkëpunim me prindërit, mësuesit, profesionistët dhe autoritetet civile.

21.  Është e nevojshme të themelohet, aty ku ende nuk është bërë, një organizëm, të cilit mund t’i qasen lehtë, viktimat që duan të denoncojnë ndonjë krim. Një organizëm, që gëzon autonomi edhe nga autoriteti kishtar lokal e, që përbëhet nga njerëz me përvojë (klerikë dhe laikë), të cilët dinë të shprehin vëmendjen e Kishës për ata që, në këtë fushë, ndihen të fyer prej qëndrimeve të papërshtatshme nga ana e klerikëve.

24 shkurt 2019, 11:32