Cerca

Vatican News
2018-01-31 Westminster Abbey con colombe 2018-01-31 Westminster Abbey con colombe 

Papa: I krishteri nxit paqen, duke filluar nga komuniteti tij

"I krishteri promovon paqen, duke filluar nga bashkësia në të cilën jeton". Në tweet-in e kësaj të diele, Papa Françesku kthehet pёrsёri te tema e paqes .Është kohë për ta ndërtuar paqen në shpirt, në familje, në botë.

R.SH. - Vatikan

"I krishteri promovon paqen, duke filluar nga bashkësia në të cilën jeton". Në tweet-in e kësaj të diele tё 17 shkurtit, Papa Françesku kthehet pёrsёri te tema e paqes dhe i nxit të gjithë besimtarët tё kenë predispozicionin e zemrës dhe tё mendjes që mund tё ushqejë paqen dhe harmoninë, duke filluar nga marrëdhëniet personale me tё afërmin, me fqinjin.

Të ndërtohet paqja në shpirt, në familje, në botë

.. Është kohë për ta ndërtuar paqen në shpirt, në familje, në botë, pa kërkuar shkas lufte. Kёtё e kujtoi Papa Bergoglio në homelinё e Meshës, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës  mё 04 dhjetor 2018, Të bësh paqe – kujton Ati i Shenjtё Françesku - është si t’i përngjasësh sadopak vetë Zotit, duke ndenjur larg përgojimit e duke u përpjekur t’i gëzojmë të tjerët, jo t’i plagosim. Reflektimi i Papës u frymëzua nga Leximi I i Liturgjisë së Meshёs sё 4 dhjetorit 2018 (Is 11,1-10)  e nga Ungjilli i asaj dite nga Luka (Lk. 10, 21-24).

...Ka ardhur kohë për t’u paqëtuar - kujtoi Papa - , ka ardhur koha për të bërë paqe, së pari me vetveten, për ta vënë shpirtin në paqe. Shpesh herë ne nuk kemi paqe. Shpirtin na e pushton ankthi pa shpresë. E atëherë Zoti na drejton pyetjen: “Si është sot shpirti yt? Është në paqe?”. Nëse nuk është, Papa na nxit t’i kërkojmë Princit të paqes – Jezusit -  që në shpirtin tonë të mbretërojë paqja e që të mund të përgatitemi si duhet për takimin me Të. Ne “jemi mësuar të shikojmë shpirtin e tjetrit, por - fton Papa - bëjmë mirë të shikojmë së pari, tonin!”.

Paqe në familje: ndërtojmë ura apo mure?   

Pastaj duhet të paqëtojmë shtëpinë tonë, familjet tona. Ka shumë trishtim në familjet, shumë luftëra të vogla, shumë sherre. Atëherë duhet ta pyesim veten nëse familja jonë është në paqe apo në luftë, nëse njëri është me apo kundër tjetrit, nëse ndërtojmë ura, apo mure, që na ndajnë.

Mjedisi i tretë, që Papa përpiqet ta paqëtojë, është bota “ku ka më shumë luftë sesa paqe”. Ka shumë luftë, shumë përçarje, shumë urrejtje, shumë, tepër shumë, shfrytëzim. Në botë nuk ka paqe: “E unë, ç’bëj për t’i dhuruar pakëz paqe, kësaj bote gjithnjë në luftë?  Po bota është tepër larg! E po mirë, bota qenka larg, po lagjja është afër.

Çfarë bëj për paqen në lagje, në shkollë, në vend punim? A kërkoj gjithnjë shkas për t’ia nisur luftës, për të ngacmuar, për të urryer, për të përgojuar të tjerët? Kësaj i thonë të bësh luftë! A jam i butë? Ndërtoj ura? Nuk dënoj kënd, përkundrazi, ndihmoj?”. T’i pyesim edhe fëmijët: “Çfarë bëjnё në shkollë? Kur ndonjë shok nuk të pëlqen, është i mërzitshëm a i ligësht, ti bën bullizëm, apo paqe? Përpiqu të bësh paqe! Fali të gjithë! Bëju artizan i paqes! Bёju ndёrtues i paqes!

Të bësh paqe, është si të imitosh pakëz Zotin

Paqja shkon gjithnjë përpara, nuk ndalet kurrë, “është pjellore”, nis nga shpirti e rikthehet në shpirt, pasi ta ketë kryer udhën e paqëtimit - theksoi Papa Françesku. E të bësh paqe, është si të imitosh sadopak Zotin, kur bëri paqe me ne dhe na fali, na dërgoi të Birin - Jezusin për të bërë paqe, për të qenë Princ i paqes. T’i lutemi, pra, Zotit të na ndihmojë të ndërtojmë paqen në shpirt, në familje, në shkolla, në lagje, në vendet ku jetojmё e punojmë. E të bëhemi të gjithë burra e gra të paqes kudo nё botё, na kёrkon Papa.

Ja një lutje e Shën Françeskut të Asizit:
“O Zot, më bëj mjet të Paqes tënde:
Ku ka urrejtje, bëj që unë të çoj Dashurinë.
Ku ka fyerje, të çoj Faljen.
Ku ka mosmarrëveshje, të çoj Bashkimin.
Ku ka dyshime, të çoj Fenë.
Ku ka gabime, të çoj të Vërtetën.
Ku ka dëshpërim, të çoj Shpresën.
Ku ka trishtim, të çoj Gëzimin.
Ku ka errësirë, të çoj Dritën.
O Mësues, bëj që unë të mos kërkoj aq:
Të ngushëllohem, se sa të ngushëlloj.
Të kuptohem, se sa të kuptoj.
Të duhem, se sa të dua.
Sepse
Duke dhënë, merr;
Duke falur, falesh;
Duke vdekur, ringjallesh për Jetën e Amshuar”.

17 shkurt 2019, 17:47