Kërko

A view of St. Mary's shrine at St. Mary's Catholic church in Oud Metha in Dubai A view of St. Mary's shrine at St. Mary's Catholic church in Oud Metha in Dubai 

Gisotti: Papa, udhëtim historik në Emiratet e Bashkuara Arabe

Udhëtimi apostolik i Papës Françesku nga e diela deri më 5 shkurt, në Abu Dabi. Drejtori i përkohshëm i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Alessandro Gisotti, nënvizon se ky është rast i volitshëm për të forcuar dialogun ndërfetar.

R.SH. - Vatikan

“Udhëtim historik” ai, që Papa Françesku do të bëjë në Emiratet e Bashkuara Arabe, duke filluar nga dita e diel deri më 5 shkurt. Drejtori i përkohshëm i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Alessandro Gisotti, tregoi sot para gazetarëve, hollësitë e udhëtimit të 27-të ndërkombëtar të Bergoglio-s, papa i parë, që shkon për vizitë në Gadishullin arabik.

Dialogu ndërfetar dhe takimi me katolikët

Udhëtimi, shpjegoi Gisotti, do të përqendrohet në dy ditë – të hënën e të martën. Njëra ka të bëjë me dialogun ndërfetar, veçanërisht me botën myslimane e, tjetra, me bashkësinë katolike vendase, rreth 900 mijë vetë, që përbëjnë 10% të popullsisë.

“Shpesh – deklaroi Gisotti – ka pasur armiqësi e keqkuptime ndërmjet të krishterëve e myslimanëve”, prandaj, vizita e Papës mund të jetë “rast i rëndësishëm për të promovuar e përforcuar dialogun ndërfetar e, edhe bashkësinë katolike, jashtëzakonisht dinamike, formuar kryesisht nga emigrantë, veçanërisht aziatikë, sidomos filipinë, por jo vetëm ata. Jetojnë në Emiratet Arabe për arsye pune”.

Ja programi i plotë:

Papa do të niset nga aeroporti i Fiumiçinos, të diel, në orën 13 e do të mbërrijë në Abu Dabi, në orën 22. Të hënën, në orën 12, ceremonia e mirëseardhjes në Pallatin Presidencial e, menjëherë pas saj, vizita zyrtare tek princi trashëgimtar. Në orën 17, Papa do të takohet privatisht me anëtarët e Këshillit Mysliman të Pleqve, në Xhaminë e Madhe të Shehut Zayed. E, në orën 18.10, do të marrë pjesë në Takimin Ndërfetar mbi “Vëllazërimin njerëzor” në Memorialin e Themeluesve, ku do të mbajë edhe një fjalim.

5 shkurti, ditë festive për punëtorët katolikë

 Të martën, në orën 9.15, vizita private në katedralen e Abu Dabit. Në orën 10.30, për herë të parë, mesha në Zayed Sports City, ku Papa do të mbajë homelinë. Gjatë meshës, lutja e besimtarëve do të thuhet në të gjitha gjuhët e emigrantëve katolikë të pranishëm. Autoritetet vendase e kanë shpallur ditë festive 5 shkurtin për punëtorët katolikë, të cilët nuk do të shkojnë në punë, për të marrë pjesë në kremtimin eukaristik me Atin e Shenjtë.

“Në meshë – shpjegoi zëdhënësi i Vatikanit, Alessandro Gisotti – do të ketë edhe shumë të ftuar myslimanë, por nuk do të jetë Imami i madh i al Azharit, i cili do ta shoqërojë Papën në gjithë takimet e ditës së mëparshme”. Me të mbaruar kremtimi, Françesku do të shkojë në aeroportin presidencial të qytetit, ku pas ceremonisë zyrtare të lamtumirës, do të niset me avion për në Romë. Mbërritja në aeroportin e Çampinos, parashikohet në orën 17.

01 shkurt 2019, 17:32