2018.09.21 Card. Pietro Parolin 2018.09.21 Card. Pietro Parolin 

Kardinali Parolin: pa solidaritet nuk ka zhvillim të mirëfilltë

Migrimet: kard. Parolin, pa solidaritet shkojmë drejt çrregullimit global që do të prekë edhe kompanitë. Zhvillimi i gjithanshëm do të duhej të kishte për bazë zhdukjen e padrejtësive kundër dinjitetit të njeriut, ndërsa gjithnjë më shpesh forcat ekonomike e politike sundojnë mbi njerëzit më të ligshtë, në dëm të tyre, vërejti Parolin.

R.SH. - Vatikan

"Nëse nuk gjenden mjetet e nevojshme e nuk investohet në projekte të rëndësishme që ndihmojnë zhvillimin e mirëfilltë shoqëror, duke u nisur nga solidariteti njerëzor dhe vëllazërimi i krishterë, ku përfshihet integrimi efektiv, zhvillimi i vendeve të origjinës së emigrantëve dhe fundi i luftërave, përtej kostove të larta ekonomike që mund të kërkojë e gjithë kjo ndërmarrjeje, do të shkohet drejt një çrregullimi global që do të godasë shpejt edhe vetë kompanitë". Kjo thirrja alarmuese që bëri kard. Pietro Parolin, Sekretar i Vatikanit i Shtetit, sipas të cilit shoqëria bashkëkohore sot ka nevojë për "një injeksion të fortë njerëzor e një ndërmarrje sipas logjikës së krishterë” të altruizmit.

Në relacionin që u lexua në takimin e organizuar nga biznesmenët e Komitetit teknik shkencor të Bashkimit të krishterë (UCID), kard. Parolin theksoi nevojën urgjente të "krijimit të mjeteve ligjore dhe teknike për integrimin e emigrantëve dhe të refugjatëve: sistemet pedagogjike, trajnimet dhe formimet teknike, kujdesi shëndetësor, mekanizmat për depërtimin dhe përfshirjen në tregun e punës, që të gjitha këto, sipas kardinalit, kalojnë nëpërmjet legjislacionit dhe masave të përshtatshme administrative".

Zhvillimi i gjithanshëm do të duhej të kishte për bazë zhdukjen e padrejtësive kundër dinjitetit të njeriut, ndërsa  gjithnjë më shpesh forcat ekonomike e politike sundojnë mbi njerëzit më të ligshtë, në dëm të tyre, vërejti kardinali Pietro Parolin, sekretar i Shtetit të Vatikanit.

“Zhvillim do të thotë të kalosh nga një gjendje e keqe jetese, në përmirësimin e kushteve të jetës. E cilat janë kushtet e vërteta të jetës? Të jetosh si duhet, do të thotë të zhdukësh varfërinë e të plotësosh nevojat e domosdoshme; do të thotë t'i zhdukësh vuajtjet, të zgjerosh horizontet e dijes, të pajisesh me edukatë e kulturë. Prej këndej, njeriu mund të bëhet më i vetëdijshëm për dinjitetin e vet dhe të të tjerëve, mund të edukohet me shijen e shpirtit të varfërisë, të tregojë më shumë interes aktiv për të mirën e përbashkët e të ketë gjithnjë më shumë dëshirë të jetojë në paqe. Kështu njeriu mund t’i njohë vlerat më të larta, e edhe vetë Zotin, autor e zanafillë e jetës.

Më pas kardinali Parolin vuri në dukje vlerat themelore të Doktrinës shoqërore të Kishës katolike, e nënvizoi se “çka ka rëndësi për ne, është njeriu: çdo njeri, çdo grup e mbarë njerëzimi. Ka rëndësi zhdukja e padrejtësive, si individuale, ashtu edhe strukturore, që i ndeshim ditë për ditë e propozimi i mirëqenies së përgjithshme. E pra shpesh ndodh e kundërta. Favorizohen forcat ekonomike e politike, pa menduar për të tjerët. Ndërsa etja për pushtetin, do të duhej zëvendësuar me pushtetin e solidaritetit e të dashurisë”. Kisha punon për një zhvillim të gjithanshëm, bazuar mbi sintezën e bashkëpunimit të vërtetë njerëzor, për realizimin e solidaritet njerëzor, në përkim me vullnetin e shpëtimit universal të Zotit .

12 shkurt 2019, 15:11