Të rinj besimtarë në  Zayed Sports City Të rinj besimtarë në Zayed Sports City 

Të krishterët në Emiratet: pemë e vogël, që lëshon oksigjen

Përqafimi i Papës, që e përfundon vizitën e shkurtër në Abu Dabi me kremtimin e Meshës në Stadiumin e Zayedit: kështu i rilexon Lumnitë!

R. SH. - Vatikan

Andrea Tornielli - Abu Dhabi

“Grigjës së vogël” të krishterë të Emirateve - por që duke e parë të bashkuar në Zayed Sports City Stadium nuk duket edhe aq e vogël - Papa Françesku i kujtoi se për t’i jetuar Lumnitë ungjillore, nuk duhen bërë gjeste të jashtëzakonshme. Madje, pikërisht jeta e Jezusit, i cili nuk la asgjë të shkruar e as ndërtoi vepra hijerënda, tregon se feja e krishterë luhet në të përditshmen e në vogëlsi.

Të krishterit nuk i kërkohet të ndërtojë vepra të mëdha, as të kryejë punë  të bujshme, të jashtëzakonshme, mbinjerëzore. Dëshmia e krishterë kalon nëpër të jashtëzakonshmen e të zakonshmes. Është hir i shenjtërisë së jetës së përditshme që, pa shenja mahnitëse, sjell mrekullinë më të mahnitshme. Kështu krishterimi lulëzon e komunikohet përmes  ozmozës, pa pasur nevojë për strategji marketingu, pa dinakëri mediatike, pa lumenj fjalësh, as aftësi mbinjerëzish!

Lumnitë, duke kthyer përmbys kriteret  e botës, të ftojnë “ta ruash të pastër zemrën, të praktikosh butësinë, drejtësinë e, pavarësisht nga të gjitha, t’i jetosh mundimet i bashkuar me Zotin. Është si pema - shpjegon Françesku - që në tokën pa ujë, si kjo e shkretëtirës, që shtrihet në këtë zonë të botës, thith ajër të ndotur, e lëshon oksigjen.

Ftesa  drejtuar “kësaj grigje të vogël” të krishterësh në Emiratet,  është të vijojë të jetë oazë e paqes, e butësisë, e mëshirës. Sepse i lum është vetëm ai, që u përgjigjet butësisht akuzave, që nuk e sulmon tjetrin, as nuk synon ta mposhtë. Është i lum,  kush i shikon të tjerët si vëllezër, jo  si armiq.

Papa Françesku citoi Shën Françeskun e Asizit, që i mësonte fretërit, në nisje drejt tokave saraçene, duke u kërkuar “të mos grindeshin, por të kujdeseshin për çdo krijesë njerëzore, për dashuri të Zotit”. E duke dëshmuar kështu, se janë të krishterë. Në një kohë kur shumëkush mbërthehet me armaturën e rëndë, edhe virtuale, Papa kujton se i krishteri niset i armatosur vetëm me fenë e vet të përvujtë e me dashurinë konkrete. Sepse jeton vetëm me të. Dhe e di se vetëm përmes kësaj dëshmie kumtohet sot Ungjilli!

05 shkurt 2019, 15:25