Kërko

Rregulltare Rregulltare 

Në jetën rregulltare, të gjehet sërish shpresa, duke iu dhuruar të tjerëve

Për kardinalin Braz de Aviz, prefekt i Kongregatës për Institutet e jetës rregulltare dhe Shoqëritë e jetës apostolike, rregulltarët ndjejnë lodhje kur nuk u dhurohen të tjerëve. Është e nevojshme ta rigjejnë shpresën, duke punuar në katër fusha: formimi, marrëdhëniet autoritet-bindje, plotësueshmëria dhe integrimi ndërmjet rregulltarëve meshkuj e femra, si edhe administrimi i pasurive.

R.SH. - Vatikan

Nesër, 2 shkurt, në festën e Paraqitjes së Zotit në Tempull, Kisha Katolike kremton Ditën Botërore të Jetës rregulltare. Papa Françesku kryeson meshën me rregulltarët e rregulltaret, në orën 17.30, në Bazilikën e Vatikanit. Me rastin e kësaj Dite, ia afruam mikrofonin prefektit të Kongregatës për Institutet e jetës rregulltare dhe Shoqëritë e jetës apostolike, kardinalit João Braz de Aviz. E pyetëm mbi arsyet për të cilat duhet ta falenderojmë Zotin, që na ka dhuruar murgeshat e rregulltarët e tjerë, veçanërisht aktivë në Kishë:

Para së gjithash, unë mendoj sa i qartë ka qenë Jezusi për thirrjen e rregulltarëve. Të shuguruarit e Zotit janë të tipeve të ndryshme: nga “ordo virginum” tek institutet shekullare, tek fretërit, tek murgeshat, tek murgjërit, tek eremitët... Por e gjithë kjo botë kaq e madhe njerëzish - sepse ata janë pothuajse një milion - është përfshirë tani në një lëvizje të madhe risimi, ka probleme të vështira në shumë zona, në të gjitha kontinentet... Pra, ka ardhur koha të verifikojmë nëse vlerat, që kemi zgjedhur si thirrje, janë të tilla që mund të japin dëshmi në botën e sotme. E kjo na kushton mjaft, sepse na bën të lëvizim e na detyron të shkojmë drejt diçkaje të re... Përshpirtëria jonë ka nevojë për një shtytje, pasi duhet të dalim nga problemet serioze të pedofilisë dhe nga ato të tjerat, që gjithsesi, janë të pranishme në jetën e shuguruar. Shpresojmë gjithmonë që Ungjilli të na japë forcë e të na përtërijë. Papa nuk flet për shpresë të çfarëdoshme, por për shpresën, që vjen nga takimi me vështrimin personal të Jezusit, shikim dashurie që na zgjedh dhe pastaj, na sfidon për një jetë të re, jo për t’i shërbyer vetes, por Kishës. Mendoj sidomos për katër fusha, në të cilat duam të punojmë më nga afër: formimi, që të bëhet një formim më i qartë, më komunitar dhe më i ngjashëm me atë të dishepujve të Jezusit. Pastaj, çështja e rishikimit të marrëdhënieve ndërmjet autoritetit e bindjes, sepse raportet duhen parë me një sy tjetër: për shembull, çështja e marrëdhënieve ndërmjet rregulltareve e rregulltarëve, që nuk duhet të jenë përjashtuese, por integruese dhe plotësuese. Gjithashtu, duhet shqyrtuar edhe çështja e përdorimit të të mirave materiale. Janë gjëra konkrete, që po diskutohen në shumë kapituj të përgjithshëm e nëpër kongregata të ndryshme. Sipas meje, kjo është arsye për ta falenderuar Zotin.

Meshtarëve dhe rregulltarëve në Panama, Papa u foli për “lodhjen e shpresës”. Ju, si i kuptuat këto fjalë të Atit të Shenjtë?

Pjetri është gjithmonë për ne ai, që përforcon, konfirmon rrugën, prandaj, fjalët e Papës Françesku janë të çmuara. Ai flet për Jezusin, që rri me gruan samaritane para pusit, në mesditë, nën një diell shumë të fortë, me lodhjen që është edhe lodhje e dashurisë së Tij për njerëzit, sepse Ai rri me njerëzit, kujdeset për ta, i qëndron pranë secilit, dërgon dishepujt: lodhja e Jezu Krishtit vjen nga përkushtimi për t’ua dhuruar veten njerëzve. Por Papa thotë se në jetën e shuguruar, në meshtari, në lëvizjet kishtare, sot kemi lodhjen e shpresës: sikur horizonti të ishte ulur pak, sikur pasioni për diçka të rëndësishme të ishte shuar pak ... sikur të kishim humbur rrugën, sikur të mos e gjenim më drejtimin. Që këtej, pyetja: ç’kuptim ka akoma kjo lloj jete? E këtu, vjen me të vërtetë përgjigjja, që duhet të japim. Papa thotë: shpresë, si Jezusi. Jezusi lodhet, por vazhdon rrugën, duke shpallur mbretërinë, që është afër. Vetë samaritania i thotë Atij e Ai i thotë gruas samaritane: më jep të pi. E këtë duhet akoma t’ia themi Jezusit, domethënë, të ecim me Të. Por kjo varet nga rruga, që kemi ndërmarrë.

01 shkurt 2019, 14:37