Kërko

Kardinali George Pell Kardinali George Pell 

Papa i konfirmon kard. Pell ndalimin e ushtrimit publik të ministerit të tij

Ndalimi i ushtrimit publik të ministerit të tij dhe i çdo kontakti me të miturit: këto janë masat e vendosura nga Papa Françesku, zbatuar tashmë nga ipeshkvi i vendit pas kthimit në Australi të kardinalit George Pell. Është masë parandaluese, në pritje të përfundimit të çështjes gjyqësore kundër tij.

R.SH. - Vatikan

Para konferencës për paraqitjen e Mesazhit të Papës për Krezhmët 2019, drejtori i përkohshëm i Zyrës së Shtypit të Vatikanit, Alessandro Gisotti, lexoi një deklaratë, me të cilën kujtoi notën e ipeshkvijve australianë dhe konfirmimin e Papës Françesku për masat paraprake zbatuar kundër kardinalit Pell nga ipeshkvi i vendit, pas kthimit të tij në Australi, për të dalë para drejtësisë.

“Selia e Shenjtë bashkohet me deklaratën e kryetarit të Konferencës Ipeshkvnore Australiane, që njoftoi për vendimin e dënimit të shkallës së parë kundër kardinalit George Pell. Lajm i dhimbshëm, që - jemi të vetëdijshëm - ka tronditur shumë njerëz, jo vetëm në Australi. Siç është thënë edhe në raste të tjera, theksojmë respektin maksimal për autoritetet gjyqësore australiane. Në emër të këtij respekti, presim tani rezultatin e procesit të apelimit, duke kujtuar se kardinali Pell u deklarua sërish i pafajshëm dhe ka të drejtën për t’u mbrojtur deri në shkallën e fundit. Në pritje të vendimit përfundimtar, bashkohemi në lutje me ipeshkvijtë australianë për të gjitha viktimat e abuzimit, duke ripohuar impenjimin tonë për të bërë gjithçka të mundshme që Kisha të jetë shtëpi e sigurt për të gjithë, sidomos për fëmijët dhe më të brishtët. Për të siguruar vendosjen e drejtësisë, Ati i Shenjtë konfirmoi masat parandaluese kundër kardinalit Pell, zbatuar tashmë nga ipeshkvi i vendit, pas kthimit të tij në Australi. Në pritje të vërtetimit përfundimtar të fakteve, kardinalit i ndalohet - si masë paraprake - ushtrimi publik i ministerit të tij e, sipas rregullit, edhe kontakti me të miturit, në çdo mënyrë dhe formë”.

26 shkurt 2019, 14:04